Formimi i Acociacionit është thirrja kryesore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-së në drejtim të Kosovës.
Ky Asociacion për të cilin po kërkohet që të formohet, duhet të jetë sipas ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës.
Kështu janë thirrjet prej vendeve perëndimore, të cilat e kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin shtetin e Kosovës.
Për t’u formuar Asociacioni nga Kosova, kryeministri Albin Kurti ka dhënë gjashtë kushte.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila është mbajtur të enjten, Kurti ka folur edhe për propozimin franko-gjerman.
Ai ka thënë se, është i gatshëm qё sa mё shpejtё qё ёshtё e mundur tё arrijnë dakordimin final rreth propozimit franko-gjerman.
“Kёtё propozim ne e shohim si bazё tё mirё për diskutime të mëtutjeshme dhe jemi tё interesuar tё punojmё sa mё intenzivisht qё i njëjti tё finalizohet dhe nёnshkruhet nga palёt”, është shperhur Kurti.
Ai ka kërkuar nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, z. Josep Borrell, qё sa mё parё tё ftojë nё takime tё rregullta e tё shpeshta nё mёnyrё qё tё avancojmё drejt finalizimit
“Unё si gjithnjё deri mё tani jam i gatshёm qё me konstruktivitetin maksimal tё kontribuoj nё gjetjen e zgjidhjes mё tё mirё tё mundshme dhe po ashtu tё sigurohemi pёr mekanizma qё garantojnë implementim tё plotё tё saj”, ka thënë ai.
“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet të garantojë edhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe mekanizmat përkatës institucionalë. Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat por i mbron ato si vlerë themelore e i ruan ato si pasuri shoqërore. Normalizimi i jashtëm i marrëdhënieve duhet t’i kontribuojë normalizimit të brendshëm të shteteve”, është shprehur kryeministri Kurti.
Në lidhje me këtë çështje, profesori dhe analisti politik, Sulejman Mehazi thotë se, shumë më e rëndësishme për BE-në e ShBA-në, por edhe për Kosovën është që plani franko-gjerman të realizohet me njohje reciproke, sesa asociacionet e pakicave serbe.
Sipas tij, thelbi apo qendra e gjithë bisedimeve në Bruksel do jetë njohja reciproke dhe gjatë afateve përkufizuese dhjetëvjeçare rrjedha e veprimeve dhe detyrimeve politike, ekonomike, arsimore, diplomatike dhe të drejtave të serbëve dhe pakicave tjera do jenë permanete.
“Problemin e zhurmshëm të asociacioneve serbe e kanë bërë mediatike e primare vetë Prontot që e kanë nënshkruar asociacionet problematike serbe, më 2015. Nuk e dimë se nga vjen ky panik e trishtim i asociacioneve serbe kur deklaratat e qarta dhe decide të SHBA-ve janë për asociacionet serbe, por në kuadër të kushtetutës së Kosovës, dhe kaq”, thotë Mehazi për gazetën “Bota sot”.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/February/03/auto_850x636_auto_sulejman-mehazi-620x330162356916716634097471675416263.jpg)
Ai thotë se, problemi më kryesor i planit franko-gjerman është njohja reciproke, dhe nëse ndodh që Serbia ta njohë Republikën e Kosovës, çdo gjë do të shkonte në vendin e vetë.
“Themi kështu për shkak se me njohjen e Kosovës, Serbia vetëvetiu do jetë e detyruar të shkëput Kosovën nga kushtetuta e saj, me largimin e Kosovës nga kushtetuta serbe me automatizëm pakica serbe do mbetet e lidhur me Kosovën dhe e larguar nga Serbia, jo vetem kaq, por do të merrte fund ekspanzionizmi qindvjeçar i serbëve ndaj territorit të Kosovës”, thotë ai.
Ai shton se, po bëhet zhurmë se 5% i serbëve do rrezikonte 90%-shin e shqiptarëve të Kosovë.
“S'ka pse të frikohemi prej 5% të serbëve, pasi dhe forca e tyre politike, ekonomike e nacionale do jetë me këtë përqindje. Shkurt e qartë, me njohjen reciproke marrin fund dëshirat serbe në Kosovë”, përfundon Sulejman Mehazi.
Ndërsa, kryeministri Kurti, ka folur edhe për qëndrimin e Qeverisë në lidhje me marrëveshjen e 19 prillit 2013 në Bruksel.
“Asociacioni i Komunave i dalur në parim nga marrëveshja e Brukselit Thaçi-Daçiq apo marrëveshja e parë e parimeve siç njihet ndryshe, si një mekanizëm i tillë, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës, me këto kushte:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”, ka theksuar kryeministri Kurti të enjten në Kuvendin e Kosovës.