Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike Idriz Zeqiraj, ka thënë se ka ardhur koha e “vendimeve të dhimbshme” mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke folur për gazetën “Bota sot”, Zeqiraj ka akuzuar disa shtete të Bashkimit Evropian, se kanë bërë hilë ndaj Kosovës me disa aleanca të hershme me Serbinë.
“Tashmë, jemi në një fazë, kur ka ardhur koha e "vendimeve të dhimbshme", siç thuhet e përsëritet në dhjetë vjeçarin e fundit, kur bëhet fjalë për dialogimin Kosovë-Serbi. Realisht, ky është kurth e hile i disa shteteve të BE-së, në aleanca të hershme të Serbisë, që janë dëshmuar në kohë-zgjatje, të paktën, që nga vitet `70-a të shekullit 19-të e deri në ditët e sotme”, ka thënë analisti.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/May/05/auto_id1683282936.jpg)
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka pranuar planin franko-gjerman dhe ishte i gatshëm ta nënshkruante më 18 mars, në takimin e mbajtur në Ohër, gjë të cilën e ka kundërshtuar presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Sipas Zeqirajt, kjo do të thotë se do të ketë edhe takime tjera, pas atij të fundit, që u mbajt më 2 maj. Analisti e ka vlerësuar si “shqetësuese” gatishmërinë e ndërkombëtarëve për të bërë marrëveshje të çfarëdoshme, vetëm për ta hequr nga agjenda e tyre konfliktin Kosovë-Serbi.
“Pranimi, pothuajse, i njëanshëm nga Kurti, por jo edhe nga Vuçiqi, i plan-kornizës të hartuar nga BE-ja dhe të aprovuar edhe nga SHBA, e parathotë përsëritjen e takimeve tjera, pas këtij të 2 majit.
Rezervohem për të përmendur - dështimin - pasi angazhimi i ndërkombëtarëve dallon nga ai që kemi parë për një dakadë radhazi. Por, shqetësuese është se ndërmjetësuesit janë gati për çfarëdo marrëveshje, vetëm të bëhet një hap para, sa për ta hequr nga agjenda e tyre aktuale konfliktin serbo-shqiptar”, ka theksuar Idriz Zeqiraj.
Ai ka paralajmëruar se nëse Kosova “lëshon pe”, do të ndodhë një marrëveshje gjysmake, në dëm të vendit tonë.
“Një zgjidhje gjysmake, gjithnjë në dëm të Kosovës, pritet të ndodhë, nëse Kosova do të "lëshojë pe". Sepse ngutja për ta bërë Serbinë pjesë të Evropës, është skajmërisht urgjente, e parë nga gjeopolitika e sotme. Lëshimi i madh, madje fatal i BE-së dhe SHBA, ishte se u mjaftuan me përzënien meritore të soldateskës kriminale serbo-sllave nga Kosova, pas një masakre-plojë, kundër popullsisë të pambrojtur. Në vend që të vihen forcat ushtarake në kufirin ekzistues Kosovë-Serbi, ndërkombëtarët, të prirë nga francezët, sajuan një kufi të dytë, kufi ndarës të Kosovës në Lumin Ibër! Qëllimi ishte sa i poshtër, aq edhe kriminal, ndarja e veriut të Kosovës, në perspektivë shkëputjen dhe bashkëngjitjes Serbisë”, ka theksuar publicisti për gazetën “Bota sot”.