Ish Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi u ekzekutua në Tiranë më 21 shtator 1998.
Në territorin e Shqipërisë u vranë edhe Ilir Konushevci, i njohur si “Mërgimi” dhe mjeku Hazir Mala, të cilët u qëlluan për vdekje në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, derisa udhëtonin për në Bajram Curr të Shqipërisë, me një kamion të ngarkuar me armatim.
Po ashtu token shqiptare ishte vrarë edhe zëdhënësi i parë i UÇK-së, Ali Ukaj, i cili në vitin 1997 u gjet i masakruar në banesën e tij, ku cimer e kishte Hashim Thaçin.
Tani kur në Gjykatën Speciale po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët Specialja ndër tjerash i akuzon edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, po kërkohet nga Gjykata Speciale që hetimet e saj t’i shtrijë edhe në Shqipëri, pasi vrasja e Krasniqit, Konushevcit, Malës e Ukajt kanë ndodhur në territorin e shtetit të Shqipërisë.
Përgjegjës Fatos Klos!
Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, ka dëshmi të mjaftueshme për angazhimin e disa shqiptarëve në shërbim të Serbisë dhe kundër Ibrahim Rugovës.
“Gjykata Speciale e Kosovës në qytetin holandez të Hagës tashmë ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Jo se ky opinion ka nevojë ose pret që të dënohet ndonjë krim kundër serbëve. Krime të tilla nuk kanë ndodhur. Edhe nëse kanë ndodhur janë krejt të rastësishëm si shenjë hakmarrje e pa komanduar dhe e pakontrolluar. Sepse në kushtet e ushtrimit të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë, natyrshëm do të kishte njerëz që humbin kontrollin përballë mizorive serbe me autorë po serbët, politikën dhe udhëheqësinë e tyre. Por Gjykata Speciale do të jetë e disponueshme në 80-90 përqind të rasteve për krimet kundër shqiptarëve. Disa intervista që kanë dhënë këto ditë disa eksponentë të luftës në Kosovë duhen marrë si dëshmi për angazhimin e disa shqiptarëve në shërbim të Serbisë. Unë kam shkruar që asokohe se në kufirin midis Shqipërisë dhe Serbisë po ndodhin tradhti, po spiunohen luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të FARK-ut dhe për pasojë ushtarët serbë kryejnë vrasjen e tyre në këtë kufi. Kam shkruar se në disa shtabe të UÇK-së, kur dikush shkon për të luftuar në radhët e saj, u bëhet presion nëse ata janë me Ibrahim Rugovën. Madje ka ndodhur që t’u lëshohet te këmbët fotoja e liderit historik të Kosovës e t’u kërkohet këtyre njerëzve që ta shkelin me këmbë atë”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.
Ai thekson se të gjitha këto veprime janë shoqëruar me akte të rënda në territorin e Shqipërisë.
“Jam i sigurt se në radhët e oficerëve shqiptarë që janë ofruar të ndihmojnë UÇK-në ka pasur njerëz të Serbisë. Këta ndoshta sot mburren me angazhimin e tyre në çlirimin e Kosovës. Marrin në mbrojtje gjithkënd e sidomos ata politikanë që janë më afër zbatimit të projekteve të Beogradit. Prandaj dhe nuk është e vështirë t’i dallosh. Duhen vetëm dhjetë minuta bisedë me ta. Sepse në pesë minutat e parë të hiqen si engjëj e sapo t’i ngacmosh kërcejnë si gjela. Është instiktiv i mbrojtjes për krimet që kanë kryer”, deklaron Bytyçi, sipas të cilit, Shqipëria është angazhuar drejtpërdrejt në krimet kundër shqiptarëve të Kosovës.
