Në fillim të kësaj jave, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha se numri i pjesëtarëve të njësive speciale të Forcave të Armatosura Serbe do të rritet nga 1.500 në 5.000 deri në fund të vitit 2023. Një vendim i tillë erdhi, tha ai, “me urdhër” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Dua ta informoj opinionin e Serbisë dhe jo vetëm të Serbisë, se mbrëmë gjeneral [Milan] Mojsiloviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, dhe unë morëm një detyrë, një urdhër nga Presidenti i Republikës si Komandant i Përgjithshëm [Aleksandar Vuçiq], për të rritur numrin e pjesëtarëve të njësive speciale në Ushtrinë Serbe deri në fund të vitit 2023”, tha Vuçeviq.
Ky vendim erdhi vetëm një ditë pasi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviq, tha se në mbrëmjen e 25 dhjetorit ka pasur një takim me presidentin e Serbisë dhe udhëheqjen ushtarake lidhur me ngjarjet në Kosovë. Pas atij takimi ai shkoi në Rashkë, në jug të Serbisë.
Kërcënimet ushtarake të Serbisë së Vuçiqit nuk janë diçka e re.
Mirëpo, kësaj radhe këto ‘paralajmërime’ për rritje të numrit të pjesëtarëve ushtarak erdhën në kohën kur në veri të vendit situata po vazhdon të jetë e tensionuar.
Qeveria e Kosovës deri më tani është treguar e matur, dhe ka vepruar në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, SHBA dhe BE pwr zgjidhjen e situatws.
Shala: Serbia po dëshmon se nuk i ka të standardizuar repartet ushtarake me nevojat e shekullit të fundit
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala paralajmërimet për shtim të ushtarëve serbë, i sheh si dëshmi që Serbia ka ngecje në repartet ushtarake
“Deklarimet dhe procesi në të cilwn po planifikon të hy komponenta ushtarake e Serbisë po dëshmon që kjo e fundit nuk i ka të standardizuar repartet ushtarake me nevojat e shekullit të fundit”, deklaroi ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”.
Krahas kësaj, Shala u shpreh se shteti serb shihet qartë se ka pretendime territoriale, prandaj duhet analizuar pozicionimi i saj.
“Një modernizim i tillë për sigurinë rajonale dhe asaj të Kosovës, po duhet të analizohet dhe vlerësohet se Serbia e ka të qartë pozicionimin e saj në raport me vendet e Ballkanit Perwndimor duke deklaruar për pretendime territoriale sipas libres së bardhë të saj”, vlerësoi eksperti i sigurisë.
Ndër të tjera, ai kërkoi nga Kosova që t’i rrisë kapacitetet e saj ushtarake dhe të thellojë bashkëpunimet diplomatike ushtarake.
“Kosova duhet të vazhdojë në proceset e saj të ngritjes së pjesës së fundit të kapaciteteve ushtarake në nivelin e vendeve anëtare të NATO-s [Sloveni] e cila ka premisat si të Kosovës. Në arenën diplomatike ndryshime në rritjen e bashkëpunimit diplomatik ushtarak me vendet mike të Kosovës”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.
Qarri: Serbia krijoi me sukses dy rryma të rrezikshme të cilat vetëm dy dekada pas çlirimit, e kanë sjellë shtetin e Kosovës, buzë zhbërjes
Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se Serbia ka krijuar dy rryma shumë të rrezikshme, të cilat i kanë nxjerrë probleme të shumta Kosovës.
Krahas kësaj, ai përmendi bandat kriminale serbe në veri dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve nga kjo pjesë e Kosovës.
“Menjëherë pas lufte, Serbia krijoi me sukses dy rryma të rrezikshme të cilat vetëm dy dekada pas çlirimit, e kanë sjellë shtetin e Kosovës, buzë zhbërjes, si grupi kriminal serb me në krye Milan Radojçiqin e Zvonko Veselinoviçin, për deshqiptarizimin e veriut të Kosovës dhe grupin ekstremist islamik për vrasjen e çështjes kombëtare, në pjesën tjetër të vendit, me krijimin e komunitetit fetar turko-islamik dhe defaktorizimin e shtetit të Kosovës, të cilat që të dy grupet, i kanë arritë me sukses.
Serbia, fillimisht krijoi bandat kriminale serbe në veri, të cilat kishin për detyrë spastrimin dhe dëbimin me dhunë të mës e 15 mijë shqiptarëve autokton nga pjesa veriore dhe serbizimin e saj duke sjellë kriminelët më të rrezikshëm serb edhe nga Bosnja e Kroacia për moslejimin e shtrirjes së shtetësisë, në këtë pjese të pandashme të shtetit të Kosovës. Kurse grupet ekstremiste islamike, të financuara nga Serbia dhe Rusia, në kuadër të BIK-ut, kishin për obligim, të shuanin ndjesinë kombëtare të shqiptarëve dhe kthenin ata, në komunitet fetar islamik, për armiqësimin e Kosovës me vendet katolike si SHBA, NATO Fuqitë e Mëdha evropiane etj, të cilat çliruan Kosovën nga Serbia dhe vazhdojnë ta mbajnë në këmbë shtetin e brishtë të Kosovës”, deklaroi ai.
