Veprimtari i LDK-së, Halil Geci thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke u munduar të nxjerrin Kosovën nga humnera të cilën e kanë futur ish qeveritarët.
Geci i drejtohet Amerikës se populli i Kosovës më nuk i beson askujt.
Sipas tij, vetëm referendumi e shpëton Kosovën nga Zajednica me kompetenca ekzekutive dhe e qetëson situatën.
“Kush nga liderët e opozitës munden ta kapërcejnë situatën të cilën e kanë krijuar vetë….!?? Askush!? Të shtiturit e territ tinëz me Vuçiqin e kanë emrin opozitë. Ata natën kanë mbetur me barrë e sot po pjellin në pikë të ditës, me kumbareshen Mogerini e me garantus Grenellin. E sot s’po mundohen të fshehin kopilin e nënëshkruar te ofiçari me emrin “Zajednicë” së bashku me Aleksandër Vuçiqin, Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Lutfi Hazitin e Agim Veliun”, thotë Geci.
Sipas tij, sot tradhtit e nënshkruara nga ta po i kushtojnë atdheut me zhbërje duke shkelur gjakun e derdhur për liri, duke e shkelur Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ku i jep Kosovës të drejtën për vetëvendosje.
“Ndërkombëtarët duhet ta dinë se këta nuk janë Kosova, nëse është nevoja bëjmë edhe referendumin popullor për ta marrë vendimin nga sovrani, a duhet apo nuk duhet “Zajednica”…! Ndërkombëtarët gjithashtu duhet ta dinë se fillimi i zhbërjes së Jugosllavisë ka filluar nga Serbia dhe ende nuk kanë mbaruar synimet e Serbisë të madhe me parullen aty ku është një serb, aty është Serbi”, thotë Geci për “Bota sot”.
Veprimtari i LDK-së, pohon se, qëllimi i Serbisë ishte organizimi i serbëve jashtë Serbisë, konsolidimi i kontrollit të Partive Demokratike Serbe (SDS), dhe përgatitja e armëve dhe municioneve në një përpjekje për të krijuar një vend ku "të gjithë serbët me territoret e tyre do të jetonin së bashku në të njëjtin shtet".
“Një grup i veçantë i operativëve të fshehtë dhe oficerëve ushtarakë u ngarkua për zbatimin e planit. Këta njerëz më pas ndërmorën aksione të shumta gjatë luftërave Jugosllave që më vonë u cilësuan si spastrim etnik, shfarosje dhe gjenocid. Ndërkombëtarët duhet ta ndalojnë njëherë e mirë Serbinë, shansa për ta ndaluar është o sot, o kurrë”, shton ai.
Sipas tij, së bashku me Serbinë duhet të ndalojnë edhe ata që nënshkruan “Zajednicën” me kompetenca ekzekutive.
“Populli i ka ndaluar me votë, ndaloni edhe ju mos i përkrahni. Prandaj rendi është që ju ndërkombëtarë t’ua mbyllni derën që t’mos pyetën të njëjtit për Kosovën, ata që dje e shitën dhe e tradhtuan atdheun, sot nuk munden të jenë ndryshe pos tradhtarë të atdheut”, përfundon Halil Geci.