I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha sot se ende po punohet në planin tre pikësh evropian për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës, e cila sipas tij po krijon kushte të vështira për tërë rajonin.
Escobar tha se asnjë vend ose udhëheqës nuk mund të përcaktojë kursin e stabilitetit rajonal dhe se ndaj atyre që refuzojnë partneritetin do të ketë pasoja.
Zyrtari amerikan gjithashtu kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen të paraburgosur në Serbi, por tha se hetimet se ku u kapën ata ende po vazhdojnë.
Në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur analisti dhe profesori nga Amerika, Binak Maxharraj.
Ai u shpreh se arrestimi i policëve ishte si hakmarrje për Milun Lune Milenkoviç.
“Siç dihet më 14 Maj 2023 afër 1,5 kilometra në brendi të Kosovës u rrëmbyen tre pjesetarë të policisë se Kosovës, si hakmarrje për kriminelin, terroristin Milun Lune Milenkoviç. Policia e Kosovës ka fakte të argumntuara se ky ishte një rrëmbim, kidnapim klasik i xhandarmërisë serbe nën drejtimin e vet kryetarit të Serbisë Vuçiq me rrenën e tyre siç e kanë zanat atë gënjejnë dhe mashtrojnë”, u shpreh ai.
Më tej, profesori thotë që ani pse Escobar po kërkon lirimin e policëve, është Vuçiq ai i cili nuk po e dëgjon sepse qëllimi i serbëve është të bëjnë ndarjen e Kosovës.

“Përveç reagimve të shumta nga të gjitha anët për këtë rast, reagoi mjerushëm edhe emisari i SHBA-ve, Gabriel Escobar, i cili afër dy ditë po e përsëritë si vjershë lirimin e menjëhershëm të policëve të pafajshëm. Por atë askush nuk po e dëgjon në Serbi, bile as bashkëbiseduesi i tij i flakët Vuçiq i cili e gënjejte dhe mashtronte në sy Escobarin por veç i besonte.Sepse qëllimi i Vuçiqit nuk janë një grusht serb në veri, por problem janë kriminelët dhe banditët e Vuçiqit që po krijojnë qe 20 vite problem në veri me qëllim të ndarjes së Kosovës”, shpjegon profesori.
Në fund, ai thekson që Kosova nuk e meriton sjelljen e Escobarit që mbron interesat e Serbisë.
“Ky është interesi nacional dhe kombëtar i Serbisë dhe Vuçiqit të ndajë Kosovën e jo serbet lokal që i kanë më shumë të drejta se çdo pakicë tjetër. Ndalu pak, kthjellu pak o Escobar mos e merrë n’qafë Kosovën,ajo nuk e meriton një sjellje tuajen kësisoji”, përfundoi Maxharraj për “Bota sot”.