Qarri për gjithë këtë situatë të krijuar në veri, e fajëson Thaçin dhe Mustafën.
Ai kritikon marrëveshjet që këta të fundit nënshkruan me Serbinë, të cilat ishin në dëm të Kosovës dhe në kundërshtim me Kushtetutën e saj.
“Fajtorët kryesor për krijimin e gjendjes aktuale, janë partitë e inkriminuara me kryetarët e tyre të shantazhuar nga Serbia si kuislingu Hashim Thaçi dhe renegati Isa Mustafa, që përveçse lejuan dalldisjen e islamikëve ekstremist të cilët futën në përdorim edhe ligjin e DAJAKUT, duke rrah në vende publike me shkop kundërshtarët dhe dërguar edhe mese 400 shqiptar në organizatën terroriste ISIS, Thaçi e Mustafa nënshkruan edhe “zajednicën” serbe, dhe përkundër faktit se ajo bie në kundërshtim të plotë me më se 23 nene të Kushtetutës, shteti i Kosovës, nuk ka ngrit padi penale asnjëherë, kundër tyre.
Për aq më tepër, Isa Mustafa përveç keqpërdorimit të 3%-it, kundër të cilit duket se do të ngritët edhe aktpadi, ai nuk lë ditë pa trumbetuar dhe zhvillimet politike në vend, që janë pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve diletanteske të tij dhe të Hashim Thaçit, duke fajësuar jo Serbinë, për nxitjen e bandave kriminale, por Albin Kurtin për gjendjen katastrofale në veri”, theksoi analisti.
Në vazhdim, tha se kjo që po ndodh në veri të vendit, është një hakmarrje e hapur e vendeve evropiane, për shkak të turko-arabizimit të pandërprerë të Kosovës.
“Në aferën për shkatërrimin e shtetit të Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë fashiste, janë të ndërlidhura edhe partitë e inkriminuara vendore, veçanërisht nënshkrueset e “zajednicës” si dhe sivëllai i Aleksandër Vuçiqit, Edvin Kristaq Rama, qëllimi i të cilit, është që ndarjen e Kosovës, ta përdor si karrem për ndarjen e jugut të greqizuar të Shqipërisë Jugore dhe faljen e tij, shtetit Grek.
Pra kjo që aktualisht kohët e fundit po ndodhë në veri të vendit, është një hakmarrje e hapur e vendeve evropiane, për shkak të turko-arabizimit të pandërprerë të Kosovës prapa shpinës së shteteve euro-atlantike të cilat, para 23 vitesh e çliruan Kosovën nga Serbia, kurse sot solidarizohen me bandat e saj kriminale në veri”, nënvizoi Qarri.
Më tej, analisti potencoi se ka kohë që i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani që t’i drejtohen drejtpërsëdrejti presidentit Joe Biden për përfshirjen në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
“Dhe pikërisht shkaku i arabizimit të pandalshëm të Kosovës, tanimë, bandat kriminale serbe në veri, po gëzojnë edhe mbështetjen e KFOR-it dhe EULEX-it, që vije si vërejtja më serioze ndaj udhëheqësve të shtetit dhe partive politike të Kosovës.
Të gjithë ata, që edhe sot, e thonë të kundërtën, ose janë injorant të pandreqshëm, ose armiq të përbetuar të Kosovës, të cilët nën ombrellën e “fesë” dhe xhamizimit të vendit, duan tu dalin krah bandave kriminale serbe në veri, në mënyrë që bashkërisht, ta bëjnë punë të kryer shkatërrimin e shtetit të Kosovës.
Në fakt unë ka kohë që u kam bërë thirrje publike kryeministrit dhe presidentes së Kosovës, që t’i drejtohen drejtpërsëdrejti presidentit Joe Biden, ngase ka ndryshuar shumëçka nga qëndrimet e proklamuara në letrën e tij, për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, e cila parashihte njohjen reciproke”, shpjegoi ai.
Në fund, tha se ka ardhur momenti i fundit që Kosova të reagoi kundër rreshtimit luftarak në kufijtë verior dhe kërcënimeven të hapura ushtaraka serbe.
“Kosova e çliruar nga SHBA, NATO dhe vendet e BE-së, detyrimisht duhet të mbetet shtet evropian, ashtu siç ishte kur u sulmua Serbia nga NATO, përndryshe vendi ynë do të ndahet dhe pjesët më vitale të tokave tona, si Ujmani dhe Trepça do t’i kalojnë Serbisë, me arsyetimin, nga frika e vërshimit të ekstremizmit islamik edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Serbia duke qenë e sigurt se me financimin e islamizimit të Kosovës, pas 23 vitesh ka arrit ta fitojë mbështetjen e fortë të një pjese të madhe të faktorit ndërkombëtar, në vend se të tërhiqet nga aktet e rënda destabilizuese, përveçse vazhdon të nxis dhe përforcojë barrikadimin në veri, ajo ka vendosur edhe trupat e saj në rreshtim luftarak në kufijtë verior dhe kërcënon me intervenim të hapur ushtarak, për okupimin e veriut të Kosovës me dhunë”, u shpreh mes tjerash publicisti.