Të premten, Policia e Kosovës njoftoi se dy persona janë plagosur në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës, një komunë e banuar me shumicë serbe, rreth 50 kilometra në jug të Prishtinës.
Sipas policisë, të plagosurit janë të moshës 11 dhe 21 vjeçare dhe u qëlluan me armë zjarri nga të dyshuar, nga një makinë që po lëvizte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Pasi të plagosurit ishin serbë, kishte reagime të shumta, edhe nga BE që e dënuan ashpër këtë sulm/incident.
Ky sulm ndodhi në një periudhë kur sapo u vendos liria e lëvizjes në komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, ku për rreth tri javë rrugët u mbajtën të bllokuara nga grupe qytetarësh serbë që protestuan ndaj arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve.
Kësisoj, u hodhën dyshime edhe për skenarë të ndryshëm, madje edhe u bë një krahasim me rasitin “Panda”.
Mirëpo, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” tha se nuk duhet gjykuar ky rast.
Ai kritikoi disa analistë që po bëjnë reagime qëllim këqia.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/January/07/auto_21673091453.jpg)
“Këtu nuk ka vend për teori konspirative. Dihet kush ka gjujtë ndaj kujt. Por, nuk duhet gjykuar motivin e as dashjen.
Sa është i papranueshëm sulmi, aq edhe reagimi qëllim keq që po bëjnë disa nga analistët tanë”, deklaroi ai.
Sipas tij, serbët nuk kanë qenë të rrezikuar asnjëherë në Kosovë, as nga shteti e as nga qytetarët shqiptarë.
“Serbët në Kosovën e lirë dhe të pavarur jo që nuk kanë qenë të rrezikuar, por të diskriminuar pozitivisht, madje edhe të toleruar në shkelje ligjore e veprimtari kundërkushtetuese ndaj Republikës së Kosovës.
As edhe një rast nuk ka ku janë sulmuar qoftë nga qyetarët shumicë e aq më pak nga shteti”, nënvizoi Halimi.
Ndër të tjera, shtoi se rasti i mbrëmshëm i ngjan një rasti vetëmbrojtës.
Pasi, bazuar edhe ne deklaratat dhe dëshmitë, dorasi është ndier i kërcënuar dhe nuk e ka drejtuar armën drejt pjesëmarrësve, mirëpo plumbi ka devijuar.
“Rasti i mbrëmshëm siç edhe po argumentohet nga vetë pala e të dëmtuarve i ngjan një rasti vetmbrojtjeje. Ngase sipas rrethanave, dorasi ka qenë i kërcënuar dhe rrezikuar nga turma e serbëve, me ç'rast për të shmangur sulmin nga ta, ka shtirë jo në drejtim të tyre, ndërsa nga devijimi i plumbave janë qëlluar aksidentalisht pjesëmarrësit e turmës së rrezikshme. Madje këtë vetë nëna e njërit prej të plagosurëve e tha.
Andaj, duhet pasur kujdes në reagimet sa për të reaguar, e zbardhja e rastit t'i lihet organeve kompetente”, përmbylli Armend Halimi për “Bota sot”./BS