Eksperti i sigurisë zbulon “lëvizjen” e Vuçiqit për zgjedhjet në veri, paralajmëron incidente të kontrolluara nga ky politikan

Politika

Eksperti i sigurisë zbulon “lëvizjen” e Vuçiqit për zgjedhjet në veri, paralajmëron incidente të kontrolluara nga ky politikan

Nga: A.Zh Më: 22 prill 2023 Në ora: 12:04
Foto ilustrim

Eksperti i çështjeve të sigurisë Hysen Gecaj, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka për qëllim që zgjedhjet e 23 prillit në katër komuna në veri të Kosovës, t’i paraqes si jo demokratike.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Gecaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë incidente të kontrolluara nga Vuçiqi, në zgjedhjet që do të zhvillohen nesër.

“Se a do të ketë incidente, kjo varet shumë edhe nga vetë qëndrimi i Vuçiqit dhe qëllimet e tij politike. Ai e ka dëshirën që këto zgjedhje t’i paraqes si të pa suksesshme jo demokratike , si presion dhe në kundërshtim me dëshirën e popullit serb në veriun e Kosovës. Karrshi kësaj dëshire të Vuçiqit dhe elementeve kriminale në veri, ka mundësi që të ketë incidente të kufizuara dhe të kontrolluara nga Vuçiqi në funksion të deklaratave të tij politike dhe kërkesës për serbët e Kosovës në Rashkë që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës”, ka thënë eksperti i sigurisë.

Image
Hysen Gecaj

Megjithëse ai ka theksuar se shumica e serbëve nuk po pajtohen me Vuçiqin për zgjedhjet, Gecaj ka pohuar se shantazhi ndaj tyre nga Lista serbe është i madh.

“Disponimi i shumicës serbe në veri nuk është në përputhje me politikën e Vuçiqit, mirëpo kërcënimi dhe shantazhi ndaj serbëve në veri të Kosovës është i madh nga ana e Listës serbe si instrument i Vuçiqit.

Besoj që zgjedhjet do të mbahen dhe janë legale, mirëpo legjitimiteti është i diskutueshëm derisa shumica e serbëve nuk guxon që të marrë pjesë në këto zgjedhje”, është shprehur më tej Hysen Gecaj për “Bota sot”.

Ai vlerëson se për shkak të koordinimit të mirë me ndërkombëtarët, incidentet gjatë këtij procesi zgjedhor në veri mund të jenë minimale.

“Shpresën për sukses e shton deklarata e faktorëve të rëndësishëm politikë evropianë dhe amerikanë, që rezultati i zgjedhjeve do të njihet pa marr parasysh numrin e pjesëmarrësve në ato zgjedhje. Kësaj here ka një koordinim më të mirë me faktorin demokratik ndërkombëtar, prandaj edhe incidentet eventuale mund të jenë minimale”, ka thënë eksperti.

Nesër zgjedhjet e parakohshme locale do të mbahen në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të gjitha të banuara me shumicë serbe.

Zgjedhjet i ka bojkotuar Lista serbe, me arsyetimin se Kosova nuk i ka plotësuar dy kushtet e saj: Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë “në këtë proces demokratik”. Hovenier ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”./Botasot

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat