Qeveria e Kosovës tashmë i ka filluar procedurat ligjore për largimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat në veri të vendit. Me ç‘rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka nisur përgatitjen e procedurave që do të mundësonin largimin e kryetarëve nga komunat veriore.
Por, si do të organizohen këto zgjedhje dhe a do të ofrojë garanci Bashkësia Ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Listës Serbe, njohës dhe analistë të kësaj fushe kanë mendime të ndryshme.
“Institucionet Kosovës po tregohen pragmatike për një veprim të tillë”
Analisti politik, Hidajet Ahmeti, thotë për “Bota sot” se kjo iniciativë duhet të ketë garanci nga Bashkësia Ndërkombëtare.
Sipas tij, Kosova është e gatshme për zgjidhjen e problemeve, ndërkaq Serbia është pala destruktive.
“Kjo iniciativë duhet të ketë garanci nga Bashkësia Ndërkombëtare, pasi nga ta është kërkuar një gjë e tillë. Nëse Bashkësia ndërkombëtare nuk do të jep garanci për një veprim të tillë, atëherë dështimi duhet të ketë një adresë. Institucionet Kosovës po tregohen pragmatike për një veprim të tillë, pasi po i japin një mesazh të qartë Bashkësisë Ndërkombëtare se Kosova është e hapur për zgjidhjen e problemeve. Por, Serbia është pala destruktive që nga inskenimet e rasteve mundohet të luaj rolin e viktimës e të përfitoj poenta në procesin e rrugëtimit ndërkombëtar”, thotë ai.
Ai tutje potencon se Serbia është agresori shekullor dhe se Kosova nuk duhet të bëjë gjithmonë kompromise.
“Pa dyshim, Lista serbe është produkt i Serbisë, rrjedhimisht instrument i Vuçiqit, që një gjë të tillë duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë Bashkësia Ndërkombëtare. Pala kosovare nuk duhet çdoherë të bëj kompromise përballë një agresori shekullor, për të cilat krime Serbia akoma nuk ka dhënë llogari e s'ka marrë përgjegjësi për gjenocidin dhe dëmet ekonomike. Serbia duhet të disiplinohet, por disiplinimi do të ndodhë kur kemi masa ndëshkuese nga Ndërkombëtarët, e jo favorizime. Vetëm në këtë mënyrën do të ndodhin zgjidhje serioze dhe objektive, ku palët do të konsideroheshin të barabarta në tavolinën e diskutimeve”, deklaron ai.
“Kërkesa për dorëheqje dhe rrëzim të aranzhuar për kryetarët nuk janë në përputhje me mandatin ligjor, kushtetues dhe demokratik”
Nga ana tjetër, analisti Blerim Burjani, thotë se nuk mund te shkarkohen kryetaret pa vullnetin demokratik të qytetarëve dhe as t’i imponohet dorëheqja.
“Qeveria do të hartoj udhëzues për peticionin qytetar për shkarkimin e kryetarëve në komuna, kaq, nuk mund te shkarkohen kryetaret pa vullnetin demokratik të qytetarëve dhe as t’i imponohet dorëheqja, që më pastaj kryetarët të ankohen në Gjykatë Kushtetuese për shkurtim mandati, pra rregullat dihen, ligjet dhe kushtetuta janë ne fuqi, është precizuar shume saktë në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, në ligjin për zgjedhjet lokale”, deklaron Burjani.
Tutje ai deklaron se, kërkesa për dorëheqje dhe rrëzim të aranzhuar për kryetarët nuk janë në përputhje me mandatin ligjor.
“Kërkesa për dorëheqje dhe rrëzim të aranzhuar për kryetarët nuk janë në përputhje me mandatin ligjor, kushtetues dhe demokratik. Miqtë tan ndërkombëtar kanë pushtete lokale edhe ata e din këtë çështje, përderisa tek ne kërkohet të mos përfillët asgjë dhe të shkohet në zgjedhje”, thotë ai.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri me 1 shtator 2023.