Gjendja e krijuar me barrikadat e vendosura në veri po vazhdon ende, edhe pasi janë mbushur mbi dy javë. Serbët nuk po heqin dorë nga ky vendim, pavarësisht kritikave.
Këtë situatë të krijuar, njohësi i ҫështjeve politike dhe publicisti, Idriz Zeqiraj e quan si situatë të krijuar qëllimshëm nga Vuçiq.
“Situata e krijuar, qëllimshëm, nga Vuçiq, i cili bënë sikur është protestë vetanake e komunitetit serb në veriun e Kosovës, nuk e beson askush. Përkundrazi, ai është ekspozuar, pacipshëm, në të gjitha instruktimet, që u bënë krerëve banditër në veriun e Kosovës. Po ndodhë si me komandantët banditër të Kosovës, të cilët hartuan listat emërore të kundërshtarëve politikë shqiptarë, duke urdhëruar ekzekutimin e tyre. Dhe, krerët komandues, u bënë vartës të bandave të tyre, duke i kalaveshur me poste, për t`u lënë dorë të lirë në hajni zyrtare, grabitjen e pasurive shoqërore e shtetërore, në vjeljen e haraçit masiv të përgjakshëm dhe pisllëqe tjera”, thekson Zeqiraj.
Madje ai thotë se vrasja e kundërshtarit politik, Oliver Ivanoviq, gjthësesi e implikon presidentin Vuçiq.
“Andaj, ai mbron, madje, sforcueshëm, argatët e tij, Radojiçiq e Veselinoviq, me kompani, të lakuar për krimin e rëndë politik vrastar. Rrjedhimisht, Vuçiq, është i lidhur, pazgjidhshmërisht, me krerët banditër të Listës Serbe”, vlerëson ai.
Zeqiraj thotë për ‘Bota sot’ se, opozita aktuale, e frustruar dhe inferiore ndaj pozitës, ka humbur torruan, sensin e masës, duke shpërthyer në akuza hiç racionale, por edhe bollshëm shpifarake.
“Në vend që të kontribuojnë, për zgjidhjen e problemeve të krijuara, pikërisht, nga kjo opozitë, siç është asociacioni dhe "pronat" e Manastirit të Deçanit, ajo po bënë gjithçka që Kurti të dështojë, të dorëzohet, qeveria e tij të bie! "Ne do ta bënim asociacionin brenda javës", - thonë opozitarët grenellianë të Kosovës! Ky qëndrim kundra-kombëtarë duhet të ndryshojë. Përndryshe, historia do t`i ndëshkojë e turpërojë. Kurti dhe ekipi i tij qeveritar, duhet të ngulmojë në bashkëpunimin me opozitën, në veçanti, me specialistë të sigurisë, mbrojtjes, diplomacisë dhe fusha të tjera”, vlerëson publicisti Zeqiraj.