Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, sot në një konferencë për media ka folur lidhur me marrëveshjen e Ohrit, dhe se Kosova e Serbia duhet të zbatojnë atë për çfarë janë pajtuar, në të kundërt do të ketë pasoja.
Stano tha se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është obligimi politik që të dyja palët morën përsipër dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga to.
“Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin. Kjo është ajo për çfarë jemi pajtuar. Ky është obligimi politik që të dyja palët morën dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga ato”, tha zëdhënësi i BE-së në konferencës e së martës.
“Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që të zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit.
Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj”.
Reagimi i BE-së vjen pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka deklaruar se do të zbatojnë një pjesë të marrëveshjes.
Analisti politik, Sulejman Mehazi, thotë se BE duhet të merret vesh me Vuçiqin për mos zbatimin e neneve.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/April/11/auto_mehazi1681232925.jpg)
“Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, në RTS-në për zbatimin e pjesërishëm e jo të plotë të marrëveshjes evropiane në Ohër nuk ka të bëjë me kryeministrin Kurtin, por me BE-në e SHBA-së, pasi plani franko-gjerman është i tyre e jo i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, le të binden edhe evropianët se me çfarë lloj sortesh politike ka pasur punë kryeministri i Kosovës gjatë dialogut me Serbinë. BE-ja le të merret vesh me Vuçiqin për mos zbatimin e 11 neneve të marrëveshjes së Ohrit për shkak se qëndrimet e Kurtit janë të qarta, të pastër, e në pajtueshmëri të plotë me marrëveshjen, pasi presidenti i Serbisë është në kundërshtim me dakordimin e plotë të planit franko-gjerman e jo Kurti”, thotë Mehazi.
Sipas tij, Serbia duhet të ballafaqohet me sanksione nga BE dhe SHBA, nëse nuk zbatojnë marrëveshjen në tërësi.
“Nëse Vuçiqi ka vendosur të zbatojë disa pjesë që i konvenon Serbisë e pjesët tjera, jo atëherë duhet të ballafaqohet me sanksione të mëdha nga BE-ja e SHBA-të. Jo vetëm kaq, por nga inatet e Vuçiqit ndaj zbatimit të tërësishëm të pikave evropiane do fitonte politikisht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili problemin e Kosovës me Serbinë ua ka hedhur Borellit, Lajçakut, Eskobarit dhe këshilltarëve francez e gjerman, vetë ata le të çajnë kokën me nacionalistët e padëgjueshëm e të pa cipë serbë. Zbatimi i pjesërishëm i marrëveshjes nga Vuçiqi i bën mirë kryeministrit të Kosovës, për shkak se Kurti është zotuar para evropianëve dhe amerikanëve për zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes evropiane në Ohër, në këtë rast kryeministri i Kosovës do jetë vetëm spektator para aktorëve të BE-së e Serbisë për zbatimin e tërësishëm të pikave në Ohër”, përfundon Mehazi.
Ndryshe, Stano në konferencë ka thënë se nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.
“Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare”, është shprehur ai.