Situata në vend po vazhdon të jetë e mbushur me ngjarje të rëndësishme.
Duke filluar nga arritja e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë e deri tek kërkesa e Asociacionit.
Në lidhje me këto ngjarje, ka folur për “Bota sot”, profesori Muhamet Kelmendi.
Ai u shpreh se Kosovës gradualisht është duke iu bërë një presion i madh për të lëshuar nga sovraniteti i shtetit dhe për të dëgjuar UE-n në dialog me shtetin serb.
“Liberalizimi i vizave në kuadër të shteteve të "Shengenit" realizohet në bazë të kushteve konkrete. Mirëpo për Kosovën rrjedh kryesisht nga fakti se mbi Kosovën gradualisht është bërë presion i madh për të lëshuar nga sovraniteti i shtetit dhe për të dëgjuar UE-n në dialog me shtetin serb. Kjo formë e presionit është bërë nga koha kur Kuvendi i Kosovës e shpalli Kosovën në shtet të pavarur dhe sovran”, u shpreh ai.
Profesori tutje shton që Serbia ka përfituar në arenën ndërkombëtare më shumë se sa Kosova, ani pse ajo ka dëmtuar vendin tonë duke kryer gjenocid.
“Filluan diskutimet me shtetin serb me ndërmjetësim nga UE-a për cështje teknike dhe tash në vitin 2023 po bëhet presion edhe për të diskutuar me shtetin serb për status të Kosovës. Politikanët e caktuar nga UE për ndërmjetësim, si z.Borrell, ashtu edhe z.Lajçak, kurrë nuk e kanë përmendur në dialog Kosovën si shtet. Kosova nuk është ende anëtare e Parlamentit Evropian. Kjo, në njërën anë për Kosovën, ndërsa në anën tjetër, Serbise iu liberalizuan vizat dhe u bë kandidate e UE. Tamam sikur Serbia të kishte qenë e pushtuar nga Republika e Kosovës. U shku deri atje saqë për Kosovën u formua Gjykata Speciale, ndërsa për shtetin kriminal serb, që i kushtoj Ballkanit mbi 300 mijë njerëze të vrarë nga Serbia nuk u bë ndonjë Gjykatë Speciale. Tash po insistohet të krijohet edhe një Republikë serbe me Asociacion në Kosovë”, shpjegon profesori.
Në fund, ai thotë se duket qartë se e tërë pozita e Kosovës lidhet me dialogun me shtetin kriminalo-terrorist serb dhe me lëshimet që kërkohen të bëhen ndaj Serbisë nga Kosova.
“Në Serbi a në veri të Kosovës kemi kriminelët terrorist serb? Faktet flasin se në Serbi. Pse, pra! Thjeshtë: Frika për front të dytë, atë serbo-rus në Ballkan. Përgjigje tjetër nuk ka. Këtu është edhe fakti pse nuk janë liberalizuar vizat për Kosovën dhe, se këndejmi vijnë edhe formimi i Gjykatës Speciale, mos fitimi i statusit të kandidatit për Kosovën në UE dhe shumë çështje tjera. Duket qartë se e tërë pozita e Kosovës lidhet me dialogun me shtetin kriminalo-terrorist serb dhe me lëshimet që kërkohen të bëhen ndaj Serbisë nga Kosova. Edhe viti 2024 i deklaruar për liberalizim të vizave për Kosovën do të varet nga dialogu dhe marrëveshja me shtetin serb. Fakte tjera nuk ka”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.