“Duart larg nga Kosova”/ Përfshirja e Shqipërisë në dialog - dilema e dyshime për propozimin e Edi Ramës

Politika

“Duart larg nga Kosova”/ Përfshirja e Shqipërisë në dialog - dilema e dyshime për propozimin e Edi Ramës

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 11 qershor 2023 Në ora: 20:04
Edi Rama, foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, i cili njihet për raportet “vëllazërore” me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ani pse ky i fundit pothuajse çdo ditë e kërcënon Kosovën me luftë, javën e kaluar ka bërë të ditur se i ka dërguar Gjermanisë dhe Francës një propozonim për Asociacionin e Komunave serbë në Kosovë.

"Jam këtu për t'ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje ua kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asociacionit, për të cilin e kam vënë në dijeni edhe Charles Michel dhe palën amerikane. Albin Kurtin po e fajëson bota e tërë demokratike dhe kjo më shkakton vetëm keqardhje. Unë nuk jam as për të gjykuar, as sulmuar Albin Kurtin. Po përpiqem të kontribuoj, pasi njëri [Kurti] çon policinë në godina bosh, tjetri [Vuçiq] çon ushtrinë në kufi. Ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë, nëse ata ia kthejnë shpinën, mos ndodhtë kurrë, por ajo shtëpi [Kosova] hyn në ditët e saj më të errëta”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Deri më tani, këtë propozim në Kosovë e ka përkrahur Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka quajtur veprim të njëanshëm vendimin e Edi Ramës.

“Në parim mendoj se është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar [Edi Rama] nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës [Albin Kurti] edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku”, deklaroi Konjucfa.

Ndërkohë, nga Bashkimi Evropian e kanë quajtur “tekst serioz” propozimin e Edi Ramës për Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë.

“Teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë. Nuk është aq e rëndësishme se si e trajton BE-ka këtë draft, por si e trajtojnë palët, Prishtina dhe Beogradi. U takon atyre që, në kuadër të dialogut, të avancojnë në drejtim të përmbushjes së këtij obligimi“, ka thënë një diplomat i BE-së.

Propozim i njëanshëm

Të njëanshëm dhe pa koordinim me Kosovën, propozimin e Edi Ramës po e quan edhe analisti politik, Haki Latifi.

Image
Analisti politik, Haki Latifi.

“Kujtoj se, para sa ta dërgonte këtë draft propozim të statutit, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama praprakisht do të ishte mirë të koordinohej dhe të konsultohet me institucionet legjitime të Kosovës, konkretisht me Kryeministrin, Albin Kurti dhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Për këto çështje të ndjeshme duhet të ketë një mënyrë komunikimi të përbashkët. Unë mund t’i kuptoj nëse kanë dallime personale dhe politike por për çështje kombëtare duhet të jenë unik. Drafti është dashtë të përpilohet në bashkëpunim dhe konsultime me Kosovën. Mendoj se nuk duhet të paragjykohet me vlerësime për këtë draft propozim. Pasi ende nuk dihet se çfarë ka në at draft Statut madje ky draft nuk është final, mund të korrigjohet e përmirësohet. Drafte të tilla gjerë më tani ka dhënë; Italia, Austria, shoqëritë civile nga Europa e të tjerë. Fundja është çështje e shtetit të Kosovës që t’i përmbushë obligimet e dala nga Vjena më 2006 për statusin final të Kosovës”, shprehet Latifi për “Bota sot”.

Ai thotë se nëse Shqipëria ndërhyn në çështjet e brendshme të Kosovës, atëherë i jepet e drejta edhe Serbisë që ta bëjë një gjë të tillë.

“Nga ana tjetër në qoftë se përzihet Shqipëria, atëherë automatikisht i jepet e drejta edhe Serbisë që të përzihet në çështje të brendshme të Kosovës. Në fakt disa akterë të opozitës mbase edhe përkrahën idenë e kryeministrit Rama, edhe publikisht. Një gjë që do duhej bërë qeveria e Kosovës dhe partitë opozitare një zëri për themelimin e Bashkisë së Komunave me shumicë serbe, e që këtë veprim të “guximshëm” të bërë nga Kryeministri Rama, i cili natyrshëm edhe Ai e din që nuk është aspak popullor. Dorëzimi i draft propozimit të statutit që ka të bëjë për Bashkësinë e Komunave serbe në Kosovë nga Kryeministri Edi Rama, në të cilën ditë më parë ia ka përcjellë Presidentit francez Macron dhe Kancelarit gjerman Scholz. I cili do të përcaktoi e rregulloi funksionimin e jetës politike, sociale e kulturore të Komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës?! Ky propozim i shton dilemat se nga kush është përpiluar? Çfarë reference ka dhe cilët janë ekspertët ndërkombëtar që kanë punuar për këtë draft propozim?! Dhe se, sa i respekton parimet e kushtetutshmërisë së Kosovës?!”, shpjegon Latifi.

Më tej, Latifi deklaron se dilemat shtohen më tepër pasi Edi Rama tha se draft Statuti është diçka që nuk do të bëhet publike asnjëherë sepse është e pa nevojshme.

“Shtrohet pyetja: Pse e panevojshme?! Nga kush z. Rama e pranoi këtë detyrë?! Apo, është një vazhdimësi e angazhimit të mëhershëm të z. Rama që çështja e Kosovës të zgjidhet mes Shqipërisë e Serbisë?! E cila për mendimin tim ishte dëshirë dhe angazhim i drejtpërdrejtë i disa qeverive serbe, tash e dy dekada më parë! Kujtoj se në këtë kohë, dhembshuria e Edi Ramës për Kosovën, më shumë i sjellë dëme se mendjelehtësia e konfrontimi i Albin Kurtit, me Perëndimin, posaçërisht me SHBA-të, si krijuese e drejtpërdrejtë e shtetit të Kosovës ! Këso shembujsh kemi pasur edhe në të kaluarën jo fortë të largët siç ishte dikur takimi në Kretë i ish Kryeministrit Fatos Nano me kryekriminelin serb, Slobodan Millosheviç. Atëherë me të drejtë ish Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova i pati thënë; “duart larg nga Kosova’”, thotë Latifi.

Për fund, Latifi deklaron se me sjelljet e tij, Edi Rama është shndërruar në avokatin më të zellshëm të interesave serbe.

“Për mendimin tim, Edi Ramës, institucionet e Kosovës duhet ti thonë se nuk ka aspak nevojë për projektet tua, aq më pak kur ato janë sekrete! Sjellja e Edi Ramës, në raport me Kosovën, dhe në dritën e errët të bashkëpunimit me Serbinë, posaçërisht viteve të fundit, na jep të drejtën të dyshojmë se është shërbëtori dhe avokati më i zellshëm që i shërben kauzave serbe, në dëm të përgjithshëm të interesave kombëtare të shqiptarëve!”, përfundon Haki Latifi.

Shqipëria të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

Image
Analisti Gani Qarri

E analisti Gani Qarri, e sheh si të mirëseardhur angazhimin e Shqipërisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në fakt duke parë qëndrimin tërësisht armiqësor dhe pa asnjë ide pozitive për daljen nga kriza të opozitës së inkriminuar ndaj Qeverisë e shtetit të Kosovës, dhe faktin se shteti shqiptar ka përvojë më të gjatë në rregullimin e çështjeve ndërshtetërore, marrëdhëniet me jashtë, menaxhimin e krizave, diplomaci më të avancuar dhe ekspert të sprovuar, të cilët në gjendjen e tendosur nëpër të cilën, aktualisht po kalon Kosova mund të ofrojnë koncepte produktive dhe ide parimore, për kapërcimin, pa lëndime, të situatës së krijuar nga bandat e Serbisë në veri, angazhimin e Shqipërisë e shohë të mirëseardhur dhe favor që shteti i ri i Kosovës, ta ketë në krah vendin amë të të gjithë shqiptarëve. Në fund të fundit, ky është vetëm një propozim, që nuk duhet nxituar të kritikohet, pa e parë përmbajtjen e tij, që vije në gjendje krize, kur shteti ynë i ri, ka nevojë për mbështetjen e secilit faktor, qoftë edhe me ndonjë propozim a ide, e veçanërisht ato të shtetit amë-Shqipërisë, qeveria aktuale e të cilës, përfundimisht duhet ti lë mënjan inatet, vëllazëritë e pretenduara me serbët dhe akrobacionet megalomane, e të rreshtohet sinqerisht e pa ekuivokë në krah të Kosovës dhe përafrimin e mbarëvajtjen e të gjithë shqiptarëve në rajon”, deklaron Qarri.

Ai thekson se propozimi i Ramës mund të jetë një alternativë për dalje nga kriza në të cilën gjendet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Madje, kryeministri Rama duke qenë, tash e sa kohë në marrëdhënie të ngushta me Vuçiqin dhe shoqëri personale me të, mund t’i di, më mirë se Kosova dhe të tjerët edhe limitet e pretendimeve të presidentit kriminel serb, për dalje nga ngërçi aktual me Kosovën, në kohën kur edhe ndërmjetësit ndërkombëtar, janë vënë tërësisht në krah të Serbisë hegjemoniste. Për aq më tepër, mbështetja me propozime të sinqerta dhe kreative që në këtë fazë kalimtare, mund të ndihmonin në avancimin e zgjidhjes së krizës aktuale, por pa e dëmtuar Kosovën, do të ishte vërtetë e mirëseardhur për shtendosjen e marrëdhënieve momentale të Qeverisë së Kosovës edhe me emisarin Eskobar dhe ndërmjetësuesit e BE-së, të cilët, duke konsideruar se Kosova si shtet i ri dhe pa miq të shumtë e mungesë të theksuar të mbrojtjes së fortë ndërkombëtare, janë vendosur tërësisht në anën e Serbisë fashiste”, thotë Qarri.

“Fakti se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se u ka dërguar presidentit francez Macron dhe qeverisë së Gjermanisë, një draft statut të Asociacionit, flet në një mënyrë apo tjetër se ky akt, mund të jetë, një hap alternativ i ndërmarrë bashkërisht dhe në koordinim me diplomacinë dhe udhëheqjen shtetërore të Kosovës, si hap imediat për daljen nga kriza aktuale. Vet deklarimi i Ramës se ky "është një dokument konfidencial që s’pretendon të jetë zgjidhja ideale" dëshmon se nisma e tij, mund të jetë edhe e sponsorizuar nga miqtë ndërkombëtar të shqiptarëve, për kthimin në tryezën e bisedimeve dhe ri vazhdimin e dialogut, ndërmjet të dy vendeve”, shton Qarri për “Bota sot”.

Për fund, Qarri deklaron se pavarësisht raporteve të afërta që Edi Rama ka me presidentin serb, Aleksandër Vuiq, Shqipëria duhet të përfshihet seriozisht në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Një nismë e nevojshme, e ardhur në kohë të duhur, e cila edhe nëse nuk është tërësisht ideale dhe propozim i përmbaruar politik, gëzon fakti që adreson edhe të gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës", rekomandime të cilat janë jetike dhe bazë e pa anashkalueshme për çfarëdo nisme të formësimit të "Asociacionit". E bazuar në publikimin e kësaj deklarate, nga tash e tutje do të përfshihet edhe Shqipëria ne çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë, gjë që për Kosovën duhet të jetë e mirëseardhur, për vet faktin se involvimi direkt i Shqipërisë me ekspert të dëshmuar të menaxhimit të krizave dhe specialist të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, do të pushojë lufta dhe inatet personale të shprehura publikisht nga Edi Rama, me ç` rast Qeveria shqiptare si pjesëmarrëse e zgjidhjes së problemit, nuk mund ti mbështesë padrejtësitë e qasjeve të gabuara të kriminelit Vuçiq ndaj Kosovës dhe as të vihet si shtet në krah të Serbisë fashiste.

Kështu që në vend të vështrimit nga pozitat “neutrale” Shqipëria që nga fillimi i angazhimit, do të përpiqet më sinqerisht dhe në mënyrë serioze, për zgjidhjen e krizës, përafrimin e palëve në rrafshin politik dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare, pa e nënçmuar veten, as dëmtuar shqiptarët dhe Kosovën, në të drejtat e veta ekzistenciale dhe prosperuese shtetërore, përkundër raporteve të vakëta të Ramës me Kosovën dhe atyre, të ashtuquajtura "vëllazërore" me kriminelin Aleksandër Vuçiq”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat