“Momente delikate të vendimeve të mëdha”, analisti: Kjo gjë duhet t’i bëhet e qartë Serbisë nga SHBA për Kosovën

Politika

“Momente delikate të vendimeve të mëdha”, analisti: Kjo gjë duhet t’i bëhet e qartë Serbisë nga SHBA për Kosovën

M.Lakna Nga M.Lakna Më 12 janar 2023 Në ora: 17:53
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Këshilltari i lartë i DASh-it, Derek Chollet

Vizita e djeshme e Këshilltarit të lartë i DASh-it, Derek Chollet, në Kosovë po vlerësohet si mjaft e rëndësishme bazuar në situatën aktuale kur po bëhen përpjekje të vazhdueshme për përmylljen e dialogut me Sebrinë.

Mesazhi më i mirë i kësaj vizite ishte deklarata z. Chollet se mes ShBA-së dhe Kosovës mbesin shumë të forta.

Ai tha se presidenti Joe Biden, Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por edhe zyrtarë të tjerë kanë një histori të gjatë me Kosovën.

Chollet tha se “kemi kaluar një pjesë të madhe të jetës sonë profesionale duke u përpjekur të punojmë me Qeverinë dhe me njerëzit në Kosovë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”.

Ai tha se SHBA-ja ndan vizionin për të ardhmen e Kosovës multietnike, të pavarur, sovrane, të sigurt, prosperuese dhe demokratike, dhe “ndajmë vizionin e Kosovës për integrim të plotë në strukturat euroatlantike dhe evropiane dhe të marrë vendin e merituar si anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare”.

Vlen po ashtu të theksohet se Chollet potencoi tha se ShBA-ja e mbështet plotësisht dialogun dhe se sipas tij, dialogu është mjeti më i mirë për Kosovës që ta sigurojë të ardhmen euroatlantike, teksa përmendi edhe obligimet që ka marrë Kosova, me theks të veçantë, themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne mendojmë që kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Mendojmë që zhvillimet e fundit vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij. “Ne nuk përkrahim dhe nuk do të përkrahim diçka si Republika Serbe dhe nuk po i kërkojmë Kosovës të mbështes çfarëdo marrëveshje që nuk është në përputhje me Kushtetutën e vet dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015” sa i përket Asociacionit.”, është shprehur ai mes tjerash.

Por, a është hequr tërësisht rreziku për formimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive?.

Për analistin Gani Qarri, formimi i “Zajednicës” nga Qeveria Kurti do të ishte vetëvrasje për vazhdimësinë e Republikës së Kosovës.

“Intensifikimi i rolit të SHBA-ve, në ndërmjetësim, do të kishte kuptim, vetëm me ndryshimin e qasjes, pikësëpari të emisarit të lartë amerikan z. Gabriel Eskobar, ndaj Kosovës, përndryshe vetëm sa do të komplikohet edhe më tepër gjendja dhe vendi, për kohë të shkurtër, mund të mbetet edhe pa qeveri, ngase formimi i "zajednicës" nga Qeveria Kurti, jo vetëm që për momentin, nuk mund të parashikohet, por bosnjëzimi dhe krijimi i shtetit në shtet me një "zajednicë" brenda, do të ishte vetëvrasje për vazhdimësinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, aktualisht, fat në fatkeqësi, mund të konsiderohet vetëm deklarata e z. Chollet i cili thotë se SHBA, janë të përqendruara për një marrëveshje, që do ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, në mënyrë që Kosova të mund të avancojë në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

“Ndaj është koha e fundit, që jo vetëm ambasadori Hill, por edhe emisari i lartë amerikan Gabriel Eskobar të vetëdijesohen, disiplinohen urgjentisht, apo nëse është nevoja në këto momente delikate të vendimeve të mëdha, që pritet të arrihen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndihmën e SHBA-ve, Hill dhe Eskobar edhe të zëvendësohen me zyrtar të tjerë, më të arsyeshëm amerikan nga DASH, për bërjen të qartë Serbisë, se njohja e Kosovës është obligim për të dhe se pavarësia e shtetit tonë, nuk do të ketë kurrë më, kthim prapa, pasi që përmbyllja e dialogut me njohje të ndërsjellë, është me rëndësi dhe interes edhe për vet SHBA-të”, ka përfunduar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat