Veriu i Kosovës po vazhdon të përballet me tenisone, sulme, bllokada e provokime të shumta nga serbët.
Që nga paslufta, kjo pjesë e Kosovës, ka qenë pika më e ‘ndjeshme’ e saj.
Fatkeqësisht, shumë shqiptarë u dëbuan nga veriu për t’u shpërngulur në vende të tjera të Kosovës, kjo me qëllim që serbët të ishin më të ‘lirë’ për të bërë manovrimet dhe planet e tyre, mes tjerash edhe kolonizimin me banorë që nuk kanë banuar atje kurrë.
Tani, që situata në veri ka ndryshuar në krahasim nga ajo çfarë ka qenë në vitet e para të pasluftës, nuk do ishte keq që të fillohej të bisedohej, pse jo edhe të bëhej ndonjë plan strategjik për rikthimin e shqiptarëve të dëbuar.
E sa ka mundësi që një gjë e tillë të ndodhë dhe se çfarë do prodhonte rikthimi i shqiptarëve në veri, treguan analistët politikë për “Bota sot”
Mehazi: Pa qytetarët shqiptarë të veriut nuk do ketë Mitrovicë shqiptare
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” tha se problemi më i madh i qeverisë Kurti është rikthimi i banorëve shqiptarë të dëbuar nga veriu, dhe jo barrikadat.
“Gjëja më problematike e qeverisë së Kosovës në veri nuk janë barrikadat serbe, por rikthimi i banorëve shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, për ndryshe të gjitha veprimet tjera pa kthimin e qytetarëve shqiptarë të dëbuar nga veriu do jenë të pasuksesshme e të kota”, deklaroi ai.
Sipas Mehazit, veriu nuk mundekzistojë pa qytetarët shqiptarë, ata duhet të rikthehen, pasi në këtë mënyrë kjo pjesë e vendit do sulmohet çdoherë nga serbët.
“Jo vetëm të hiqen barrikadat, por edhe të burgosen kriminelët serbë prapë se prapë veriu do jetë në duart e serbëve të presidentit të Serbisë Vuçiqit, nëse qeveria së bashku me parlamentin e Kosovës nuk nxjerrin ligjin e kthimit të shqiptarëve të dëbuar nga veriu, nëse jo, atëherë çdoherë e kurrëdoherë Kosova do sfidohet e sulmohet nga serbët e veriut. Nuk mundet veriu të ekzistojë pa qytetarët shqiptarë, përndryshe kjo anë e veriut do konsiderohet si pjesë jashtë Kosovës dhe totalisht e lidhur me Serbinë”, theksoi profesori.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/December/27/850x636_auto_mehaz15951872881672142489.jpg)
Ndër të tjera, ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë një nismë për ndërtimin e shtëpiave kolektive për qytetarët shqiptarë të dëbuar nga veriu.
Zogaj: Ministri Krasniqi ka theksuar planin strategjik për këtë çështje, por, që ka mbetur në letër
Ndërsa, opinionisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” tha se personi i parë që e parandjeu problemin me shqiptarët e dëbuar nga veriu ishte koloneli Ahmet Krasniqi.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/December/27/auto_auto_skender-zogaj-645x42015657326761672142488.jpg)
Ai përmendi një plan strategjik që Krasniqi ua dërgoi Qeverisë së RK në ekzil dhe Qeverisë së Shqipërisë, ku ua bëri me dije rrezikun që e priste Kosovën pas çlirimit.
“Dëbimi i shqiptarëve nga veriu i vendit është dashur të ndodh që në ditët e para të çlirimit, sepse është ditur që më herët se, Serbia do të bëjë gjithçka për ta mbajtur kë pjesë të vendit si zonë konflikti, për herë do kur që paraqitet ndonjë rast i volitshëm për ta destabilizuar Kosovën. Këtë problem i pari dhe i vetmi e ka parandje kol. Ahmet Krasniqi, ministri i mbrojtjes, i cili edhe e ka trajtuar në në plan strategjik me shkrim që ua ka drejtuar Qeverisë së RK në ekzil dhe Qeverisë së Shqipërisë, të cilave ua ka bë me dije rrezikun që e priste Kosovën pas çlirimit, prandaj Ministri Krasniqi ka theksuar planin strategjik për këtë çështje, por, që ka mbetur në letër”, shpjegoi opinionisti.
Zogaj fajësoi qeveritë e mëparshme të Kosovës që nuk morën asnjë masë parandaluese për dëbimin e shqiptarëve, derisa Serbia ka krijuar vendbanime të reja, "Qytetin e diellit" më 400 shtëpi për kolonët serbë,
“Pra, dëbimi i shqiptarëve nga veriu është faj i Kosovës, e cila e ka përçmu rrezikun dhe nuk e ka ndërmarrë asnjë masë parandaluese. Qeveria e Kosovës i ka lënë shqiptarët e veriut në "gojën e ujku" pa asnjë lloj ndihme, në kohën kur Serbia ka krijuar vendbanime të reja, "Qytetin e diellit" më 400 shtëpi për kolonët serbë. Kosova ka hesht kur janë djegur shtëpitë dhe janë vra shqiptarët, në vend se, të investoj dhe ra rindërtoj atë pjesë të endit dhe tu qëndrojë afër qytetarëve të vet”, theksoi ai.
Në fund, opinionisti tha se tani po përballemi me pasojat e gabimeve të mëparshme, andaj kërkoi nga udhëheqja e Kosovës të kuptojë se, bukën e gojës duhet ta ndaj përgjysmë me veriun.
“Tash, 20 vjet pas luftës, gjithçka është vonë, prandaj, duhet pranuar se kemi dështuar dhe në fakt, nuk e meritojmë atë pjesë të territorit. Në Kosovë jozyrtarisht flitet se janë rreth 800 mijë shtëpija të mërgimtarëve që qëndrojnë zbrazta! Po sikur mjetet e gjysmës së tyre të ishin investuar në veri, si do të ishte sot situata atje?!
Nuk ka ndodhur dhe tash duhet të ballafaqohemi me pasojat, përderisa, udhëheqja e Kosovës të kuptojë se, bukën e gojës duhet ta ndaj përgjysmë me veriun, sepse është koga kur ajo pjesë e tokës mbrohet me grosh dhe fjalë të urta e miqësore, me të gjithë”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.