Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish numri dy i qeverisë Kurti 1, Haki Abazi, të premten ka shpërthyer me akuza në drejtim të partisë dhe ish shefit të tij, Albin Kurti.
Sipas Abazit, Kurti po kërkon njerëz që duan ta rrëzojnë, por ai nuk është votë kundër qeverisë.
“Z. Kurti mendon që unë do të hidhërohem shumë dhe do të bëhem pjesë e atyre që duan ta rrëzojnë nga qeveria. Dy vite pas marrjes së mandatit, Z. Kurti është në kërkim të atyre që duan ta rrëzojnë nga qeveria. Unë e përsëris edhe sot që nuk jam votë kundër Qeverisë Kurti dhe nuk do ta bëj Qeverinë Kurti viktimë për t’u larguar. Tani kemi këtë kombinacion politik në Kosovë. Opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë Kurti, Grenelli nuk ekziston më. Escobar nuk është njeriu që mund të krahasohet me Grenell-in. Asnjë interes të vetëm nuk e ka askush racional që të rrëzojë Qeverinë Kurti… As unë e asnjë deputet tjetër me integritet brenga GP të LVV-së nuk është i interesuar të rrëzojë Qeverinë Kurti”, tha Abazi, sipas të cilit, është dhënë urdhër nga Albin Kurti për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë.
E pas deklaratave të deputetit Abazi, analisti politik Nexhat Haziri thotë se është edhe një dëshmi e përçarjes që ekziston brenda Vetëvendosjes.
“Përçarjet brenda VV-së tashmë janë evidente dhe këto vijnë si pasojë e një grumbullimi njerëzish që përveç interesave personale, grupore dhe agjendave të tjera, nuk kanë ndarë një ideologji të përbashkët dhe nuk kanë qenë në harmoni me konceptin politik dhe programor të LVV-së, duke shndërruar këtë të fundit në një organizatë vështirë të definuar”, thotë Haziri për “Bota sot”.
Më tej, ai thotë se akuzat e Haki Abazit janë pranuar në heshtje nga struktura e Vetëvendosjes.
“Rasti i Haki Abazit, nuk do të jetë i fundit dhe akuzat që tashmë ai po i adreson në lidershipin e kësaj partie nëse mund ta quajmë të tillë, janë akuza plotësisht të qëndrueshme, por që janë pranuar në heshtje dhe nuk janë kundërshtuar deri në momentin kur vet z. Abazi i ka humbur pozicionet e tij afër Kurtit, apo ato që edhe ia ka "ëndërruar" që do t'i ketë”, shprehet Abazi”.
“Pas z. Abazit pritet që kjo përçarje të thellohet edhe më shumë me grupin e atyre deputetëve që përfaqësojnë islamin politik brenda VV-së, por edhe individ të tjerë që tashmë shihen si të parëndësishëm dhe pa pozicione në qeverinë e VV-së por edhe brenda strukturës së saj”, nënvizon analisti Haziri.
Sipas Hazirit, një grup që po ndikon në përçarjen brenda VV-së është grupi nga Tirana.
“Tutje mendoj se kësaj përçarje brenda të majtës, po i kontribuojnë fuqishëm i ashtuquajturi "Grupi i Tiranës" që tashmë e ka marrë si detyrë brenda LVV-së që t'i luftojnë të gjithë ata që kanë një mendim ndryshe dhe t'i mbajnë sa më larg liderit të tyre z. Kurtit, dhe është fakt si ky grup ka ndikim të fortë jo vetëm brenda LVV-së por edhe në politikat qeveritare, gjë që paraqesin një degradim politik jo vetëm për LVV-në, por edhe për vet vendin, dhe këto veprime të tyre ngjallin dyshime për agjenda të tyre që nuk janë në interes të Kosovës”, thekson Haziri.
“Nuk mendoj se përmes kësaj përçarje po synohet rrëzimi i Kurtit dhe i LVV-së nga pushteti pasi këto janë rezultat i zhvillimeve të brendshme dhe nuk shohë se ka ndonjë ndërhyrje nga jashtë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.