Blloku evropian ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zvogëluar praninë e policisë në dhe përreth objekteve komunale në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë një konference për media, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, megjithatë tha se duhen edhe hapa të tjerë që do të çonin në shtensionimin e mëtejmë të situatës në veri, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Këta janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë. Sikurse çdo gjë në dialog, afatet kohore nuk janë në dorë tonë. Afatet kohore varen nga aftësia e palëve për të përmbushur kërkesat e nevojshme, kriteret apo zotimet. Në mënyrë që të zbutet kriza aktuale, e kemi thënë shumë shpesh, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur në të gjitha katër komunat. Ato duhet të organizohen në mënyrë gjithëpërfishirëse. Kjo nënkupton pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, tha Stano.
Vlen të theksohet, se Kosovës po i bëhet presion i vazhdueshëm edhe për themelimin e Asociacionit, e që në këtë pjesë BE ka edhe përkrahjen e SHBA-ve.
E në lidhje me këto kërkesa të vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe kritika të saj ndaj Kosovës, ka folur për “Bota sot” publicist nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.
Fillimisht, ai u shpreh se Kosova u sanksionu në mënyrë të padrejtë, derisa përmendi edhe faktin që ndaj Serbisë nuk u ndërmor asnjë masë ndëshkuese.
“Kosova, padrejtësisht dhe arbitrarisht, u sanksionua me masa ndëshkuese politike dhe ekonomike! Ndërsa Serbia “e kaloi lumin pa u lagur!” BE-ja nuk u merakos as për kidnapimin e policëve shqiptarë, nga banda zyrtare serbe, brenda territorit të Kosovës. Dhe, përveç fjalëve, nuk ndërmori asnjë masë kundër Serbisë. Pas reagimit të botës demokratike, BE-ja, ndërkombëtarët, "sa për sy e faqe", bënë disa vërejtje, më shumë qortuese, se sa kërcënuese ndaj Serbisë”, deklaroi ai.
Zeqiraj tha se qeveria Kurti po merr hapa të rëndësishëm për de-eskalim të situatës, mirëpo që BE nuk po i vlerëson sa duhet.
Krahas kësaj, ai përmendi edhe ngulmimin e Amerikës për themelimin e Asociacionit, ku përmendi edhe ‘ngushëllimin’ e Hovenierit për shqiptarët.
“Edhe pse qeveria e Kosovës bëri disa hapa domethënës, për de-përshkallëzimin e situatës, BE-ja "po e konsideron se kjo nuk mjafton për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës!" Ajo përsëritë slloganin klishe se "nevojiten hapa të mëtejshëm", pa emërtuar ndonjë syrësh. Ndërsa amerikanët ngulmojnë në bërjen e Asociacionit, duke e përsëritur mënyrën e bërjes, konformë Kushtetutës të Kosovës. Por, Escobar i referohet edhe Marrëveshjes fatale të vitit 2013, të bërë nga i shantazhuari me dosje faktike të krimeve, ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë, Hashim Thaçi”, de
Ambasadori Hovenier, fort i merakosur për Asociacionin, ngushëllon shqiptarët me garancitë, se nuk do të përseritet rasti boshnjak i fashistit Dodik. Por, nuk përmend garancinë e shpërfillur të ambasadorit Hill, për krijimin e Asociacionit të 14 komunave me shumicë serbe të Bosnje Hercegovinës dhe as pendesën e tij të madhe, pse e bëri atë, përkatësisht, "Republika Srpska" dhe pasojat fatale të kësaj krijese monstrume, e cila ka paralizuar "shtetin" boshnjak!? Emisarët vijnë e shkojnë, por tragjikja mbetet dhe atë e vuan populli, që kurrë nuk e gëzoi ëndrrën e lirisë të mirëfilltë”, theksoi publicist.
Sipas tij, ëzhtë shqetësuese heshtja e ndërkombëtarëve ndaj synimit fatal të Serbisë, për aneksim të veriut.
“Dëshpërues është fakti se ndërkombëtarët i dinë qëllimet ngulmuese të Serbisë, për Asociacionin, arritjen e autonomisë territoriale për serbët e Kosovës, me synimin final, aneksimin e veriut të Kosovës. Dhe, megjithatë e heshtin fatalitetin e pritshëm për Kosovën hallemadhe!?
Vendimi i qeverisë të Kosovës, për vendosjen e kryetarëve të zgjedhur ligjërisht, në zyrat komunale shtetërore, ka qenë imponues. Sepse, -Lista Serbe- përgatitej për pushtimin e këtyre zyrave, edhe pse vullnetarisht e qëllimshëm, me udhër të Beogradit, i kishte braktisur. Trajtimi semplist, i thjeshtë, i veprimit të qeverisë, është sulmuar në mënyrën më të poshtër, kriminale, deri në tradhti, sepse trimëroi Listën Serbe dhe bandat e saj”, shpjegoi Zeqiraj.
Ndër të tjera, publicist nga Gjermania tha se ministrja Gërvalla me fjalimin e saj në Dubrovnik vendosi ‘pikën mbi i”.
“Kritika e bërë, në adresë të BE-së, nga ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donikë Gërvalla, nga takimi ndërkombëtar në Dubrovnik, edhe pse qortues për etikën diplomatike, është i përligjur, praktikisht, sepse ajo, duke lënë hipokrizinë, për ata që u mungon parimësia e guximi, "vuri pikën mbi -i-". Evropa, në luftën e saj për çlirim dhe mbrojtje, një herë nga fashizmi hitlerian, 80 vite më parë, dhe, më pastaj, nga komunizmi fashizoid Sovjetik rus, është ndihmuar për fitoren e lirisë dhe mbrojtjen e sovranitetit të saj. Dhe, kjo po ndodhë edhe sot.
Atëherë, pse BE-ja, ndërkombëtarët, duan ta godasin Kosovën, me relativizimin e kufinjëve të saj, të njohur ndërkombëtarisht, duke imponuar zbatimin e marrëveshjeve, të nënshkruara, siç është -Asociacioni i komunave me shumicë serbe-, nga individë dhe grupe të shantazhuara, me dosje të krimeve të bollshme?” – përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.