Përmes fushatës propaganduese kundër Kosovës, Serbia po shkel sërish marrëveshjen e Ohrit. Zbatimi dhe respektimi i të cilës është arritur një herë më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars me pranimin e aneksit të marrëveshjes.
Nga njohës të zhvillimeve politike në vend vlerësohet se kjo fushatë është bërë edhe më agresive, tani kur Kosova gjendet nën masat e BE-së pas tensioneve në veri të Kosovës.
Njohësi i zhvillimeve politike, Fidan Ukaj, thotë se Serbia me këto veprime po e shkel marrëveshjen e Ohrit, derisa potencon se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më rigoroze rreth kësaj çështje.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/August/28/auto_fidan-ukaj-1333x1000-1-e16728314168801693220273.jpg)
Sipas tij, fushata e Serbisë kundër Kosovës, ndër të tjera po dëmton edhe procesin dialogues.
“Sigurisht se fushata e Serbisë për çnjohje e dëmton procesin dilogues sepse marrëveshja e fundit e dakorduar në mirëbesim në Ohër-Bruksel parasheh ndaljen e kësaj fushate, e mos pengimin e Kosovës në rrugën e saj qoftë në njohje e po ashtu edhe në anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Serbia po e shkel marrëveshjen e dakorduar, e bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e qartë e më rigoroze rreth këtyre shkeljeve të marrëveshjes së Brukselit e Ohrit nga ana e Serbisë”, thotë ai për “Bota sot”.
Kujtojmë se, më 18 mars, në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre. Marrëveshja, që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.