Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër u morën vesh për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Por, Serbia është ajo e cila po shkel marrëveshjen, madje duke deklaruar, se do ta pengojë Kosovën në çdo hap të zhvillimit të saj diplomatik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve me Serbinë duhet të zbatohet sa më shpejt, por Beogradi, sipas tij, nuk ka gatishmëri për ta zbatuar atë.
“Marrëveshja e 27 shkurtit, që është propozim i BE-së me iniciativën e Francës dhe Gjermanisë, dhe më pas aneksi implementues që u bë pjesë integrale nga takimi i Ohrit i 18 marsit, duhet të zbatohen në plotni dhe sa më parë. Pra, teksti është i qartë, ai do zbatim. Është për të ardhur keq që pala tjetër ka thënë që do të bëjë zbatim të pjesshëm, që është një mënyrë tjetër për të thënë që nuk do të bëjë zbatim”, ka deklaruar Kurti.
Tani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të takohen në Bruksel në rundin e ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Në agjendën e takimit të 2 majit pritet të jetë edhe draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Elezaj: Draft-Statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, mendoj se i njëjti edhe mund të paraqitet në këtë takim
Analisti Rexhep Elezaj në një përgjigje për ““Bota sot””, ka thënë se zgjedhjet në veri kanë hapur një mori çështjesh të cilat mund të komplikojnë dialogun mes dy vendeve.
Ai, shton se duhet pasur parasysh këtë Kurti, sepse Vuçiq është ai i cili propagandon ndaj Kosovës.
“Se, sa është e përgatitur Kosova, gjegjësisht krye-negociatori i saj në dialog me Serbinë, z. Albin Kurti, për takimin e 2 majit, këtë më së miri ai e dinë, mirëpo para se të shkohet në Bruksel, pala shqiptare duhet ta ketë parasysh faktin, se pas zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën e kaluar për katër komunat në veri, sidomos akti fashist i bojkotimit të këtyre zgjedhjeve nga ana e komunitetit serb, ka hapur një mori çështjesh në raportet Kosovë-Serbi, të cilat mund të shpien në komplikim të situatës në veri.
Pra, patjetër duhet pasur parasysh situatën e krijuar në taborin e palës serbe, e cila, siç dihet vetë i ka porositur serbët në veri që t’i bojkotojnë zgjedhjet, ndërsa në anën tjetër vetë presidenti serb, Aleksander Vuçiq, del para opinionit vendor dhe ndërkombëtar, duke mos lënë gurë as dru pa gjuajtur mbi qeverinë e “të ashtuquajturit shtet i pavarur”, se ajo gjoja po e diskriminon “popullin” serb në Kosovë dhe Metohi, se Albin Kurti po ushtron terror ndaj serbëve, se dhuna ndaj tyre po bëhet me qëllim që ata ta braktisin Kosovën, se veriu i Kosovës është i okupuar nga Prishtina, se partnerët ndërkombëtarë e paskan gënjyer atë (Vuçiqin) për çdo gjë që i kanë thënë në takimet zyrtare që ka pasur me ta, pra se ata janë “rrenacak”, se ai rrënjësisht do ta ndryshojë politikën e tij ndaj disa vendeve të Perëndimit, se në një moment më të volitshëm Serbia do ta çlirojë veriun e Kosovës, dhe kështu me radhë, akuzë pas akuze, duke e kërcënuar Kosovën me luftë të re..!?”, shprehet ai.
Tutje, Elezaj deklaron se kryeministri Kurti më 2 maj në Bruksel duhet t’i ketë parasysh të gjitha shantazhet dhe kërcënimet sepse Vuçiq do t’i vendos mbi tryezën e bisedimeve me qëllim për t’i njoftuar ndërmjetësit e BE-së, Borrell dhe Lajçak, me gjitha këto qëndrime provokuese serbe dhe të papranueshme për Kosovën dhe popullin e saj.
