Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, duke folur për zhvillimet në veri të Mitrovicës, thotë se Kosova nuk duhet të qëndrojë e qetë kërcënimeve të Serbisë, për të cilën thotë se hapur i ka shpallur luftë shtetit të Kosovës.
“Në fakt, përderisa Serbia hegjemoniste, përmes qeverisë së saj, kërkon edhe zyrtarisht dhe me vendim shtetëror të votuar edhe në parlamentin e këtij shteti ish okupator kthimin e ushtarëve dhe policëve serb në vendin tonë, ky është akt i hapur shpalljes së luftës shtetit të Kosovës, para të cilit vendi ynë, nuk mund të rri, as të ndihet i qetë, por duhet të veprojë sipas situatës dhe rrethanave të krijuara, para agresionit të paralajmëruar nga një vend gjenocidial fqinjë, pa dashjen tonë”, thotë për “Bota sot” Gani Qarri.
Sipas tij, është për tu çuditur se si bashkësia ndërkombëtare po hesht karshi veprimeve të Aleksandër Vuçiqit.
“Madje nisur edhe nga gjendja aktuale që për momentin ekziston në veri, aktualisht Kosova as që ka kushte normale për vijimin e bisedimeve me një shtet agresor e gjenocidial si Serbia, apo Rusia e Ballkanit, e cila njëjtë si imperatoria ruse e Putinit, në vijimësi synon ta avancojë agresionin për gllabërimin e tokave të vendeve fqinje me dhunë, kudo që mundet dhe arrin. Për aq më tepër, habit fakti se ajo kohët e fundit as që kritikohet nga faktor ndërkombëtar, përkundër asaj që sot të gjithë jemi dëshmitar se Serbia përveç involvimit në destabilizimin permanent të Kosovës, për gjithë këto vite sa qëndron në pushtet pasardhësi i Millosheviqit dhe Gebelsi i ish qeverisë së tij, krimineli Vuçiq, nuk lejon qetësimin e gjendjes as në Bosnje e Hercegovinë dhe në Mal të Zi”, shprehet Qarri.
Më tej, ai thotë se Vuçiq është fajtor edhe për zhvillimet në Mal të Zi.
“Edhe në Mal të Zi, Vuçiqi e ka sjell gjendjen deri aty, sa të intervenojë dhe vet emisari i lartë amerikan Gabriel Eskobar, që nën kushtet aktuale, të mos krijohet Qeveri e re, në këtë shtet fqinj të Kosovës, i cili po ashtu tash e disa vite e ka të pamundur të stabilizohet dhe gjejë qetësi nga ndërhyrjet në vijimësi të Serbisë hegjemoniste, përmes murgjve konspirativ të kishave ortodokse serbe dhe bandave të nxitura nga Vuçiqi, njëjtë si në veri të Kosovë për destabilizmin edhe të Malit të Zi”, deklaron Qarri.
Siç thotë Qarri, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet duke pasur planin franko-gjerman, të cilin e ka paralajmëruar edhe kryeministri Kurti.
“Përkundër të gjithave, nisur nga paralajmërimi i planit franko-gjerman për rifillimin e bisedimeve në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti ka deklaruar se ky plan është një bazë e mirë për përfundimin e dialogut me një marrëveshje gjithëpërfshirëse me në qendër njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, e cila me bisedime konstruktive dhe përjashtimin e tendencave hegjemoniste të Vuçiqit për okupimin e veriut të Kosovës, realisht mund të arrihet brenda pak muajsh. Por Heqja e njohjes reciproke nga dialogu dhe futja e "zajdenicës" si temë prioritare për diskutim në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbinë, është tendencë jo vetëm shumë e rrezikshme, kundër realitetit në terren dhe kundër çdo niveli të balancuar diplomatik, të cilës fatkeqësisht ju ka bashkuar edhe opozita e inkriminuar, por edhe një formë e hapur e terrorizimit publik ndaj shqiptarëve dhe Qeverisë së Kosovës!”, thekson Qarri.
“Prandaj nëse në dialog imponohen diskutimet për formimin e "zajednicës" ndërsa përjashtohet njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ashtu siç është vepruar, nuk besoj se mund të pranohet, një marrëveshje kaq e padrejtë ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës, ngase duke pasur parasysh aktet terroriste të bandave kriminale serbe në veri, ende pa poseduar zyrtarisht asnjë element ekzekutiv në atë pjesë të vendit tonë, nënshkrimi i një marrëveshje me "zajednicë" brenda dhe bosnjëzim, do të ishte dënim me vetëvrasje për Kosovën”, shpjegon Qarri.
Më tej, Qarri thotë se në rast të pranimit të formimit të Asociacionit të Komunave serbe, atëherë kryeministri Kurti do duhet të jepte dorëheqje të menjëhershme.
“Kështu që para se tragjedia e quajtur "zajednica" t’i imponohet shtetit të Kosovës kinse për shkak të interesave globale siç po arsyetohet aktualisht në mënyrë hipokrite nga dikush, Albin Kurti do duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme, që edhe nga opozita ta kundërshtojë, sa më fuqishëm dhe me të gjitha mënyrat e mundshme bosnjëzimin e Kosovës me ngrehina të shpifura e kurrë të paqena serbe, në këto troje tonat autoktone për t’i dhënë mundësinë popullit të Kosovës që t’i shoh me sytë e vet partitë e inkriminuara shqipfolëse, se si do ta formonin ato "zajednicën" të cilën po ia premtojnë Vuçiqit dhe Eskobarit!”, shprehet Qarri.
Për fund, Qarri thotë se formimi i eventual i Asociacionit të Komunave serbe, automatikisht nënkupton ndarje të Kosovës.
“Parti dhe ish udhëheqësit e inkriminuar të të cilave përveç kooketimit të vazhdueshëm me bandat kriminale serbe të veriut, që i kishin ortak në kriminalitet ekonomik dhe politik, kanë dhënë nënshkrimet edhe për formimin e “zajednicës” të cilën edhe kryesuesit aktual të tyre, i premtojnë këto ditë Eskobarit siç u deklaruar ai vet që ka marrë pëlqimin nga ato, se edhe praktikisht, do ta formojnë "zajednicën" kundër kushtetuese një etnike serbe, nëse vërtetë ato i lejon populli i Kosovës, që t`ia bëjnë vendit një tradhti kaq të madhe, pasi që formimi i “zajednicës” nënkupton ndarjen e ri copëtimin dhe shuarjen e shtetësisë së vendit tonë të pavarur, i cili në këta kufij është njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si organi më i lartë juridik i OKB-së!”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.