Agresioni rus në Ukrainë ka ndryshuar politikat botërore, kjo pasi ka ndikuar në forma të ndryshme në disa shtete.
E natyrisht, pasojat e kësaj lufte, kanë ndikuar edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku marrëdhëniet Kosovë-Serbi u tensionuan edhe më shumë.
Kjo gjë, ka bërë që ndërkombëtarët të merren më seriozisht me dialogun Prishtinë-Beograd, me qëllim që të parandalojnë një konflikt të ri, pasi dihen se Serbia e ka ‘dorë të djathtë’ Rusinë.
Mehmet Zenka, deputet shqiptar në Mal të Zi, njëkohësisht kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve (DUA) për gazetën “Bota sot” komentoi ndikimin rus në Ballkan dhe bashkëpunimin Rusi-Serbi.
Fillimisht, ai u shpreh se pas luftës në Ukrainë, janë rritur tensionet në Ballkan e veçanërisht në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

“Me agresionin e Rusisë në Ukrainë dukshëm tensionohet situata edhe në Ballkan (Bosnjë, MZ dhe Kosovë). Jeta dhe eksperienca jonë shekullore na mëson që asgjë e mirë nuk mund të vijë nga politikat të cilat qorrazi ndjekin dhe janë zbatuese të programeve megalomane ruso-serbe dhe të cilat nuk ndryshojnë veçse ndërrojnë emërtimet, ndërsa qëllimet e tyre janë të njëjta”, deklaroi ai.
Po ashtu, Zenka tha se është në interes të Putinit të trazohen ‘ujërat’ në rajonin e Ballkanit, pasi shtetet e tij i përdor për pazare të ndryshme.
“Interesi i Rusisë është që të turbullohen ujërat në Ballkan sepse kurdoherë që Rusia e kishte ngushtë ajo këto territore i përdorte si xhokera për pazare të ndryshme (ku gjithmonë shqiptarët e pësonin). Këtë situatë e kemi edhe tani ku shohim që politika e të ashtuquajturës Bota Serbe është zgjuar nga pasiviteti dhe në mënyrë agresive cenon shtetin e Malit të Zi, Bosnjës dhe në veçanti Kosovës.
Propaganda dhe makineria e tyre bën çmos vetëm dhe vetëm t’i mbajë gjallë ndjenjat fashisoide dhe ekspansioniste”, theksoi deputeti shqiptar.
Më tej, ai kritikoi ashpër qasjen dhe sjelljen e presidentit serb.
Sipas tij, Vuçiq po tenton ta realizojë ëndrrën shekullore të Serbisë.
“Sjellja e Vuçiqit është në përputhje me politikën dhe qëllimet e tij për një Serbi prej Virovitiçe deri në Karrllobag (doktrina e Sheshelit).
Pas Bosnjës, Vuçiqi shënjestroj Malin e Zi, ku me një agresivitet sulmon gjitha institucionet shtet formuese me qëllim që të zhbëhet shteti i Malit të Zi dhe të sigurojë (realizojë) ëndrrën shekullore të Serbisë gjegj. daljen në Adriatik", u shpreh Mehmet Zenka për "Bota sot".