Deklarata e fuqishme e ish-zëdhënësit të NATO-s / Kjo është kërkesa për ndërkombëtarët në lidhje me tensionet në veri!

Politika

Deklarata e fuqishme e ish-zëdhënësit të NATO-s / Kjo është kërkesa për ndërkombëtarët në lidhje me tensionet në veri!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 6 qershor 2023 Në ora: 17:22
Jamie Shea, ish-zëdhënës i NATO-s

Situata në veri të vendit po vazhdon të jetë e tensionuar për shkak të protestave të serbëve, të cilët po e kundërshtojnë fillimin e punës së kryetarëve të rinj të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit.

Ka disa ditë që Kosova po përballet me “kritika” se veprimet kanë qenë të gabuara, ani pse kryeministri Kurti është deklaruar për të sqaruar çdo vendim që e ka marrë.

Por, së fundmi vëmendjen e opinionit publik e mori deklarata e Jamie Shea, ish-zëdhënës i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, i cili tha se prania e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën është e papranueshme.

Ai e cilësoi këtë veprim mbi-reagim të papranueshëm nga Beogradi, për diçka që siç tha është çështje e brendshme e Kosovës.

“Kam qenë mjaft i qartë për dërgimin e forcave ushtarake serbe në kufi për një çështje që nuk i përket Serbisë, por është një çështje e brendshme e Kosovës. Ka një mbi-reagim, është e papranueshme dërgimi i këtyre trupave. Ato duhet të rikthehen në vendin e tyre.

 Beogradi duhet të heqë dorë nga ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës. Veriu është një çështje e brendshme e Kosovës. Mesazhi im është që: Kosovë, puno bashkë me BE dhe SHBA! Pavarësisht zemërimit, mos humbisni besimin e miqve më të ngushtë”, tha ai.

A ishte kjo kundërpërgjigjja e duhur për të gjithë që po i konsiderojnë veprimet e Qeverisë të ngutshme ose të paarsyeshme?

Qarri: Thirrjet e komunitetit ndërkombëtar, duhet t’i drejtohen edhe Serbisë hegjemoniste

Image
Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai u shpreh se Jamie Shea, ashtu siç ishte i prerë, në luftën e vitit 1999, po aq preciz dhe i qartë është edhe tani duke ia bërë me dije të gjithëve se çështja e veriut, është çështje e brendshme e Kosovës.

“Në fakt kryeministri Kurti, sa i takon gjendjes në veri, vetëm një ditë më parë bëri të ditur se ai ka biseduar me zëvendës-këshilltarin amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, dhe senatorët Chris Murphy, Pete Ricketts e Jeanne Shaheen dhe theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës, “për të punuar sa më ngushtë me SHBA-të për uljen e tensionit, të shkaktuar nga Milicia fashiste dhe bandat kriminale serbe të Aleksandër Vuçiqit” të dërguara enkas për shkaktimin e trazirave në veri të Kosovës.

Kurse Jamie Shea, ashtu siç ishte i prerë, në luftën e vitit 1999, po aq preciz dhe i qartë është edhe mbi 23 vite pas, në paqe, i cili edhe sot mbetet një nga personalitetet e rralla ndërkombëtare, që deklaron publikisht dhe fare pa ekuivokë se çështje veriut, është çështje e brendshme e Kosovës. E cila as nuk i përket fare Serbisë, ndaj dërgimi i forcave ushtarake në kufi, jo vetëm që është mbi-reagim i panevojshëm por edhe veprim i papranueshëm, që nuk duhet toleruar nga bashkësia ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Analisti më tej thekson që thirrjet e komunitetit ndërkombëtar, duhet t’i drejtohen edhe Serbisë hegjemoniste.

“Prandaj habit fakti se si, përderisa ish zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea dënon dërgimin e trupave serbe, në kufi me Kosovën dhe kërkon që Serbia, përfundimisht, të ndërpresë ndërhyrjet e vazhdueshme tash e mbi dy dekada, në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, McGonigalët e rinj të shitur te Serbia hegjemoniste, kanë fytyrë ta fajësojnë viktimën-Kosovën dhe akuzojnë Qeverinë Kurti, pa asnjë argument, për tensionet e krijuara nga bandat kriminale serbe, me porosi të Aleksandër Vuçiqit, në veri të vendit tonë.

Kështu që, thirrjet e komunitetit ndërkombëtar, duhet t’i drejtohen edhe Serbisë hegjemoniste që pas më tepër se dy dekadave të kaluara, të ndalojë përfundimisht përzierjet në punët e brendshme dhe tensionimin e situatës në veri të Kosovës”, shpjegon Qarri.

Nga ana tjetër, ai shtoi se një deklarim kaq i qartë dhe shumë domethënës, që vije pikërisht në momentin më vendimtar, është kundërpërgjigjja më e duhur për të gjitha sulmet që u bënë ndaj Kosovës.

“Përderisa Zëvendës-këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare Jon Finer në komunikatën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, e ka mirëpritur gatishmërinë e Kurtit për zgjedhje të reja në veri të Kosovës, ish zëdhënësi i NATO-së, Jamie Shea, vendosjen e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, për diçka si veriu, që faktikisht është çështje e brendshme e Kosovës, me plot të drejtë e konsideron, jo vetëm mbi-reagim, por edhe  veprim të papranueshëm nga Serbia hegjemoniste.

Andaj një deklarim kaq i qartë dhe shumë domethënës, që vije pikërisht në momentin më vendimtar, si kundërpërgjigjja më e duhur për të gjitha sulmet, e pamatura dhe tërësisht të padrejta e pa asnjë arsye bindëse, që ditëve të fundit po bëhen ndaj Kosovës, e cila është në të drejtën e vet, si dhe përpiqet për vendosjen e rendit e të ligjit në territorin e saj legjitim dhe brenda kufijve të vet shtetëror, pa rrezikuar interesat e shteteve fqinje”, foli Qarri për “Bota sot”.

Ahmeti: Kosova si shtet i ri, duhet të vlerësohet për arritjet dhe konstruktivitetin që po tregon në shumë dimensione

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ndërkombëtarët nuk po janë objektiv për të bërë presion tek serbët, por po vazhdojnë logjiken e njëjtë të ledhatimit.

“Kam një bindje të plotë se edhe ndërkombëtarët janë të vetëdijshëm mbi realitetin e krijuar, por mbi të gjitha janë të vetëdijshëm mbi shkaktarët e realitetit. Ndërkombëtarët nuk po janë objektiv për të bërë presion tek serbët, saktësisht mbi Serbinë dhe udhëheqësit e saj, por po vazhdojnë logjiken e njëjtë të ledhatimit. Kosova si shtet i ri, duhet të vlerësohet për arritjet dhe konstruktivitetin që po tregon në shumë dimensione e jo të penalizohet për diçka që po vepron në frymën kushtetuese e ligjore”, u shpreh ai.

Analisti në fund theksoi që Kosova është shtet i pavarur dhe se për çdo gjë nuk mund të pyeten ndërkombëtarët.

“Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, ku për të shtrirë kushtetushmërinë dhe ligjshmërinë në gjithë territorin e Kosovës duhet të pyeten ndërkombëtarët atëherë çfarë shteti jemi ne? A jemi shtet apo jemi protektorat ndërkombëtar? Gjithçka mund të quhet, përveç se shtet në kuptimin e plotë të fjalës”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat