Kosova po përballet me zhvillime të shumta politike, ku e gjithë vëmendja është zhvendosur në veri të vendit.
Atje, situata për momentin është tensionuese dhe mjaft kritike.
Në gjithë këtë vlug të ngjarjeve, ditë më parë, kryeministri shqiptar, Edi Rama ua propozoi presidentit Macron dhe kancelarit Scholz një draft-statut të Asociacionit.
Dihet se një nga shkaqet e gjithë këtyre problemeve dhe mosmarrëveshjeve me shtetin serb, është Asociacioni dhe refuzimi i qeverisë Kurti për ta themeluar atë.
Kujtojmë, se kohë më parë krahas këtij Asociacioni, u përmendte edhe ndarja e Kosovës.
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot”, draft-statutin e Ramës e cilësoi si një befasi të keqe për shqiptarët e Kosovës.
Fillimisht, ai tha se i vetmi qëllim i ti është që të realizohet Asociacioni dhe të ndahet Kosova.
“Draft-statuti i Edvin Ramës për Asociacionin, i ka surprizuar për të keq, madje jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por edhe ata të përbotshëm. Sepse nuk ka denjuar ta konsultojë, paraprakisht, as kryeministrin Albin Kurtin, i cili e ka ekskluzivitetin e dialogimit të Asociacionit Kosovë-Serbi!
“Një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar, që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”, - thotë kryeministri shqiptar, Edvin Rama.
Ndërsa, zyrtarët dhe ekspertët në Kosovë dhe Shqiptari, nuk shohin asnjë “arsye” bindëse, për krijimin e çfarëdo Asociacioni, ndërkohë që Kosova me shqiptarët shumicë dhe komunitetet pakicë, kanë një Asociacion komunash, ku pakicat kanë të drejta të bollshme, madje me shumë se çdo minoritet tjetër në rajon, Ballkan e më gjerë. E vetmja “arsye” është, se çfarëdo standardesh që mund të realizohet një asociacion i dytë, monoetnik, ka për qëllim krijimin e premisës, për ndarjen e Kosovës, shkëputjen e Veriut të Kosovës dhe bashkimit të saj Serbisë. Pra, e krahasueshme me sentencën “të gjitha rrugët të çojnë në Romë!””, deklaroi publicisti.
Po ashtu, Zeqiraj u shpreh se vazhdimisht Rama është shquar për sjellje negative ndaj Kosovës dhe se përgjigja e qeverisë tonë ishte diplomatike sa i përket Asociacionit.
Madje, ai përmendi edhe tri kërkesa të Baton Haxhiut.
“Nga Qeveria e Kosovës thonë se “nga Shqipëria zyrtare presin mbështetje, pasi ndërmjetësues, tashmë, janë bërë shumë”. Një përgjigje diplomatike, por një refuzim i prerë. Vet sjellja e Ramës ndaj Kosovës, në raport me Serbinë, në përgjithësi, dhe për dialogun, në veçanti, është provuar dhe shquar për negativitet. Rama e ka thënë dhe përsëritur se “Vuçiqin e kam mik!” Hafijen e hershëm të Serbisë, Baton Haxhiun e ka këshilltar personal, i cili është i pari që në T7 -Pressing-, ka befasuar me tri kërkesat, kinse, të tijat, por, në fakt, ishin të Hashimit:
Zhbërja e Gjykatës Speciale;
Falja e krimeve reciproke serbo-shqiptare;
Pajtimi serbo-shqiptar”, theksoi ai.
Krahas kësaj, publicisti tha se ideja për ndarjen e Kosovës ishte e Thaçit, ndonëse Hasani vlerëson se një e tillë erdhi nga Rama.
“Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka shprehur mendimin se ideja për ndarjen e Kosovës, është e Edvin Ramës. Realisht, kjo është ide dhe projekt i Hashim Thaçit, në koordinim me Shërbimin sekret francez dhe Serbinë. Dhe, gjithësesi, me aprovimin e kryeministrit Rama. Kjo ndodhi, pasi Hashimi u shantazhua me dosjet e krimeve faktike, gjatë dhe pas luftës, krimet vrastare të kundërshtarëve politikë.
