Gjykata Kushtetuese publikoi dje vendimin me anë të të cilit ka rrëzuar pretendimet e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës (PRBK), e përfaqësuar nga Albert Kinolli, dhe Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), e përfaqësuar nga Veton Berisha, se ata kishin mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 për shkak të orkestrimeve nga partitë e tjera.
Kinolli e Berisha kishin pretenduar se kundërkandidatët e tyre nga komunitetet kishin marrë më shumë vota sesa që kishte banorë të këtyre komuniteteve në vendbanime respektive.Ata kishin kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme.
“Thelbi i konstatimit të Aktgjykimit: Vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit”, thuhet mes tjerash në vendimin e Kushtetueses që e hedh poshtë kërkesën e Kinollit dhe Berishës.
Miratimin e mundëshëm të kësaj ankese të dy subjekteve politike disa juristë e konsideronin edhe si mundësi për rrëzimin nga posti të Presidentes Vjosa Osmani, derisa më e zëshmja në këtë drejtim ishte opozita.
E këtë situatë për gazetën “Bota sot” e ka komentuar publicisti Binak Maxharraj. Ai ka ironizuar me opozitën që sipas tij po “mban zi” për shkak se s`ia arriti qëllimit për rrëzimin e Osmanit.
“Dje qytetarët në tërë Kosovën kanë qenë të habitur kur kanë pare flamujt në gjysmë shtize të vendosur në të gjitha selitë e partive politike të opozites në Prishtinë dhe në të gjitha qytetet e fshatrat e Kosovës.
Të gjithë ishin të shqetësuar se a mos ka vdekur ndonjë lider i opozitës?!
Por, jo të gjithë janë me shendet të mirë, por shumë te brengosur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Mu për këtë ajo ditën e djeshme e ka shpallur “ditë zie”për arsye se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë si të pabazë kerkesën e Albert Kinollit të Partisë Rome dhe Veton Berishës nga Partia Liberale Egjiptine lidhur me vleresimin e kushtetushmerisë së Aktgjykimit të 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme te Kosovës.
Por është interesant se opozita e ka pritur me padurim që dy vite rrëzimin e Presidentes Vjosa Osmani e se bashku me të edhe të qeverisë Kurti.
Por nuk ia dolën”, ka ironizuar Maxharraj.
Maxharraj ka sugjëruar opozitën që për këtë çështje të ankohet edhe në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë, e cila e njeh Kosovën si pjesë të kushtetës së saj.
Kjo sepse sipas tij, opozita në Kosovë mban anën e Serbisë kundër kryeministrit Kurti.
“Por dëshira e opozitës nuk u realizua sespe Presidentja Osmani ishte zgjedhur në menyrë të rregullt dhe kështu ajo qetësisht e vazhdon punën e saj në shtetndërtimin e Kosovës.
Opozites se mjerë i ka mbetur vetem edhe një gjë: Që të ankohet në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë sepse atje Kosova është si pjesë “përbërëse” e Serbisë të cilën opozita asnjëherë zëshëm nuk e ka kundërshtuar e as kërkuar që të hiqet, por përkundrazi ia ka mbajtur anën Vuçiqit për rrëzimin e qeverisë Kurti e cila i është bërë halë në sy si Opozitës, po ashtu edhe Vuçiqit”, ka përfunduar ai.