“Prandaj, gjitha këto shantazhe dhe manovra të ndyra politike të Aleksandër Vuçiqit ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj, pra që me çdo kusht ta dezinformojë opinionin serb dhe disa qarqe në Evropë, se Kosova është pjesë e Serbisë, por e cila asaj iu mor me dhunë nga NATO-ja, dhe se populli serb kurrë nuk do heq dorë nga “Jerusalemi serb”, pra nga Kosova si territor i pandashëm i saj, etj. etj., që të gjitha këto rrena dhe sulme të pa presedan që çdo ditë na vijnë nga kreu i shtetit serb, Aleksander Vuçiq, mendoj se kryeministri Kurti më 2 maj në Bruksel të gjitha këto shantazhe dhe kërcënime duhet t’i vendos mbi tryezën e bisedimeve me qëllim për t’i njoftuar ndërmjetësit e BE-së, Borrell dhe Lajçak, me gjitha këto qëndrime provokuese serbe dhe të papranueshme për Kosovën dhe popullin e saj”, shprehet ai.
Sa i përket Draft-Statusit, Elezaj thotë se edhe mund të paraqitet në atë takim.
“Ndërsa, sa i përket Draft-Statusit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, mendoj se i njëjti edhe mund të paraqitet në këtë takim, ngase sipas marrëveshjes së Ohrit, Plani i implementimit të saj duhet të fillon në praktikë, meqenëse të dyja palët e kanë pranuar Planin e BE-së me 27 shkurt në Bruksel. Mirëpo, ajo që për mua është shumë e sigurt, është fakti se Draft-statusi për formimin e AKS-së do jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se ai nuk do të përmbajë kompetenca ekzekutive, gjë që si i tillë ky draft-status do refuzohet nga pala serbe, alias nga fashisti A. Vuçiq. Mbase, ky refuzim i palës serbe, pa dyshim, do t’i komplikojë bisedimet Kosovë-Serbi, dhe ky trend agresiv nga pala serbe do të zgjas derisa Serbia të heq dorë njëherë e përgjithmonë nga hegjemonia e saj ndaj Kosovës”, përmbylli analisti Rexhep Elezaj.
Mehazi: Problemi kyç, asociacioni e pakicave serbe, po dhe zgjedhjet lokale në veri të Kosovës
Edhe analisti Sulejman Mehazi, supozon se Serbia ka përgatitur diçka përtej marrëveshjes pajtuese në Ohër.
Sipas tij, presidenti serb do kundërshtojë draft-statusin e asociacioneve vetëmenaxhuese ekonomike, tregtare e sociale të pakicës serbe në veri për t'i rikthyer në asociacione ekzekutive sikurse do vetë Vuçiqi.
“Më takimin e 2 majit në Bruksel, Kosova nuk ka çfarë të përgatitet përveç neneve që janë dakorduar me Serbinë, BE-në e SHBA-të në Ohër. Shenjat paraprake të takimit të ardhshëm sipas deklaratave mohuese e kontradiktore të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, tregojnë se më 2 maj Serbia do jetë konfliktuoze me Lajçakun, Borrellin dhe Eskobari që si vërehet ka përgatitur diçka përtej marrëveshjes pajtuese të Ohrid, dhe se në Bruksel për BE-në e SHBA-të nuk do jetë problem Kosova e cila është zotuar se do t'i zbatojë të gjitha detyrimet e marra shtetërore të marrëveshjes së Ohrid, por Serbia do mundohet të bishtërojë obligimet e marra nga BE-ja e SHBA-ja duke zënë shkak zgjedhjet lokale në veri si jo legjitime, po ashtu presidenti i Serbisë Vuçiq do kundërshtojë draftstatusin e asociacioneve vetmenaxhuese ekonomike, tregtare e sociale të pakicës serbe në veri për t'i rikthyer në asociacione ekzekutive sikurse do vetë Vuçiqi”, shprehet Mehazi.
Analisti, thotë se problemi kryesor në dialog do të jetë, asociacioni e pakicave serbe e po ashtu edhe zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.
“Mendojmë se problemi kyç e më kryesor i të dyja palëve, Kosovë-Serbi, më 2 maj në Bruksel do jenë asociacionet e pakicave serbe, po dhe zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, ku Serbia humbi forcën politike të pushtetit brenda katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”, përfundon Mehazi për ““Bota sot””.