“Po marr vetëm një fenomen. Kam vënë re se Fatos Klosi në luftën e Kosovës angazhoi ish-oficerë të sigurimit të shtetit, të cilët janë marrë “me elementin reaksionar të Kosovës gjatë diktaturës në Shqipëri”! Pse ai zgjodhi pikërisht oficerët e sigurimit të shtetit që kishin trajtuar kosovarët e arratisur gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri? Sepse këta dinin ta zhvillonin me ashpërsi, deri në asgjësim, luftën kundër kundërshtarëve politikë në Kosovë. Klosi u angazhua me gjitha fuqitë e tij e të institucionit që e drejtoi që të likuidojë Ibrahim Rugovën dhe Lidhjen Demokratike nga skena politike e shoqërore e Kosovës. Që të promovonte një qeveri të jashtëligjshme, jo legjitime të kryesuar nga Hashim Thaçi. Që të reklamonte eksponentë të LPK-së si udhëheqës të luftës”, shprehet Bytyçi.
Ai përgjegjës kryesor për përçarjen dhe vrasjen që kanë ndodhur e bën Fatos Klosin.
“Shkurt Fatos Klosi, përmes një strategjie anti-kombëtare e në dobi të Milosheviçit, krijoi përçarjen e parë të madhe në mesin e luftëtarëve për lirinë e Kosovës. Për këtë arsye angazhoi edhe njerëzit e devotshëm e të përkushtuar për ta bërë këtë. Fatos Klosi është përgjegjës direkt për vrasjen e ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi. Ai është gjithashtu përgjegjës direkt për ndalimin dhe sekuestrimin e armëve që vinin përmes qeverisë Bukoshi për FARK-un. Më pas këto armë ai ua jepte njerëzve të Hashim Thaçit, Azem Sylës, Xhavit Halitit e të tjerë. Fatos Klosi ishte këshilltari kryesor i Thaçit dhe disave prej këtyre ish-komandantëve që sot janë në Hagë. Ai i udhëzonte ata se si të eliminoheshin kundërshtarët politikë të tyre. Dhe ata e besonin qorrazi, disa edhe për shkak se e konsideronin Klosin si përfaqësues të “Nanës Shqipëri”! Në fakt Shqipëria e Klosit dhe sojit të tij ishte dhe mbeti deri në fund njerka e shqiptarëve të Kosovës. Nana e vërtetë e kësaj Shqipërie, siç e shohim edhe sot me Edi Ramën, ishte dhe mbetet Serbia”, deklaron Bytyçi.
“Të katër viktimat e lartpërmendura mendoj se ishin objektiv i akteve terroriste të Fatos Klosit dhe bandës që me ndihmën e tij uzurpoi komandën e UÇK-së. Për Ahmet Krasniqin ka prova dhe deklarime publike pa fund. Ali Ukajn dihet se e likuidoi Hashim Thaçi. Ilir Konushevci dhe Hazir Mala gjithashtu janë likuiduar në rrethana të paqarta. Fakti që askush nuk ka mundur ta zbardhë fatin e tyre dëshmon se ata që i kanë eliminuar kanë qenë ose janë njerëz të pushtetshëm”, shton profesor Bytyçi.
Për fund, Bytyçi thotë se Fatos Klosi ka qenë pjesë e planit të eliminimit fizik të përkrahëseve të Ibrahim Rugovës.
“Dihet se këto akte kriminale në territorin e Shqipërisë nuk kanë mundur t’i bëjnë kosovarët. Ata e kishin më të lehtë likuidimin e tyre brenda territorit të Kosovës. Këto akte kriminale janë bërë në Shqipëri dhe ish-kreu i SHIK-ut shqiptar i asaj kohe, pra Fatos Klosi, ose ka qenë pjesë e planit të eliminimit fizik të tyre, ose ka qenë në dijeni. Megjithatë është ky Klosi dhe ish-oficerët e sigurimit të shtetit që “janë marrë” me elementin reaksionar Kosovar në Shqipëri, ata që kanë marrë titullin e veteranit dhe janë shpërblyer e nderohen nga autoritetet e Kosovës. Thaçi nuk rrinte asnjëherë pa respektuar. Por edhe shumë të tjerë u qëndrojnë gatitu këtyre qenieve jonjerëzore”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.
Ferizi: Vrasjet politike kanë emër – SHIK
E akuza ndaj Shërbimit inteligjent shqiptar dhe Fatos Klosit për vrasjet politike po hedh edhe Osman Ferizi, kryetar aktual i LDK-së në Gjermani.
“Vrasjet politike kanë emër – SHIK. Çelësi i vrasjeve politike të personaliteteve politike, ushtarake, gazetarëve ka zanafillë dhe burim të dallimet ideologjike dhe lufta e ndytë për pushtet pa zgjedhur mjete.
Vetë fakti që në ngjarjet kulmore në Kosovë që nga Deklarata e 2-korrikut 1990 në Shqipëri ndodhi dyndja qytetare në dyert e Ambasadave, ndërsa në ngjarjet e vitit 1997 u thellua ndarja mes socialistëve dhe demokratëve ku gjatë atij grusht shteti u vranë rreth 3000 qytetarë. Ndërsa në Kosovë populli shqiptarë ju kishte nënshtruar një presioni dhe represioni sistematik nga regjimi i Millosheviqit, fillimi i luftës në Kosovë kur Kosova po digjej e piqej nga Serbia, shteti shqiptar në krye me Mejdanin, Gjinushin, Milon, Klosin duke i mbështetur krahun majtist të LPK-së (Bedri Islamin, Xhavit Halitin, Azem Sylen, Elmi Reçica….) dhe duke i nxitur dhe mbështetur këtë grup të vogël mercenarësh për të marrë nën kontroll UÇK-në që ende nuk kishte struktura që përfaqësonin ushtrinë dhe vullnetin politik”, shprehet Ferizi.
“Për fat të keq pasojat e atyre veprimeve dhe puçeve po i vuajmë edhe sot, gjatë asaj periudhe ndodhen vrasje tinëzare e tradhtare edhe në Shqipëri që nga gazetari Ali Ukaj, vëllezërit Rexhë e Sylë Nikqi, eprori Sadri Ramqaj, ish Ministri i Mbrojtjes kol. Ahmet Krasniqi, Ilir Konushevci, Hazir Mala, djemtë nga Suhareka… dhe këtu dyshimet janë të forta në Shtabin e Rognerit në koordinim me strukturat e SHISH”, shton Ferizi.
Ai kërkon nga Gjykata Speciale që autoritetin dhe hetimet e saj t’i shtrijë edhe në Shqipëri.
“Andaj sipas logjikes dhe dyshimeve tona të bazuara në veprimet e kohës GJND më Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit duhet ta hetojnë edhe periudhën e vrasjeve të pa zbardhura në Shqipëri si dhe zbardhja e dosjeve të SHISH, po të kishte pas vullnet dhe gatishmëri vrasësit dhe nxitësit e këtyre vrasjeve do ndëshkoheshin por ato derisa të zbardhen dhe të marrin dënimin e merituar nuk do harrohen”, përfundon për “Bota sot”, kryetari i LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi.
Çka tha Thaçi për vrasjen e Ali Ukës?
Vlen të theksojmë se më datën 30 maj të vitit 2019 ish - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte bërë deklarata dhe akuza të rënda kundër ish-kryeministrit përkatësisht ish-presidentit Sali Berisha. Sipas Thaçit, të gjitha informacionet dhe indiciet për vrasjen e gazetarit Ali Uka, në 30 korrik të 1997, të çojnë tek zyra e ish-presidentit Berisha. Sipas Thaçit, Ali Uka është vrarë pasi kishte gjetur dhe do të publikonte informacione për takimet e fshehta të Berishës me Millosheviçin, Gligorovin dhe Arkanin.
“Dua të them një fakt për herë të parë. Është e vërtetë se Ali Uka atë kohë pretendonte dhe donte të botonte në shtyp të vërtetën e vrasjes së atdhetarit Remzi Hoxha. Ali Uka punonte në gazetën “Shqiptare”. Remzi Hoxha i cili sipas Aliut kishte bërë zbulimin e takimeve të fshehta në Ohër në mes të Sali Ramë Berishës, Millosheviçit dhe Gligorovit. Pra Presidentit të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë. Aliu fliste hapur me emra dhe mbiemra se kush e kishte arrestuar Remziun dhe si kishte përfunduar i vrarë. Rrëfimi i Aliut të conte direkt në zyrën e Sali Ramë Berishës, tek njerëzit në zyrën e Sali Ramë Berishës”, do të deklaronte Thaçi mes tjerash në ABC News Albania 24/7