Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për “Bota sot” se opozita nuk ka informacione rreth diskutimeve që janë zhvilluar dje ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe emisarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas deputetes Musliu-Shoshi, zgjidhja për çështjen e veriut pritet nga Kurti, pasi që, sipas saj kjo është përgjegjësi e tij.
“Ne nuk kemi informacione se çfarë është diskutuar në takim, zgjidhja është përgjegjësi e Kurtit”, deklaron ajo.
Ditën e djeshme, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe këshilltarin e tij politik, Jeton Zulfaj, priti në zyrën e tij emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili erdhi për takim së bashku me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog, dhe bashkëpunëtorët e tij Christian Ramet e Mikko Väyrynen.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në fillim të këtij takimi, Kurti potencoi që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik. Në vijim, ai shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për de-eskalim dhe normalizim.
Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon asesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike.
Në lidhje me rrugën përpara, Kryeministri Kurti tha që neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështetë procedurat ligjore.
Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet.
Nga ana tjetër, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se tashmë duhen diskutuar hapat konkret në ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi.
Para gazetarëve në Prishtinë, Lajçak nuk ka dashur të komentojë masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, por bëri të ditur se BE-ja i ka gati sanksionet edhe për Serbinë.
“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Nesër do të jem në Beograd. Dëshira ime është që mos të ketë sanksione për Kosovën dhe Serbinë, por që t’i kemi të dyja palët duke u takuar në Bruksel dhe të negociojnë se si të implementohet marrëveshja e muajit shkurt Marrëveshja e Ohrit”, tha Lajçak.