Në Gjykatën Speciale po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit e të tjerëve, të cilët ndër tjerash po akuzohen edhe për vrasjen e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës. E sot e ka përfunduar dëshminë e saj dëshmitarja e 17-të në Hagë.
Lidhur me këtë, analisti politik Nexhat Haziri thotë se nga Specialja po pritet me padurim zbardhja e vrasjeve politike.
“Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e të tjerëve ne Gjykatën e Hagës, ka një rrjedhë normale me gjithë specifikat e kësaj gjykate, por ajo që opinioni kosovar e pret me padurim është trajtimi dhe zbardhja e vrasjeve politike në Kosovë, të cilat kanë ndodhur në periudhën e luftës por edhe pas saj”, thotë Haziri.
Sipas tij, disa nga vrasjet politike do të marrin epilogun përfundimtar.
“Bazuar në numrin e dëshmitarëve dhe sipas burimeve të afërta një pjesë e vrasjeve politike do të merr epilog në gjykatën speciale në Hagë, pasi shumë dëshmitarë vetëm se kanë deponuar dëshmitë dhe të dhënat e tyre”, shprehet Haziri.
Por a do të ketë arrestime të reja nga Gjykata Speciale?
“Ndërsa se a do të ketë arrestime të tjera të të dyshuarve për krime, varet shumë edhe nga dinamika e punës së Gjykatës, por ajo çka dihet është se në muajin shtator eventualisht fillimin e muajit tetor, do të jenë së paku tre personalitete që do të marrin “rrugën” për në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.