Kosova e Serbia tash e sa vite po vazhdojnë bisedimet mes tyre, me qëllim për arritje të një marrëveshje finale.
Kjo gjë, duket të jetë më afër se kurrë, duke parë intensifikimin e përpjekjeve të ndërkombëtarëve sa i përket kësaj çështjeje dhe takimet e shumta mes liderëve të të dyja shteteve, Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit.
Por, një nga temat më të diskutuara është njohja e reciproke mes dy vendeve, ku Serbia de facto po refuzon ta pranojë një gjë të tillë, ndonëse ka pranuar planin franko-gjerman.
E për këtë çështje, në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot”, foli avokati serb, Cedomir Stojkoviq.
Fillimisht, ai tha se Serbia tanimë veçse e ka njohur Kosovën.
Sipas tij, kjo mund të llogaritet pasi me marrëveshjen e arritur në Ohër, ka njohur zyrtarisht pasaportat e Kosovës, doganat e Kosovës, të drejtën e Kosovës për të qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara.
“Siç e kam thënë tashmë, mendoj se njohja reciproke ka ardhur tashmë me pranimin e planit franko-gjerman. Serbia njohu pasaportat e Kosovës, doganat e Kosovës, të drejtën e Kosovës për të qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara. Serbia pranoi të shkëmbejë misione të përhershme diplomatike me Kosovën, pra ambasadorë. Nuk ka njohje më të madhe se kaq. Tani duhet t'i detyrojmë politikanët në Serbi që të mos manipulojnë dhe t'ua prezantojnë njohjen e Kosovës qytetarëve të Serbisë dhe t'ua pranojnë qytetarëve se e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, kjo nuk po ndodh. Në Serbi po ndodh pikërisht e kundërta, që Vuçiq përsëri po e paraqet Perëndimin si një lloj të keqeje dhe se kjo e keqe po “po e detyron Serbinë të pajtohet me Kosovën”, ndërsa në anën tjetër, në të njëjtën kohë, Qeveria e Serbisë jo vetëm që nuk i prish marrëdhëniet me Rusinë, por i përforcon ato”, deklaroi avokati serb.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/May/07/auto_401683448637.jpg)
Krahas kësaj, Stojkoviq këkroi nga bashkësia ndërkombëtare ta detyrojë Beogradin që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën dhe më në fund, populli serb ta kuptojë faktin se Kosova është shtet i pavarur.
“Prandaj, politika e të gjithë akterëve që duan të mirën në Ballkan duhet të jetë që ta detyrojnë Qeverinë e Serbisë të respektojë marrëveshjet që ka pranuar, por jo t'i respektojë ato vetëm ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por mbi të gjitha ndaj popullit të saj në Serbi. sepse populli i Serbisë duhet të dijë se çështja e pavarësisë së Kosovës është zgjidhur dhe se është koha për të përshpejtuar rrugën drejt Bashkimit Evropian, që përfundimisht do të çojë në heqjen e të gjithë kufijve në Ballkan. Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “Albin Kurti dëshiron të hapë një urë mbi Ibër në Mitrovicë për të dëbuar serbët”. Me deklarata të tilla, ai qëllimisht fut urrejtje ndaj shqiptarëve në popullin e Serbisë, sepse është e qartë se Serbia nënshkroi në Bruksel në vitin 2013 dhe konfirmoi në Ohër në vitin 2023 se Mitrovica e Veriut është pjesë e Kosovës së pavarur dhe se krijimi i Kosovës së bashkuar është pasojë e natyrshme e kësaj, dhe jo aspiratë e autoriteteve të Kosovës për të dëbuar serbët. Për shkak të deklaratave të tilla të shpeshta, duket gjithnjë e më shumë gjasa që Vuçiq të mos e respektojë marrëveshjen që ka lidhur dhe se dëshiron të vazhdojë të inkurajojë serbët në Kosovë që të qëndrojnë në geto në vend që të bashkëpunojnë me shqiptarët”, theksoi ai.
Ndër të tjera, avokati serb potencoi se Vuçiqi është i parëndësishëm, pasi marrëveshjet nënshkruhen nga qeveria serbe, kësisoj kushdo që e pason presidentin aktual, duhet t’i respektojë ato.
“Por Vuçiqi është i parëndësishëm, sepse kushdo që vjen në vend të tij, do të duhet të respektojë marrëveshjet, sepse ato nuk janë vulosur nga Vuçiqi, por nga Serbia. Dhe ne të gjithë së bashku do të punojmë për mirëqenien e të gjithë fëmijëve, serbëve dhe shqiptarëve, për të jetuar në paqe dhe prosperitet”, përfundoi Cedomir Stojkoviq për “Bota sot”.