Nesër, më 14 qershor, në qytetin e Gjakovës do të mbahet mbledhja e dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës
Dy qeveritë shqiptare, do të ulen sërish përballë në takimin e tyre të nëntë në përpjekje për të përparuar me bashkëpunimin mes dy shteteve të të njëjtës kombësi.
Kjo u konfirmua edhe nga zyra e kryeministrittë Kosovës, Albin Kurti.
“Të mërkurën, më 14 qershor, në Gjakovë do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”.
Mbledhja e përbashkët është dakordësuar të mbahet në mes të qershorit në qytetin e Gjakovës për shkak të një simbolike që lidhet me këtë datë.
14 qershori kremtohet nga gjakovarët si dita e çlirimit të qytetit historik dhe përkujtohet në kalendarin e kësaj treve për të nderuar kujtimin e dëshmorëve që dhanë jetën në luftën për çlirimin e Kosovës.
Që prej 11 Janarit 2014 kur për herë të parë nisi ky bashkëpunim janë firmosur dhjetëra marrëveshje.
Arritjet më të rëndësishme janë ato të lirisë së lëvizjes në të dy anët e kufirit, në fushën e shkëmbimeve ekonomike, në fushën e energjisë elektrike, në mësimin e abetares së përbashkët, puna e përbashkët për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe për Historinë e Shqiptarëve, ndërsa në horizont mbetet sfida më e madhe ende e parealizuar, porti i ri detar i përbashkët që është planifikuar të ndërtohet në Porto Romano, një port për krejt hapësirën shqiptare në Ballkan dhe transporti hekurudhor mes Tiranës dhe Prishtinës.
Kjo mbledhje, vjen në një kohë kur Kosova po përballet me zhvillime të shumta politike, mes të tjerash edhe tensionim të shtuar të raporteve me Serbinë.
Gjithashtu, në gjithë këtë vlug të ngjarjeve, mori vëmendje edhe draft statuti i Asociacionitë, të cilin kryeministri shqiptar, Edi Rama ditë më patë ua propozoi presidentit Macron dhe kancelarit Scholz.
Se çfarë pritet të ndodhë gjatë kësaj mbledhje dhe se a do ketë ndonjë marrëveshje specifike mes qeverive shqiptare, folën analistët politikë për gazetën “Bota sot”.
Latifi: Uroj që marrëveshjet që do të nënshkruhen, dhe shpresoj që të realizohen në praktik e mos të mbetën vetëm në letër
Së pari, analisti politik, Haki Latifi gjatë një bashkëbisedim me “Bota sot” e cilësoi si shumë pozitive dakordsimin e qeverive shqiptare për mbledhje të përbashkët.

“Çdo takim i dy qeverive shqiptare, edhe takimi që do të mbahet, më 14 qershor në Gjakovë i çfarëdo niveli qoftë ai, mbart dhe transmeton vlera pozitive, që ndihmojnë proceset e zhvillimit politik ekonomik e shoqëror në dy vendet tona.
Vet takimi i dy qeverive shqiptare mbartë në vete një mision shumë të rëndësishëm për tërë kombin se diçka, së pakut po bëhet në nivel të kombit, duke mos harruar shqiptarët që jetojnë jashtë kufive administrativ, në trojet etnike”, deklaroi ai.
Sipas Latifit, kjo mbledhje nuk do të ndikohet nga zhvillimet e fundit, madje beson se do të ketë koordinim për strategji ndërkombëtare.
“Mendoj se aspak nuk mund të ndikohen nga ngjarjet e fundit në veri të Kosovës. Përkundrazi, mund të bisedohet dhe të koordinohen për hapa të përbashkët strategjik ndërkombëtar. Edhe marrëveshjet e nënshkruara, nëse zbatohen e nuk lihen si ato të më parshmet, janë të rëndësishme, bile shumë të rëndësishme. Që nga nisma e parë e vitit 2014 e takimeve të dy qeverive, asnjë qeveri nuk mund të lavdërohet se ka bërë sa duhet në këtë drejtim. Iniciativa e tillë duhet të kthehet në ngjarje të zakonshme dhe të përhershme, të dobishme e mos të jenë spektakël medial. Në përafrimin Kosovë Shqipëri të keqen mund ta shohin vetëm ata që s’na duan të mirën”, theksoi analisti.
Më tej, ai u shpreh se sot si kurrë më parë ka nevojë për bashkëpunim mes dy shteteve shqiptar, ku do u jepet mundësia e promovimit të ideve për ndryshimin e imazhit të shqiptarëve, para fqinjëve të Ballkanit Perëndimor.
“Nëse sot në Shqipëri drejton Rama, ndërsa në Kosovë Kurti, nesër do të vijnë të tjerë kryeministra, për ta çuar edhe më tej rrugën e bashkëpunimit. Momerandumet dhe programet e bashkëpunimit nuk janë pronë e kryeministrave dhe qeverive, por shprehje e vetëdijes së dy popujve, që përbëjnë një komb dhe një gjuhë. Çdo shoqëri ka nevojë për bashkëpunim, sepse me vendimet e marra së bashku, i shërbehet jo individëve, por çështjes kombëtare. Aq më tepër për dy popujt tanë në të dy anët e kufirit, që duhet të ndërtojnë një realitet të ri të munguar në shekuj. Sot më tepër se kurrë kemi nevojë për afrimitet, për të lënë mënjanë paragjykimet, deklaratat paushalle që nxisin armiqësi, sherre, mosmarrëveshje, mosdakordësi, por duhet të shohin dhe të punojnë në interes të rrugës së mirëqenjës së qytetarëve në të dy anënët e kufirit dhe të integrimit.
Takimet e tilla zyrtare, i konsideroj të dobishme nëse nxiten programe bashkëpunimi e zhvillimi, për ndryshimet rrënjësore të dy shteteve, që fatmirësisht sot janë të lirë dhe të pavarur. Ky bashkëpunim si vazhdimësi e atyre të mëparshëm, do të promovojë idetë e ndryshimit të imazhit përpara fqinjëve të Ballkanit Perëndimor, se shqiptarët që dikur kanë vënë themelet e qytetërimit Evropian, janë në gjendje të ndërtojnë shtet dhe të konsolidojnë demokracinë, vlerësoi Latifi.
Ndër të tjera, analisti uroi që marrëveshjet që pritet të nënshkruhen të realizohen edhe në praktik dhe të mos mbesin vetëm në letër.
“Takimi i dy qeverive tona do ta kishte rëndësinë e madhe vetëm atëherë nëse takimet e tilla trajtojnë çështjet urgjente për investime strategjike, për rrjedhojë, edhe shqiptarët së bashku me qeveritë e tyre duhet të reflektojnë drejt dhe jo të sillen sikurse në rajon nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj, për të realizuar ëndrrën e lirisë së plotë, demokracisë së mirëfilltë dhe prosperitetiit ekonomik të shqiptarëve pa dallim, qeverive tona ju nevojitet një plan operativ strategjik, jo për marketing politik por që ne nuk guxojmë të bijmë pre e formulimeve diplomatike që bëhen zakonisht për interesa të mbajtjes së pushteteve qeveritare.
Uroj që marrëveshjet që do të nënshkruhen, dhe shpresoj që të realizohen në praktik e mos të mbetën vetëm në letër. Duke forcuar edhe më shumë marrdhëniet tona vllazërore shtetërore dhe t'i ndihmojnë njëzëri qytetarët andej e këndej kufirit shqiptar”, përfundoi Haki Latifi për “Bota sot”.
Mehazi: Takimi i Ramës dhe Kurtit, shpresë bashkëpunimi e bashkimi
Edhe analisti politik, Sulejman Mehazi e vlerësoi si shumë të dobishme mbledhjen e organizuar nga dy qeveritë shqiptare.

Ai në një prononcim për “Bota sot” e cilësoi këtë mbledhje si një shpresë për shqiptarët, marrë parasysh zhvillimet dhe tensionet e fundit në veri të vendit tonë.
“Çdo takim i përbashkët i dy qeverive shqiptare është e mirëseardhur dhe e dëshiruar, kështu që takimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, më 14 qershori në Gjakovë shqiptarëve të dy vendeve në këtë situatë të tensionuar në veri të Kosovës ju jep shpresa bashkëpunimi dhe bashkimi.
Takimi në Gjakovë i dy qeverive shqiptare është vazhdimësi takimesh që më shume do ketë frymën e marrëdhenieve bilaterale diplomatike, ekonomike, infrastrukturore, kulturore në mes dy vendeve dhe se shumë pak do bisedohet për problemet tensionuese në veri të Kosovës pasi dihet se kryeministri i Shqipërisë pa pyetur fare Kurtin ua dërgoi një farë plan-statuti të fshehur për asociacionet serbe presidentit të Francës, Macronit dhe kancellarit gjerma Shcholz”, deklaroi analisti.
Krahas kësaj, Mehazi përmendi edhe qëndrimet e Ramës për ngjarjet në komunat veriore të Kosovës, derisa tha se nuk pret ndryshim të qëndrimeve të tij, gjatë kësaj mbledhjeje.
Madje, ai pret që këtë takim në Gjakovë, Rama do ta përdorë si mundësi për krijim të spektaklit ndaj Kurtit.
“Në psikologjinë religjioze veprimet e fshehura, tinazare janë djallëzore e mëkatuese njësoj sikurse që është djallëzor e mëkatues projekt-statuti i Ramës drejtuar Francës dhe Gjermanisë. Për problemet e ngjarjeve të fundit tensionuese nuk mund të presim shumë nga ky takim në Gjakovë, pasi dihen qëndrimet e Ramës, i cili para disa ditëve fajësoi qeverinë e Kosovës dhe doli në anën e SHBA-ve e BE-së që e ka kuptimin e përkrahjes indirekte e të tërthorrtë ndaj protestuesve arrogantë e të egër serbë në veri. Takimi i Ramës dhe Kurtit në Gjakovë më shumë do ketë spektakle mediake nga ana e Ramës ndaj Kurtit i cili me sjelljet jodiplomatike dhe me deklaratat e tij cinike do nënçmojë situatën e paqartë në veri të vendit. Dyfytyrësia politike e Ramës është e njohur që moti, se ai brenda Kosovës bëhet më patriot se familja e Jasharajve, mirëpo sapo kalon kufirin e Kosovës bëhet më patriot se Vuçiqi për Serbinë”, theksoi ai.
Në fund, analisti kritikoi ashpër luhatjen e qëndrimeve të Ramës, për këtë arsye edhe u shpreh pesimist për arritje të ndonjë marrëveshjeje që lidhet me veriun e vendit.
“Edi Rama, para kosovarëve bëhet më kosovar se kosovarët, kur takohet me Vuçiqin bëhet më patriot se serbët, kur takohet me Erdoganin bëhet me turk e mysliman sesa Erdogani. Edi Rama në cilën anë frynë era në atë anë e kthen gëzofin politik, ai herë bëhet shqiptar, herë kosovar, herë serb, herë turk, herë katolik, herë ortodoks, herë mysliman etj.
Qartë se në Gjakovë do takohen dy politikanë me veprime të kundërta politike e shtetërore, njëri është serioz ndaj shtetetit të tij dhe shqiptarëve, Albin Kurti, dhe tjetri psikolabil ndaj shtetit të tij dhe Kosovës, Edi Rama, kështu që në Gjakovë përveç spektakleve të kryeministrit të Shqipërisë nuk do ketë asnjë marrëveshje në lidhje me situatën e vështirë në veri të vendit”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.