I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, javën e kaluar kishte vizituar Kosovën dhe Serbinë, me ç’rast pas përfundimit të vizitave e ka informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për rezultatet. Më pas Borrell ka nisur t’i informojë vendet anëtare të BE-së për hapat e radhës që duhet të ndërmerren.
Kështu i ka thënë medias, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.
Në anën tjetër Stano ka deklaruar se plani ishte që më 5 dhe 6 qershor të zhvillohej sesioni i parë i draftimit të Asociacionit në nivel të ekspertëve dhe të dyja palëve u ishin dërguar ftesat qysh më parë. Por, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së, Lajçak, u desh të shkojë në Kosovë dhe në Serbi dhe ky takim nuk u zhvillua.
“I dërguari i posaçëm i BE-së është i gatshëm të organizojë takimin e draftimit shumë shpejt dhe është në kontakt me të dyja palët”, theksoi Stano.
Analistët politikë për “Bota sot”, kanë folur rreth diskutimit në nivel të ekspertëve dhe formimit të ekipit menaxhues për asociacionin.
Burjani: S’mund të ketë ekspertë të tjerë, as të brendshëm, e as të jashtëm sipas marrëveshjes së kaluar të vitit 2013
![Image](/media/botasot.info/images/2023/June/14/auto_Bljerim_Burjani1686765809.jpg)
Blerim Burjani, analist politik thotë se ekipi për asociacion duhet të ketë në përbërje vetëm serbë, kjo pasi sipas tij paraqitet në marrëveshjen e vitit 2013.
Burjani tregon hapat sesi vazhdon punën ekipi menaxhues i asociacionit.
“Ministria e Pushtetit Lokal duhet të caktojë këtë ekip sipas marrëveshjes ata do të jenë serbë, pas caktimit të këtij ekipi njoftohet kryeministri, më pastaj e fillon punën e hartimit të draftit. Pas hartimit të draftit duhet të i dërgohet Kryeministrit pas verifikimit të draftit dhe pajtueshmërinë me ligjet në fuqi të Kosovës, pas konstatimit pajtueshmërinë ligjore kryeministri e propozon në Bruksel për diskutime të mëtejme. Pra s’mund të ketë ekspertë të tjerë, as të brendshëm, e as të jashtëm sipas marrëveshjes së kaluar të vitit 2013”, shprehet Burjani.
Kujtojmë se ekipi menaxhues për hartimin e draft statutit të Asociacionit është shkarkuar nga Qeveria e Kosovës në prill të këtij viti pas prezantimit të draftit në Bruksel, version ky që ishte hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga kryeministri Albin Kurti.
Ai ekipi ishte formuar nga qeveritë e kaluara të Kosovës në vitin 2016 dhe përbëhej nga katër persona, pjesëtarë të komunitetit serb, Danijella Vujiçiq, Jellena Bolloviq, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviq. Kordinatore e ekipit menaxhues ishte Danijella Vujiçiq, në atë kohë përfaqësuese e Listës Srpska, tani deputete në Kuvendin e Serbisë, nga partia e Presidentit Aleksandar Vuçiq.
Mulliqi: Në grupin e ekspertëve sigurisht se duhet të përfshihen miqtë tanë ndërkombëtar, si Mbretëria e Bashkuar
![Image](/media/botasot.info/images/2023/June/14/auto_850x636_850x636_850x636_skender-mulliqi-te-emerohet-ambasador-ne-tirane_612e1ffc7bc181636788662165057094416734268121686765809.jpeg)
Analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se në grupin e ekspertëve të sigurisë duhet të përfshihen edhe miqtë ndërkombëtarë.
Ai kërkon që ekspertë nga Mbretëria e Bashkuar të përfshihen pasi që i kanë dalë zot Kosovës në këtë proces.
“Kjo Nismë për takim ekspertësh ka qenë e planifikuar edhe më herët. Por eskalimi në dhunë nga strukturat paralele serbe të cilat nuk pushuan së vepruari krejt pas luftës, me qëllim të ndarjes të Kosovës, rinisën më sulme barabare ndaj forcave policore të Kosovës më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën. Në grupin e ekspertëve sigurisht se duhet të përfshihen miqtë tanë ndërkombëtar, si Mbretëria e Bashkuar, e cila në mënyrë më parimore është duke i dalë zot Kosovës në këtë proces shumë të zorshëm. Them me këtë rast të zorshëm, sepse nuk është menduar ndryshim aq radikal i miqve tanë, të cilët po i dalin më shumë zot Serbisë, se sa Kosovës, kur dihet se Serbia e pa reformuar e Vuçiqi nuk ka hequr dorë nga politikat e viteve të 90-ta, të shekullit të kaluar, të cilat politika sollën gjakderdhjen me të madhe pas Luftës së Dytë Botërore”, pohon Mulliqi.
Sipas Mulliqit, ekspertët duhet të kenë zotësi të madhe, ndërsa draft statuti është çështje ekskluzive e Kosovës, e jo edhe e Serbisë.
“Nga ekspertët tanë duhet të zgjidhen ata të cilët kanë zotësi të madhe. Mos të lejohet që për fatin e Kosovës edhe nëse sërish i nënshtrohemi trysnisë ndërkombëtare, të vendosin të tjerët dhe Serbia. Këtu e kam fjalën që mos të lejohet asnjë draft statut, që nuk është konformë ligjeve dhe kushtetutës së vendit. Ne dimë tashmë lidhur më këtë temë, se kemi edhe një draft status të Edi Ramës, të cilin BE-ja e konsideroj si të mirëseardhur. Kosova ka organet e saja legjitime të cilat edhe marrin çdo vendim për atë se si do të duket forma përfundimtare e Asociacionit. Unë mendoj se draft statuti është çështje ekskluzive e Kosovës, e jo edhe e Serbisë. Vuçiqit i takon si president i shtetit të kujdeset që shqiptarët e Kosovës Lindore të kenë të drejtat e tyre legjitime, dhe ta kanë edhe Asociacionin siç po e dëshiron Vuçiqi për minoritetin serb, në veri.
Bisedimet me Serbinë nuk duhet të largohen përtej si bisedime për normalizim të marrëdhënieve si dy shtete fqinje, kur dihet se presidenti serb po sillet sikur ai është edhe president i Kosovës. Nuk duhet të pranohet logjika pushtuese e Serbisë në bisedime. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur me organet e saja legjitime, edhe pse shovinisti Vuçiqi i quan ata organe të përkohshme dhe Kosovën e quan shtet të rremë. Kryeministri I Kosovës, sa herë që do të takohet me Borrell, Lajçakun dhe Eskobar, duhet t’u tregojë se ai nuk po bën asgjë të keqe, veç po e mbron ligjshmërinë dhe kushtetushmërinë e vendit të vet, e që këtë e dinë mirë edhe ndërmjetësit ndërkombëtarë”, përfundon Mulliqi.