Edhe dy ditë na ndajnë që nga takimi i kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Fillimisht kryeministri Albin Kurti do të mbajë takim të ndarë me Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, pastaj do të jetë takimi i përbashkët me presidentin serb.
Raportohet se në këtë takim do të diskutohet rreth planit franko- gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, ndërsa një vend i Kosovës ka një “kërkesë të veçantë”.
Fshati Karaçevë i Kamenicës, fshat ky në afërsi të kufirit me Serbinë kërkon të përfshihet në bisedime.
Përfaqësuesi i fshatit, Selver Lenjani, ka treguar për “Bota sot”, se kanë bërë kërkesë në instanca më të larta të Republikës për t’u bërë pjesë e tryezës së bisedimeve.
Sipas Lenjanit, kjo kërkesë vjen për shkak të pretendimeve të Serbisë për ta shkëputur atë pjesë të fshatit.
“Ne kemi kërkesë për instanca më të larta të Republikës së Kosovës, duke filluar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjfuca. Të nderuar, brezi kufitar Karaçeva ka kërkesë që në bisedimet Kosovë- Serbi që po mbahen në Bruksel, të jetë edhe Karaçeva në tryezë. Kjo për shkak se banorët e brezit kufitar prej vitit 2001 e deri më sot, mendojmë se shteti fqinjë Serbia pretendon ta shkëput këtë pjesë të fshatit Karaçevë, të Kosovës”, ka deklaruar Lenjani.
Përfaqësuesi i fshatit Karaçevë, ka treguar çfarë ndodh nëse shkëputet ajo pjesë, gjersa ka shtuar se Kosova nuk ka tokë t’i falë askujt.
Lenjani ka kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve për problemin e tyre.
“Nëse shkëputet, mbi 170 pronar i humbin tokat e stërgjyshërve, tokën shqiptare, iliriane, e Dardane. Karaçeva nuk ka tokë t’i falë askujt, e as Kosova nuk ka t’i fal askujt. Ne lusim delegacionin kosovar e shtetëror këtë ta paraqet në tryezën e bisedimeve edhe pse kemi dokumente valide e kadastrale, edhe me harta topografi, gjeografike, e të gjitha dokumentacionet që kemi të drejtë. E drejta është në anën tonë të banorëve të brezit kufitar të Karaçevës. Në Karaçevë nuk kemi njerëz që ta shtrojnë këtë problem, sepse sot e mbrojmë tokën e Kosovës me komplet miqtë ndërkombëtarë. Kërkojmë të na ndihmojnë edhe në vazhdimësi dhe ju jemi mirënjohës, sepse pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar edhe ne qytetarët e Kosovës nuk do të ishim këtu ku jemi”, ka shtuar Lenjani.
Kujtojmë, se banorët e fshatit Karaçevë vazhdimisht kanë pasur frika të atilla, kjo edhe për shkak se në atë pjesë vazhdimisht hyn xhandamaria e armatosur serbe.