Pozita dhe opozita me akuza të ndërsjella rreth dialogut me Serbinë, larg unitetit dhe bashkëpunimit

Politika

Pozita dhe opozita me akuza të ndërsjella rreth dialogut me Serbinë, larg unitetit dhe bashkëpunimit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 shkurt 2023 Në ora: 19:11
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Tashmë dihet se ekziston një angazhim më i madh i bashkësisë ndërkombëtare (BE dhe SHBA) për përshpejtimin e negociatave Kosovë-Serbi.  

Por mbetet ende pikëpyetje nëse gjatë vitit 2023 ky dialog do të përfundojë me arritjen e një marrëveshjeje finale. 

Ndërkombëtarët presionin për vazhdimin e dialogut e kanë koncentruar në dy çështje, atë të themelimit të Asociacionit dhe pranimit të planit franko-gjerman. 

Këto dy tema kanë qenë më të përfolurat, për çka edhe kishte vizita nga emisarët ndërkombëtarë në Prishtinë dhe Beograd. 

Këto zhvillime në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi po përcollën me debate e reagime të shumta. 

Së fundi, në Kuvendin e Kosovës u mbajt një seancë parlamentare në të cilën kryeministri Albin Kurti raportoi për bisedimet me Serbinë. 

Opozita kishte kritika të mëdha dhe kundërshtime të ndryshme, me ç’ rast kishte edhe përplasje mes dy taborreve politike. 

Siç duket, partitë opozitare nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë bashkëpunimi dhe koordinimi me qeverinë as për tema me rëndësi të madhe, siç është ajo e dialogut me Serbinë. 

 Batusha: Ne si mazhorancë jemi të gatshëm të dëgjojmë propozimet e opozitës 

 E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli deputeti i LVV-së, Agon Batusha. 

Fillimisht, duke marrë parasysh fazën në të cilën gjendet dialogu me Serbinë, ai kërkoi një unitet të spektrit politik në Kosovë. 

“Në të tilla raste, ku po dialogohet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe finale, më e pakta që spektri politik i vendit mund të bëjë është që të jenë të bashkuar, të njëzëshëm dhe unik, si në qëndrime ashtu edhe në artikulim”, deklaroi deputeti i LVV-së. 

Image
Agon Batusha

Sipas Batushës, Kurti ka bërë përpjekje të mjaftueshme për  bashkëpunim me opozitën, por që kjo e fundit ka diskurse të ndryshme në publik dhe ndryshe privatisht. 

“Kemi parë hapa konkret nga kryeministri në përpjekjet e tij për unitet, por nuk është parë i njëjti vullnet nga subjektet opozitare. Qëndrime dhe diskurse ndryshe prapa dyerve, dhe çuditërisht ndryshe në publik”, theksoi ai. 

 Po ashtu, deputeti i LVV-së u shpreh i hapur për bashkëpunim dhe diskutim me partitë opozitare, por kërkoi nga ato që të kenë qëndrimet dhe ide të qarta dhe jo të bien më pas në kundërshtim me njëra-tjetrën. 

"Ne si mazhorancë jemi të gatshëm të dëgjojmë propozimet e opozitës, por së pari mendoj që do duhej të qartësohen mes vete se cili është qëndrimi i tyre sepse jo rrallë herë qëndrimet e presopozuara të tyre janë në kundërshtim apo në kundërthënie me të njëjtat qëndrime që kanë mbajtur në vazhdimësi. Më shumë duken improvizime të përkohshme duke ia përshtatur rrethanave politike se sa strategji apo ide e sugjerime të qarta për interesa shtetërore.  

Jam i bindur që kryeministri nuk është vetëm. Ajo që është e rëndësishme është vullneti i qytetarëve dhe qytetarët janë të qartë në këtë pikë”, përfundoi Agon Batusha për “Bota sot”. 

 Berisha: Opozita nuk ka asnjë detyrim ndaj Kurtit 

 Zyrtari i LDK-së, Anton Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me gazetën “Bota sot” kritikoi kryeministrin Kurti dhe qasjen e tij ndaj aleatëve ndërkombëtar për dialogun me Serbinë. 

 Ai u shpreh se Kurti ka shkelur platformën e Rugovës, për këtë shkak opozita nuk ka detyrim ndaj tij. 

 As pozita as opozita nuk ka çfarë të propozojnë pasi që propozimi i shqiptarëve është bërë në vitet ‘90ta, nga dr. Rugova, Kosova shtet i pavarur, demokratik dhe në miqësi me SHBA dhe shtetet evropiane. Albin Kurti e ka shkelur këtë platformë, prandaj opozita nuk ka asnjë detyrim ndaj tij”, deklaroi zyrtari i LDK-së. 

Image
Anton Berisha

Krahas kësaj, Berisha kërkoi që kryeministri të izolohet nga vendimmarrja pasi po vepron në shpërputhje me platformën shqiptare për integrimin në familjen evropiane. 

“Opozita jo vetëm politike, por në nivel kombëtar duhet ta izolojë Kurtin nga çfarëdo kompetence vendimmarrëse, pasi që ai ka dëshmuar se është në shpërputhje me platformën shqiptare për integrimin e shtetit të Kosovës në familjen europiane”, përfundoi Anton Berisha për “Bota sot”. 

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e BE-së. Pritjet janë që negociatat të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë pozicione krejtësisht të skajshme. 

Kosova kërkon njohje të ndërsjellë, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi, pa e specifikuar se çfarë saktë do të thotë ai kompromis. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat