‘Kërcënimet’ e BE-së për sanksione ndaj Kosovës – shpresat te politika amerikane

Politika

‘Kërcënimet’ e BE-së për sanksione ndaj Kosovës – shpresat te politika amerikane

Arife Morina Nga Arife Morina Më 13 qershor 2023 Në ora: 17:01
Gabriel Escobar, Albin Kurti, Misroslav Lajçak

Kosova dhe Serbia nuk po arrijnë një marrëveshje për të qetësuar situatën në veri të Mitrovicës. Për këtë arsye ky qëndrim kundër propozimit të BE dhe SHBA, duket se do t’u kushtojë me sanksione të dyja vendeve. 

Kështu të paktën ka paralajmëruar ditë më parë zëdhënësi i BE-së për Politikë të jashtme dhe siguri Peter Stano. 

Ai në një paraqitje mediatike, tha se përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka nisur diskutimin me vendet anëtare në lidhje me gjendjen, çka mund të përshkallëzohet deri në sanksionim ndaj dy liderëve. 

“Nëse palët dështojnë të veprojnë, BE-ja është e gatshme të marrë masa të vendosura që do të ndikojnë në marrëdhëniet tona.  BE-ja u kërkon të dyja palëve që të jenë konstruktive dhe të gatshme për kompromise – dhe ne duhet të shohim hapa pozitiv veçanërisht nga Kosova për të zbutur tensionet në terren në veri të Kosovës shumë shpejt” tha Stano. 

Sipas përfaqësuesit të BE-së, të dërguarit e posaçëm, Lajçak dhe Eskobar, po intensifikojnë bisedimet për palët, dhe Bashkimi Europian pret që Kosova të këtë qasje ndryshe. 

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të ndërkombëtarëve, nuk ka sinjale të qarta se kur mund të takohen liderët e Kosovës dhe Serbisë. 

Halimi: Çfarëdo trysnie ndaj Kosovës është e padrejtë dhe e pasinqertë 

Image
Armend Halimi

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli për sanksionet e paralajmëruara të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe Serbisë. 

Ai reagoi ashpër duke thënë se ky presion është i padrejtë ndaj Kosovës dhe se është shteti serb, përgjegjës për gjithë situatën e krijuar. 

“Çfarëdo trysnie ndaj Kosovës është e padrejtë dhe e pasinqertë, qoftë nga aspekti historik qoftë i tanishëm. 

Serbia është ajo e cila si e vetme bartë përgjegjësinë si në të kaluarën për shkaktimin e luftërave dhe gjenocideve, e që megjithatë asnjëherë nuk u bë përgjegjëse si shtet, edhe për tani me politikat e saj destabilizuese”, deklaroi ai. 

Sipas tij, shpresat janë te Amerika dhe politikat e saj, jo sanksione, por qortime, derisa shtoi se pa njohje të ndërsjellt mes dy shteteve nuk mund të ketë prespektiv. 

“Andaj, duke qenë kështu, shpresojmë shumë në një strategji politike amerikane që ndryshe duket dhe ndryshe është, dhe që nuk janë kërcënime reale ndaj Kosovës për sanksione, por si një lloji qortimi për lëshim, e që fundi shpresojmë se do vijë si duhet, Kosova nuk lëshon pe për arsyet e forta të drejta, dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk shkon më tej përveç kërkesës ndaj Serbisë të pranoj Kosovën si shtet, ndryshe e ardhmja e saj është e zymtë dhe pa prespektive”, tha ndër të tjera Armend Halimi për “Bota sot”. 

Preqi:  Diskutimi i Borrelit me vendet anëtare për të sanksionuar edhe Kosovën, janë jo transparente 

Kurse, opinionisti Dedë Preqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se vendi ynë gjendet në një pozitë të vështirë, por jo për faj të saj. 

Image
Dedë Preçi

Sipas tij, nuk është e drejt që Kosova të ngarkohet me problemet që i ka shkaktuar Serbia e Vuçiqit. 

“Është e qartë se tani për tani Kosova, gjendet në një situatë të pa lakmueshme, por jo edhe me tërë fajin e saj, sepse bëhet fjalë për disa cekje të problemeve që ka shkaktuar Serbia dhe Vuçiqi, nuk është e drejt të ngarkohet apo t’i përgjigjet një situate të tillë shteti dhe qeveria e Kurti, pa e përshkuar mirë gjithë historinë e këtyre problemeve. Pas trazirave të fundit në veri të vendit në tri komunat me shumicë serbe, me ç’ rast bandat e organizuara kriminale serbe në vend të protestave në kundërshtim të kryetarëve shqiptar të posa zgjedhur, ata iu revanshuan qëllimshëm policisë së Kosovës, mediave dhe KFOR-it, paqeruajtës, duke ua rrezikuar edhe jetën me mjete të forta dhe armë zjarri. Prandaj, format e organizimeve të tilla janë të dëmshme ndaj se cilit vend të botës, po ashtu edhe ndaj një shteti të ri e demokratik siç është Kosova, e cila me Kushtetutën e vet parasheh në mënyrë të barabartë të gjitha etnitetet e këtij vendi pa dallim, në veçanti janë bërë shumë lëshime dhe një tolerancë e pa parë ndaj pakicës serbe në komunat veriore”, deklaroi opinionisti. 

Po ashtu, Preqi u shpreh se në momentin kur në sfond dukej një përafrim i bisedimeve, ishte pikërisht presidenti seb që prodhoi skandal me huliganët serbë. Krahas kësaj, kërkoi kujdes të veçantë ndaj miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar. 

“Posa del në skenë nevoja e ngutshme që të shtensionohet situata në veri të vendit dhe mes Kosovës dhe Serbisë, të përafrohen bisedimet dhe marrëveshjet për përmirësimin e gjendjes, Vuçiqi dhe politika serbe për gjitha këto skandale të huliganeve serb, e lë fajtore qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti, dhe bashkësia ndërkombëtare, sikur e mbështet dhe i jep të drejtë këtyre njerëzve edhe pse format e sjelljes së serbëve ishin të dhunshme dhe e kishin domethënien kriminale. Kosova dhe qeveritë e saj, duhet të kenë vëmendje dhe kujdes të veçantë ndaj miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar, duke i konsideruar të gjitha kontributet e tyre pa dallim në çështjen e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, me një theks të veçantë SHBA-të, që janë i gjithë motori dhe makineria e arritjeve dhe ecjeve të mëtutjeshme të këtij populli dhe shteti”, theksoi ai. 

Më tej, opinionisti vlerësoi se BE nuk po i bën “mirë llogarit”, kur vjen puna te Kosova dhe raportet e saj me Serbinë. 

“Në fakt, ne mund të vërejmë edhe ndihmën e BE-së, në gjirin e së cilës synojmë të inkuadrohemi si pjesë e pandashme e saj, dhe pikërisht Kosova, e meriton me sakrificat e veta dhe si një vend pro-evropian dhe pro-amerikan, të gjejë vetën e saj në këtë mes të vendeve të zhvilluara të botës perëndimore. Por, energjitë e BE-së, sikur po harxhohen në të kundërtën dhe jo në mënyrë të saktë e të duhur, që të vihen në gatishmërinë e vendeve të përllogaritura më mirë dhe si më të merituara, siç është edhe Kosova, e cila është deri në ditët e sotme më e izoluara në rajon, nga mos liberalizimi i vizave, duke u ndëshkuar në këtë formë nga vetë BE-ja, në vend që të ndëshkohet Serbia, e cila e ka merituar”, nënvizoi Preqi. 

Në fund, ai mbështeti kryeministrin Kurti dhe tentativat e tij për shtrirje të sovranitetit dhe ligjit në veri të vendit tonë. 

Opinionisti tha se populli dhe shteti ynë është aq i fuqishëm, sa do të rezistojë  deri në fund për të mbrojtur interest e veta, pavarësisht presioneve dhe ‘kërcënimeve’ për sanksione. 

“Në këtë mënyrë lindin edhe komplekse funksionale ndërnacionale, sepse sipas ligjeve të Kushtetutës së Kosovës, ky vend ka të drejtë të ushtrojë dhe zbatoj ligjet e veta në shtrirjen e tërë territorit të saj dhe e cila me pushtetin e kryeministrit Kurti, një gjë e tillë e ka vënë në zbatim të kësaj rregullore, dhe në anën tjetër kemi makinerinë serbe me dredhitë e saj në krye me Vuçiqin, duke u përzier dhe penguar në mënyrë të pa drejtë dhe të gabuar në shtetin e Kosovës, nuk këtë formë nuk do të ketë zgjidhje të kësaj nyje, për derisa në këtë nyje të ndërlikuar nuk kemi kahe të duhur dhe të drejtë për ta tërhequr fijen e zgjidhjes së saj… Dhe, sa do që Kosova dhe qeveria e saj aktuale, mund të ndëshkohet apo të sanksionohet nga bashkësia ndërkombëtare me ndonjë kuptim, të asaj që të futet në binarët që qojnë këtë vend diku në një humnerë, apo të shkëputet nga vartësia e trupit dhe gjymtyrëve të shtetit të saj, për të plotësuar ambiciet dhe ëndrrat e Serbisë, është një mëkat i madh i gjithë atyre që mund të kontribuojnë në këtë drejtim, edhe se, sa do i vogël një ndëshkim i tillë do të ndikojë shumë në dëm dhe kurriz të këtij shteti dhe këtij populli, i cili është aq i ndjeshëm dhe aq i pa fuqishëm të përballojë, por është aq i fuqishëm dhe i vullnetshëm, që të rezistojë deri në fund të kësaj bote për të mbrojtur dhe ruajtur të drejtat e veta, që i takojnë”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat