Kurti kërkoi shtim të ushtarëve të KFOR-it, analisti: Prushin e zjarrit serbo-rus në Kosovë, vetëm NATO e shuan përgjithmonë

Politika

Kurti kërkoi shtim të ushtarëve të KFOR-it, analisti: Prushin e zjarrit serbo-rus në Kosovë, vetëm NATO e shuan përgjithmonë

M.Lakna Nga M.Lakna Më 2 janar 2023 Në ora: 08:30
KFOR-i

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për “Die Ëelt”, ka kërkuar shtim të forcave të KFOR-it në Kosovë.

Ai ka thënë se shtimi i ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në Kosovë do të ndihmonin në paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonin sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.

Ai tha se Kosova ka rritur buxhetin për mbrojtje e po ashtu edhe numrin e ushtarëve rezervistë.

“Një rritje e numrit të ushtarëve në forcën paqëruajtëse të NATO-s, KFOR, do të mbështeste përpjekjet tona në aspektin e mbrojtjes”, theksoi Kurti.

Analisti Sylejman Mehazi e konsideron si të arsyeshme kërkesën e kryeministrit Kurti për shtimin e numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, duke thënë se rrezikshmëria nga Serbia e ndikimi rus në tërë Ballkanin u vërejt ditëve të fundit me ngjarjet në veriun e Kosovës.

“Kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për shtimin e forcave të NATO-s në Kosovë është e patjetërsueshme për paqën jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Se sa të rrezikshëm janë grupet kriminele serbe për të kallur prushin e luftës në veri të Kosovës e sa shpejt do mundte që lufta ruse nga Ukraina të përhapej edhe në Kosovë u verejt ditëve të fundit me barrikadat e kriminelëve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit. Këtë prush të zjarrit të luftës serbe-ruse në Kosovën mund ta shuajnë përgjithmonë vetëm forcat e NATO-s”, u shpreh ai.

Image
Sylejman Mehazi

Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i vetëdijshëm se hovin e cenimit territorial të Kosovës, Serbisë mund t'ia ndalin vetëm fuqia më e madhe luftarake e NATO-s.

“Shtimi i forcave të NATO-s nuk do binte paqën vetëm në Kosovë e në shtetet e Ballkanit Perëndimor, por do ndalonte edhe përhapjen e luftës ruse në gjithë Evropën, prandaj gjasat e shtimit të forcave të NATO-s nga ana e kryeministrit të Kosovës, Kurtit, mund të merren parasyshë, pasi vetë Republika e Kosovës është çliruar e krijuar nga NATO, dhe lirisht mund të themi se Kosova është republikë e pavarur e NATO-s në mes të Ballkanit, kjo argumentohet me bazën e fuqishme ushtarake të NAT0-s të Bondstillin në mes të Kosovës”, ka nënvizuar ai.

Ai theksoi se dallimi i Kosovës nga shtetet tjera anëtare të NATO-s është, se NATO është brenda Kosovës, kurse shtetet tjera me kërkesën e tyre kanë hyrë në NATO.

Kujtojmë se aktualisht në Kosovë janë rreth 3800 ushtarë të KFOR-it, rreth 70 gjermanë. Sipas një vendimi të Bundestagut gjerman, deri në 400 ushtarë shtesë mund të dërgohen me urgjencë në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat