Ditëve të fundit partitë politike opozitare kanë shtuar kritikat kundër qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Veçanërisht, mjaft kritikuese ndaj Kurtit po shfaqet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila për më tepër po e akuzon të parin e Qeverisë si “njeri i Serbisë”.
Kështu, gjatë ditës së sotme kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se dyshon që kryeministri Albin Kurti ‘është njeri i Serbisë”.
“Kryeministri i Kosovës që nuk ftohet në Washingotn është problem. Në shumë fusha të jetës tonë, Kurti po e dëmton qytetarin e Kosovës direkt. Sjellja e tij me mësimdhënës për ato 50 euro. Mburrja që e kemi borxhin publik të vogël, dëgjoni borxhi publik është më pak rrezik se ikja e njerëzve. Ky ka bërë shumë dëme. Duke marrë parasysh edhe ato strategjike me aleatët.
Ky është recidivisht. Po bëhet një listë e gjatë e dëmeve. Dyshoj që është njeri i Serbisë. Ky është i kontratkuar vetëm për dëm për Kosovën. Unë dyshoj që ky është njeri i Serbisë. Një njeri i këtij veni, nuk ia bon këto që po ia bën ky këtij vendi. Nië njeri i këtij vendi nuk i lë fëmijët pa libra”, ka deklaruar Haradinaj.
E këto akuza për gazetën “Bota sot” i komentoi avokati Gazmend Halilaj.
Për Halilajn, Haradinaj me deklaratat e tij po i bën “autogol” vetvetës së tij dhe jo ndonjë dëm kryeministrit Kurti.
“Konfrontimet politike janë të kuptueshme deri diku dhe deri në atë masë sa nuk shtrembërohet në thelb e vërteta ! Në këtë rast z. Haradinaj me akuzën se gjëja Albin Kurti është “recidivist” në dëmet e njëpasnjëshme që po ia shkakton Kosovës po ia bën më shumë një autogol vetes se sa një dëm në adresë të kryeministrit Kurti. E vërteta qëndron ndryshe për z. Kurti dhe tani më ky është një sekret publik që e din i gjithë populli që nuk qëndrojnë argumentet e z. Haradinaj drejtuar kryeministrit Kurti”, u shpreh Halilaj.
Sipas tij, qetësia e Kurtit ndaj këtyre akuzave tregon se sa jo premtuese janë partitë opozitare.
“Dhe nëse vazhdohet me këtë gjuhë të ashpër në adresë të Kurtit dhe pa u mbështetur tek e vërteta, atëherë konstatojmë së kryeministri Kurti është një fatlum që më shume kujdeset opozita për rejtingun e tij pozitiv qe e ka në popull se sa vetë ai personalisht.
Qetësia e Kurtit e dëshmon më së miri që liderët opozitar tani më janë një orbitë jo premtuese politike në popull”, përfundoi Halilaj.