“Tani po zbulohen lakuriq”, eksperti i sigurisë alarmon ‘nëntokën’ kriminale: Luftimi do të jetë i pamëshirshëm!

Politika

“Tani po zbulohen lakuriq”, eksperti i sigurisë alarmon ‘nëntokën’ kriminale: Luftimi do të jetë i pamëshirshëm!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 15 shkurt 2023 Në ora: 22:53
Albin Kurti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, javën e kaluar e kanë miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ligji ka marrë përkrahjen e 66 deputetëve për miratim.

Miratimin e këtij ligji e ka përkrahur fuqishëm edhe ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Tërnava për gazetën “Bota sot”, thotë se Qeveria në pushtet, e cila po i ushtron kompetencat e saja në luftimin e krimeve në përgjithësi, që mbi një vit e gjysmë, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, e cila është duke u marrë me ato çështje të rëndësishme të luftimit të krimit në përgjithësi që po i interesojnë edhe popullit janë veprime mjaftë të suksesshme dhe të duhuar.

Sipas tij, edhe aksionet që janë ndërmarr deri më tani kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit siç ka ndodhur nga Ministria e Bujqësisë por edhe rasti i Brezovicës dhe shumë gjëra të tjera, janë pozitive.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava thotë se, me miratimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë, dhe atë të vettingut që pritet të ndodhë, luftimi i krimit dhe korrupsionit do të jetë i pamëshirshëm.

“Se krimi i organizuar po mbrohet dhe po avokohet nga institucionet që duhet ta luftojnë dhe parandalojnë atë, këtë fakt më nuk mundet ta mohon dhe konteston askush”, thotë ai.

“Tani po zbulohet lakuriq lidhja e ngushtë e prokurorisë me krimin e organizuar, pikërisht tek metodologjia e qëllimshme e ngritjes së aktakuzave të para planifikuara për dështim, në marrëveshje me palët e përfshira në krim”, potencon ai.

Tërnava përmend edhe rastin që Kosova ende është pa Kryeprokuror.

“Vetë fakti që tani jemi pa Kryeprokuror e që nuk po zgjidhet ende, prandaj kjo po ndodhë që akoma nuk e kemi asnjë rast të prokurorit të degraduar, përjashtuar apo në çfarëdo forme të dënuar, për shkak të dështimit në mbrojtje dhe dokumentim të plotë të aktakuzës, sidomos në rastet që kanë të bëjnë për korrupsionin dhe krimin e organizuar”, pohon Tërnava.

Prandaj, ai shton se, pasi të fillon jetësimi i ligjit për vetting dhe konfiskim të pasurisë, do të fillojë spastrimi i institucioneve nga personat që ishin të lidhur me krimin.

“Pastaj, nga ato momente që do të nominohen njerëz të pastër në ato poste të luftimit të krimit, nga ato momente do të vërehen edhe sukseset e të arriturave që po i pret populli, prandaj nuk është tani kohë e largët se deri kur do të tolerohet kjo formë e hapur e lidhjes së prokurorisë me kontrabandën dhe nëntokën e krimit, duke ndërtuar aktakuza të qëllimshme të dobëta që paraprakisht dihet se do të përfundojnë në shportë për shkak të dështimit”, shton ai.

Sipas tij, pa një spastrim të institucioneve nga ata njerëz të kriminalizuar, nuk mund të presim rezultate të dëshiruara.

“Prandaj shpresat janë se shpejtë tani do të ndodhë që me një luftim të pamëshirshëm kundër të gjitha të këqijave edhe qytetarit do t’i kthehet shpresa për të jetuar në këtë vend, që për momentin e kësaj gjendje, një masa e madhe, e konsiderueshme e populli po i kërkojnë mundësit më të përshtatshme se si me ikë nga ky vend kaq i kriminalizuar”, përfundon Hajrullah Tërnava.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat