Sot përfundon afati për Udhëzimin administrativ për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës. Afat ky i cili u shtye më 31 gusht nga grupi punues, me arsyen se i nevojiten edhe dy deri tri ditë për përfundimin e draftit përfundimtar të këtij udhëzimi.
Nga ana tjetër, profesori universitar, Mazllum Baraliu, vlerëson se këto afate nuk janë ligjore dhe se shtyhen për të punuar më detajisht në atë udhëzim.
Ndërkaq, sa i përket shpallës së zgjedhjeve ai thekson se pa pasur shkarkime, dorëheqje apo peticion nuk mund të ketë datë të mbajtjes së zgjedhjeve.
“Nuk mund të ketë datë të mbajtjes së zgjedhjeve pa pasur shkarkim ose dorëheqje të kryetarëve ose modeli përmes kërkesës së peticionit. Kështu që duhet të krijohen kushtet mandej t’i shpallë zgjedhjet presidentja, parakusht është dorëheqja ose shkarkimi i tyre. Këto afate nuk janë ligjore, janë afate teknike që qeveria ka marrë përsipër. Afatet shtyhen për arsye sepse ndoshta teknikisht nuk kanë arritur ta bëjnë udhëzimin, të punohet në detaje dhe gjatë debatit të shihet se a ka diçka për të ndryshuar nga ajo që ka bërë si koncept qeveria, gjegjësisht ministria përkatëse”, thotë ai për “Bota sot”.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/September/04/auto_mazllumi-1200x6301693846839.jpg)
Ndryshe, më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.
BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor, derisa ka paralajmëruar se një takim i nivelit të lartë në dialog do të mbahet në shtator.