Në mëngjesin e sotëm serbët e veriut kanë vendosur edhe dy barrikada të reja në rrugën magjistrale “Mitrovicë- Zveçan”, pak përtej vendit të quajtur “Kërshi i Dudës”.
Barrikadat vijnë pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Albin Kurti i cili pas takimit me komandatin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia, dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, ka thënë se “konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.
Analisti politik, Sulejman Mehazi, thotë se zhbërja e barrikadave serbe do ta ndajë shapin djallëzor kancerologjik të Vuçiqit nga sheqeri i pavarësia e Kosovë.
Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se të keqen njëzetvjeçare kriminele serbe në veri të Kosovës do ta largojnë barrikadat serbe.
“Zhbërja e barrikadave serbe do ndajë shapin djallëzor kancerologjik të Vuçiqit nga sheqeri i pavarësisë së Kosovës. Frontet ushtarake e policore të dy palëve kundërshtare kosovare-serbe do jenë barrikadat e bandave të Radoiçiqit, zhbërja e barrikadave serbe njëherë e përgjithmonë do ndajë shapin djallëzor kancerologjik të Vuçiqit nga sheqeri i pavarësisë së Kosovës. Të keqen njëzetvjeçare krimenele serbe në veri të Kosovës do ta largojnë barrikadat serbe”, ka pohuar Mehazi.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/December/27/auto_850x636_auto_850x636_mehaz1561982017157796230116659430731672149950.jpg)
Tutje, Mehazi ka thënë se nuk mund të ketë dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, gjersa ka shtuar “për hajr lufta e dytë e Kosovës”.
“Disa herë e kemi thënë se konfliktet bien dialogje, nuk mund të ketë dialog në mes Kosovës së Pavarur pa konflikte me Serbinë e Millosheviq-Vuqiçit.
Për hajr lufta e dytë e Kosovës!, ama tani jo me Millosheviqin dhe Kosovën e okupuar pa policë e ushtri, por me këlyshin e tij Vuçiqin dhe Kosovën e Pavarur me polici e ushtri”, ka përfunduar Mehazi.
Disa barrikada janë ngritur në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet nga autoritetet e Kosovës se organizoi “sulmin terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.