Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Poëer, ka vizituar sot Kosovë, ku është takuar me liderët shtetëror.
Poëer ndër tjera tha se Asociacioni duhet t’i përmbahet parimeve që i kanë paraqitur këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Ajo ka theksuar se marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi, derisa ka përmendur si urgjencë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Si përfaqësuese e lartë e Administratës Biden kam ardhur të përforcojë mesazhin për rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve, të cilat do të prodhojnë një normalizim, i cili do të jetë tej mase i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë. Normalizimi do të jetë shumë i mirë dhe dobishëm edhe për biznesin. Kemi pasur diskutime edhe për urgjencën e krijimit të Asociacionit, por edhe zbatimit të plotë të gjitha aspekteve të marrëveshjes. Po ashtu kemi shpresë që palët do të kalojnë në fazën e ardhshme të dialogut me propozime specifike. Ne e kemi bërë shumë të qartë përmes zotëri Chollet dhe Escobar se cilat janë parimet dhe po ashtu besojmë se çdo asociacion do t’iu përmbahet atyre kushteve”, tha ajo.
BE dhe SHBA, ka kohë që po kërkojnë nga Kosova themelimin e Asociacionit.
Mirëpo, disa herë është thënë se, asociacioni duhet me në harmoni me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.
Në lidhje me këtë çështje është deklaruar edhe ish-zëvendësminsitri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.
Sipas tij, situata aktuale politike është si pasojë e kushtetutës që na u patë imponuar, që ta formuloj Ahtisari, e i cili i kishte paraparë edhe asociacionet serbe dhe shqiptare, të jenë pjesë përbërëse të kësaj kushtetute.
Ai thotë se serbët po kërkojnë Asociacion me kompetenca mbi kushtetuese, që kishte me i ngja Republikës serbe në Bosnje.
“Tani kur këtë çështje po e ndërmjetësojnë më seriozisht Amerika me aleatët e sajë, e kur është afruar një draft marrëveshje evropiane, e cila si alternativë e ka për qëllim njohjen e ndërsjelltë, në një periudhë më të gjatë kohore në pritje, Serbia assesi nuk guxon ta pengoj rrugëtimin e Kosovës drejtë anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare sikur që janë NATO, INTERPOL, BE, OKB etj. Është e kuptueshme se tani po mbetet zgjidhja e nyjës së Asociacionit, kushtëzimi tani më edhe publik dhe i pa kthyeshëm ndërkombëtar për qeverinë Kurti, si rrugë zgjidhja e vetme për të vazhduar tutje në dialog me Serbinë dhe arritjen eventuale të marrëveshjes finale, apo do të jetë shkak i detyrimit të dorëheqjes së kësaj qeverie për pasojë refuzimi, duke hapur rrugë për rikompozim dhe rikonfigurim të një koalicioni të ri qeverisës nga blloku opozitar, nëse faktorët ndërkombëtar nuk lejojnë dhe nuk pranojnë të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme”, thotë Tërnava.
Sipas tij, kërkesa amerikane për Asociacionin po bëhet e qartë, ultimative madje, por duke qenë në harmoni me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, duke premtuar se nuk do lejohet model që krijon shtet brenda shtetit dhe vihet në rrezik të sovranitetit dhe integritetit të shtetit.
“Nëse krijohet Asociacioni në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, dhe nëse vjen deri te njohjet reciproke mes dy shteteve, ky do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe pavarësia e Kosovës do të njihej edhe nga shumë shtete tjera që se kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës deri më tani, dhe ky do të ishte një sukses shumë i lartë i kësaj Qeverie e cila në radhë të parë deri më tani arriti që t’i përmbahet kushtetutës së Kosovës, e jo sikur qeveritë e mëparshme që donin me i falë pjesë territoriale Serbisë”, përfundon Hajrullah Tërnava.
Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.
Ky “nivel i vetëmenaxhimit” parashihet me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër, më 19 mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqiti “draft-vizionin” e tij për këtë qëllim gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.
Draft-vizioni erdhi si përgjigje ndaj një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Kurti e refuzoi, duke thënë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.