Paralajmërimi i ambasadorit gjerman për Asociacionin - Ja çfarë i kërkohet Qeverisë Kurti!

Politika

Paralajmërimi i ambasadorit gjerman për Asociacionin - Ja çfarë i kërkohet Qeverisë Kurti!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 shtator 2023 Në ora: 08:07
Jorn Rohde

Asociacioni po mbetët ende një temë diskutimi në opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar. 

Serbia ka këtë kërkesë tash e disa vite, për të njëjtën që Kosova nuk po e pranon. 

Takimi i 14 shtatorit është rikthimi në tavolinën e bisedimeve mes Kurtit dhe Vuçiqit. E që një temë diskutimi padyshim që do të jetë Asociacioni. 

Mirëpo së fundmi vëmendjen e mori deklarata e fundit nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. 

Rohde ka thënë që qeveria e Kosovës është e vetmja që po hesht rreth punës së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. 

Sa i përket Asociacionit, ai tha që  vetëm Kosova po hesht rreth kësaj çështjeje ndonëse është akteri kryesor. 

Fillimisht këtu duhet kujtuar që Kosova që në vitet 2013 dhe 2015 e ka marrë përsipër obligimin ligjor për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Mbi këtë bazë ne dhe partnerët tanë po e kërkojmë themelimin e Asociacionit – edhe atë konform specifikimeve të Gjykatës Kushtetuese”. 

A është kjo deklaratë paralajmërim që Asociacioni do të jetë kusht në takimin e 14 shtatorit? 

Kelmendi: Jo Asociacionit një nacional serb në Kosovë 

Image
Muhamet Kelmendi

Juristi Muhamet Kelmendi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Asociacioni me pushtet ekzekutiv është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës në formën e bartjes së pushtetit lokal në Asociacion. 

Me 14 shtator në Bruksel, në takimin midis Kurtit dhe kriminelit të luftës, Vuçiq, mendohet se temë kryesore e diskutimit, do të jetë, Asociacioni. Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, nëse veç organizohet mbi bazën territoriale dhe nacionale, është një organizim i një subjekt  ri,  jashtë kushtetues dhe organeve legjitime të Republikës. Forma e tillë është jo ligjore. Asociacioni me pushtet ekzekutiv është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës në formën e bartjes së pushtetit lokal në Asociacion. Kjo, edhe për faktin se Asociacioni një nacional në shtet multinacional të Kosovës nuk lejohet me Kushtetutë. Ligjësisht është e pamundur”, thotë ai. 

Juristi nga ana tjetër shton që Asociacioni, në çfarëdo forme që themelohet, jashtë karakterit dhe anës së një shoqate me karakter jo qeveritar, është antikushtetues dhe prodhon konflikte në Kosovë. 

Formimin e Asociacionit një nacional serb krijon de-jure një subjekt të ri juridiko-politik dhe një nivel tjetër të pushtetit. Me kompetencat e komunave që barten në Asociacion kemi nivel të ri të pushtetit. Thjesht krijohet një autonomi e gjerë politike, juridike e kulturore. Asociacioni, në çfarëdo forme që themelohet, jashtë karakterit dhe anës së një shoqate me karakter jo qeveritar, është antikushtetues dhe prodhon konflikte në Kosovë. Të gjithë kundër Asociacionit një nacional dhe mbi bazë të territorit me pushtet ekzekutiv e juridik”, shpjegoi juristi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”. 

Elezaj: Deklarata e Rohde, mendoj se duhet marrë shumë seriozisht 

Në lidhje me këtë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Rexhep Elezaj. 

Image
Rexhep Elezaj

Ai u shpreh se formimi i Asociacionit është i pashmangshëm pasi për të njëjtën kanë nënshkruar Thaçi dhe Musatafa. 

Sipas tij, Qeveria Kurti në koordinim me partnerët ndërkombëtar duhet të formojnë AKS-në, pasi tashmë është obligim për Kosovën. 

Po, është e vërtetë se qeveria e Kosovës është e vetmja që po heshtë rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse do duhej të ishte e para që do ta kishte ofruar Draft-Statutin për formimin e këtij asociacioni, formimi i të cilit po zhagitet qe 12-13 vite, kuptohet jo për fajin e qeverisë aktuale, por për shkak të qeverive të mëparshme, ngase ishin H. Thaçi dhe I. Mustafa, ata të cilët i kishin nënshkruar dy marrëveshje në Bruksel (2013 dhe 2015), ku me nënshkrimet e tyre kishin pranuar formimin e këtij asociacioni. 

Prandaj, qeveria “Kurti” që kur e ka marrë pushtetin, mendoj se pranë gjendjes kaotike të trashëguar, çështjen e parë që është dashur ta bënte, ka qenë formimi i AKS-së, dhe atë në koordinim të ngushtë me ambasadorin amerikan në Prishtinë, J. Hovenier, por dhe me Gjermaninë, Francën dhe Anglinë, të cilat siç dihet i kanë garantuar Kosovës, se në asnjë mënyrë nuk do lejojnë që në veri të Kosovës të formohet Republika e dytë serbe, sikur ajo në Bosnjë, dhe në harmoni të plotë me normat kushtetuese të Republikës së Kosovës. Prandaj, është i pakuptueshëm qëndrimi zyrtar i qeverisë së Kosovës, e cila në fakt, me pranimin e Planit të BE-së (franko-gjerman) me 27 shkurt në Bruksel si dhe të Aneksit për implementimit të saj në Ohër, ka pranuar formimin e tij (Pika 7 e marrëveshjes), nga i cili obligim nuk ka fare mundësi që të shmanget”, u shpreh ai. 

Analisti cek që kundër këtij Asociaiconi janë të gjithë mirëpo kjo do të jetë kërkesa kryesore e Vuçiqit në takimin me Kurtin. 

Nuk ka shqiptar në Kosovë i cili me dëshirë e pranon formimin e një Bashkësie serbe brenda shtetit të vetë, pra të gjithë shqiptarët janë unanimisht kundër formimit të këtij Asociacioni, por janë dy ish kryeministra të Kosovës (Isa-Hashim), atë të cilët i kanë pranuar dhe nënshkruar dy marrëveshjet në Bruksel, sipas të cilave qeveria e Kosovës ka marrë obligim që ta themelojë AKS-në, madje të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës. 

 Andaj, jam i sigurt se qeverisë aktuale të Kosovës i duhet ta kryej këtë obligim të marrë në Bruksel, kuptohet ekskluzivisht në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, ashtu siç po na garantojnë miqtë dhe partnerët tanë strategjik në krye me SHBA-të. Kështu që, deklaratën e djeshme të ambasadorit gjerman në Prishtinë, z. Rohde, mendoj se duhet marrë shumë seriozisht, sepse pa asnjë dyshim, kërkesa numër një e Vuçiqit në takimin me kryeministrin Kurti me 14 shtator në Bruksel do të jetë formimi i AKS-së, kërkesë kjo nga e cila Beogradi zyrtar asnjëherë nuk do të heq dorë, sikurse as nga qëndrimi i tij i prerë, “se kurrë nuk do ta nënshkruajë dokumentin me të cilin Serbia do njeh pavarësinë e Kosovës”, nënvizoi Elezaj për “Bota sot”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat