Tashmë dy javë janë tensionuar sërish raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku në katër komunat veriore të Kosovës janë duke u zhvilluar protesta nga grupe të serbëve lokalë dhe bandave kriminale, të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Por kur mund të deskalojë kjo situatë në veri të Kosovës? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
“Tani procesi i de-eskalimit ka filluar duke përçuar mesazh vizual në tri drejtime: 1. Qeverisë së Kosovës që duhet të largoj NJSO/NJSI nga objektet komunale dhe gjendja të kthehet në normalitet. 2. Qeverisë së Serbisë që as një strukturë kriminale nuk duhet të qëndrojë në veri duke penguar operacionin e KFOR-it nën mandat 1244. 3. Faktori ndërkombëtar që janë pjesë e strukturave të sigurisë në Kosovë që duhet vazhduar mbështetja për misione të tilla qoftë në kuadër të KFOR-it, apo EULEX-it edhe për një periudhë të caktuar”, thotë Shala.
Sipas tij, serbët nuk do të tërhiqen derisa të marrin urdhër nga BIA serbe dhe Aleksandër Vuçiq.
“Serbët nuk do të veprojnë deri sa nuk marrin sinjal nga BIA apo elementet e qeverisë në ikje të Vuçiqit, dhe për këtë pjesë si problematike do të jetë 28 qershori ku pritet një masovitet të aktiviteteve për festen e Vidovdanit, ku do të pritet formimi i politikes së re me në qendër “Boten Serbe” të udhëhequr në mese SNS dhe partisë se re të Vuçiqit”, nënvizon Shala.
“Pra rrethojat janë largu, por jo edhe vigjilenca mbi sigurinë e përgjithshme të cilën pjesë e ka Policia e Kosovës sipas normatives së RKS-së. KFOR është duke tentuar që tani e tutje dialogu të marr formën e duhur për të garantuar që misioni i saj të mos dështojë. Serbët janë duke observuar ende objektet për të pasur në konsideratë ndonjë plan B eventual nëse ndryshojnë rrethanat e lojës”, shton Shala.
Më tej, ai paralajmëron zhvillime të papritura pas 28 qershorit.
“Në qoftë se do të hymë në një status qou, atëherë planet që mund t’i përgatit Beogradi do të shkojnë përtej atij B, C e tutje. Loja e madhe e ndryshimeve eventuale në rajon do të shihet pas 28 qershorit, kur do kemi zhvillime eventuale politike”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.