Pojektit makabër, për ndarjen e Kosovës, të maskuar pas shkëmbimit të territoreve, iu bashkuan edhe disa komandantë të luftës, pjesë të krimeve numerike. Të tufëzuar në PAN-in kriminal, provuan zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, por dështuan. Ndonjëri hoqi dorë nga udhëheqja e dialogut, edhe pse, ligjërisht, i takonte, duke ia faturuar Hashim presidentit”, nënvizoi ai.
Në vazhdim, publicist përmendi tentativat për zhbërjen e Speciales dhe lobimet me pagesë që u bënin për projektin e ndarjes.
“Megjithatë, edhe pse nën shantazh, nuk u dorëzuan. Kuadri i Ministrisë të Jashtme, përfshi edhe shumica absolute e ambasadorëve, ishin PAN-istë të rreshkur, ashtu siç është e kapur edhe, pothuaj se, i tërë sistemi i drejtësisë, pavarësisht mungesës fizike të Hashimit. Qendra lobuese u vendos në ambasadën e Kosovës në Amerikë. Që andej, dirigjohej lobimi, madje edhe me pagesë, në Evropë.
Diplomatja boshnjake, Sabina do ta denonconte ambasadoren Vlora Çitaku, për lobimin e ndarjes të Kosovës. Lobistë të njohur shqiptarë në Amerikë, të cilët dikur priteshin me respekt në Shtëpinë e Bardhë, për hallet e Kosovës, tani filluan të merren me hallet e Hashimit, me shokët e tij komandantë. Shfrytëzuan miqësinë e tyre, i bindën të trokisnin në zyrat e ish-presidentëve, senatorëve dhe personaliteteve tjerë, duke i lutur për zhbërjen e Gjykatë Speciale, për ta shpëtuar Hashimin me kriminelët e tij”, shpjegoi Zeqiraj.
Më tej, ai potencoi se ata që kërkuan ndarjen, tani po e kërkojnë me çdo ngulm themelimin e Asocaicionit, pasi sipas tyre ai është nënshkruar dhe votuar në Kuvendin e Kosovës.
“Kjo qasje hasi në reagimin e atdhetarëve mërgimtarë. Vatranët u ndanë. Edhe gazeta e Nolit "Dielli", aplikoi cenzurën për kritikët e Hashimit me shokë. Për rrjedhojë, burrat e dikurshëm u zvetnuan në respektin që kishin. Lobi Shqiptar, përkatësisht, Liga Shqiptare në SHBA, lëshoi alarmin se Kosova është varfëruar me lobues, pranë Qendrave Vendimmarrëse. Ndërkohë, Lobi serb është mobilizuar, duke u hedhur në lobimin ofenziv, sulmues për "Kosovën Serbe".
Në shërbim të këtij lobimi është aktivizuar opozita shqiptare e Kosovës, gazetarë e analistë pro-serbë, argatë të Hashimit dje dhe sot, për ndarjen e Kosovës. Ata që dje ishin angazhuar për ndarjen, sot kërkojnë Asociacionin me kompetenca ekzekutive, sepse marrëveshja është nënshkruar dhe parlamenti e ka votuar, andaj duhet zbatuar!?”, ritheksoi publicist nga Gjermania.
Ndër të tjera, Zeqiraj tha se disa që mbështesnin ndarjen e Kosovës, janë bërë ‘yje’ të debateve televizive, ku me të drejt Shkëlzen Gashi kërkon bojkotimin e tyre.
“Ata shkojnë larg në tradhtinë e tyre të hapur, kërkojnë referendum në veriun e Kosovës, duke e ditur, paraprakisht, rezultatin, në përfitim të serbëve! Ata janë bërë "yje" të debateve televizive, me paraqitjen e përditshme. Janë disa komandantë të inkriminuar, të akuzuar bazikë për krime, por të liruar me milionat e dhëna, në këmbim të lirisë së tyre personale. Me të drejtë analisti dhe publicisti Shkëlzen Gashi ngulmon në bojkotimin në media, të këtyre argatëve të Hashimit, përkatësisht, Serbisë”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.