Gjatë ditës së djeshme, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar nga forcat serbe në Veri të Kosovës, në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
"Policia e Kosovës është e brengosur dhe e dënon kidnapimin klasik. Sigurojmë qytetarët tanë që Policia e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë që të kryejë detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore", tha Baki Kelani nga Policia e Kosovës, i cili quajti këtë veprim si "kidnapim klasik" nga forcat e njësive speciale serbe.
E kjo ngjarje ka nxitur reagimin e presidentes Osmani, kryeministrit Kurti, liderëve opozitarë e mbarë opinionit publik në Kosovë e më gjerë.
Ndërsa nga bashkësia ndërkombëtare kanë thënë se janë në pritje të raportit të KFOR-it lidhur me këtë ngjarje, dhe se kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve.
Por për kidnapimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Ai thotë se rasti i djeshëm, është plotësisht i ngjashëm me atë që kishte ndodhur me 31 mars të vitit 2012.
“Ngjarja e 2023 ndërlidhet me ngjarjen identike me rastin e 31 marsit 2012, ku ne një pikë tjetër ku kufizohet territori i Kosovës me Serbinë, respektivisht në fshati Perpellacë të komunës së Podujevës, u kidnapuan 3 pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Pra ngjashmëria 100% po dëshmon që këto veprime janë mirë të organizuara dhe të kompletuara nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ku në vitin 2012 ishte involvuar vetëm pjesa e xhandarmerisë, një patrullë e rëndomtë, ndërsa te pjesa e rastit të djeshëm, vërehet një modifikim substancial për të realizuar një operacion të tillë special”, deklaron eksperti Shala, i cili jep edhe arsyet pse kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës ishte aksion special i forcave serbe.
“Arsyeja pse është operacion special vërehet në këto elemente:
1. Vëzhgimi i terrenit (njohja me të) i strukturave të sigurisë së Serbisë, përmes dronëve dhe lëvizjeve këmbë.
2. Pozicionimi dhe gjetja e hapësirës për veprim të skuadrës së tyre të forcave speciale ushtarake “Kobra”, duke garantuar perimetrin e sigurisë.
3. Bashkëveprimi me njësinë speciale “SAJ” të Policisë së Serbisë për t’i transportuar pas kidnapimit për në stacionin e bazës së tyre.
4. Efekti kohor (bazuar në ngjarjet aktuale të zhvilluar gjatë ditës ) ku patëm 3 ngjarje interesante:
a. Procesi i paraburgimit të Lunës
b. Fjalimi i zonjës Osmani në Parlamentin Evropian
c. Takimi në ambasadën Ruse në Beograd të Aleksandër Vuçiqit”, shprehet Shala.
Ai thotë se njësia “Kobra” nuk mund të veprojë pa dekretin dhe lejen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Pra nëse merret edhe një element tepër esencial i këtij plani operacional, konstatohet që njësia “Kobra” vepron me dekret të Presidenti të Serbisë, dhe nuk mund të angazhohet apo aktivizohet pa lejen e tij për veprim. Gjithashtu njësia tjetër e Policisë për të arsyetuar pastaj bartjen e 3 zyrtarëve të kidnapuar e ka realizuar “SAJ”, e cila për ka pesha është ekuivalent me “Kobrat”, vetëm që kjo ka kontroll civil demokratik”, shpejgon Shala.
Për fund, ai i ka bërë thirrje Kosovës që të fillojë urgjentisht formimin e xhandarmerisë.
“Duhet të jemi vigjilent dhe të fillojë Kosova të formojë xhandarmerinë e saj për t’i asistuar zyrtaret e policisë kufitare në të ardhmen, dhe kështu të garantohet një mbarëvajtje të procesit pa u penguar dhe rrezikuar nga ndërhyrjet e tilla të palës serbe në territorin e Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, eskperti i sigurisë, Drizan Shala.