Dy senatorë amerikanë i kanë shkruar letër sekretarit amerikan, Anthony Blinken.
Në letër njoftohet për gjendjen e shqiptarëve në Luginë dhe Blinkenit i kërkohet ta ngris zërin për këto diskriminime.
Lajmin e ka bërë të ditur Faton Bislimi, anëtar i bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane-amerikane.
Ai në postimin e tij në Facebook u shpreh se letra erdhi si rezultat direkt i punës së tij dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane bashkë me delegacionin nga Lugina e Preshevës.
“Në letrën e tyre, Senatorët i kërkojnë Sekretarit të Shtetit që të ngrisë temën e çështjes shqiptare në Luginë në secilin komunikim apo takim me autoritetet serbe. Letra potencon faktet tanimë të vërtetuara ndërkombëtarisht -- qoftë përmes Raporteve të vet Departamentit të Shtetit apo edhe Rezolutës së Parlamentit Evropian të Majit 2023 -- për diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve në Luginë, me theks të veçantë, pasivizimin e adresave si metodë administrative e spastrimit etnik. Tutje, në letër kërkohet realizimi i Planit Shtatëpikësh për të drejtat shqiptare në Luginë i pranuar edhe nga Serbia qysh më 2013. "Që nga ajo kohë, qeveria në Beograd ka bërë progres të limituar në implementimin e këtij plani. Asnjë nga pikat prioritare të planit nuk është realizuar në tërësi, e tek përfaqësimi në institucione qeveritare, nuk ka pas aspak progres," thuhet në letër”, shkroi ndër të tjera Bislimi, përcjell “Bota sot”.
Kjo u cilësua si një ‘goditje’ ndaj Serbisë, derisa po shpresohet të merren hapa konkret për këtë çështje.
E për këtë temë, për “Bota sot” folën analistët politikë, derisa shprehën këndvështrimet e tyre.
Zogaj: Mirëpo, veriu një ditë do të gjej zgjidhjen dhe, që në atë çast, do të fillojë çlirimi i Luginës
Opinionisti Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot” tha se çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është një padrejtësi historike.

Sipas tij, kjo është një çështje që ndërkombëtarët e kanë mirënjohur dhe e kanë në ‘fletore të detyrave’.
“Çështja e Luginës së Preshevës e cila është ndarë nga Kosova në vitin 1945 nga qeveria komuniste jugosllave dhe i është dhuruar Serbisë, me qëllim të copëzimit të trungut shqiptar dhe defaktorizimin politik, ekonomik por edhe nacional, shënon atakun brutal të hegjemonisë serbo sllave, e cila vazhdim ta mbajë peng në kthetra këtë pjesë toke të pastër etnike shqiptare.
Padrejtësinë historike të Luginës së Preshevës bota e ka të mirënjohur, dhe e dinë mirë se u takon shqiptarëve, prandaj, ndonëse nuk është thënë hapur, është problem që diplomacia ndërkombëtare e ka në “fletoren e detyrave””, deklaroi opinionisti.
Krahas kësaj, Zogaj mirëpriti letrën e senatorëve amerikanë për sekretarin Blinken, derisa tha se kjo letër do ketë një efekt pozitiv për diskriminimin që po iu bëhet shqiptarëve nga Beogradi zyrtar.
“Këtë e vërteton edhe reagimi i senatorëve amerikanë që tashmë ia kanë drejtuar letrën sekretarit amerikan Anthony Blinken, për ta njoftuar dhe për t'ia tërhequr vëmendjen për diskriminimin shtetëror serb kundër shqiptarëve të Luginës!
Letra e senatorëve amerikan për bindjen time të thellë është, jo letër me efekt të një "rezolutë" sepse, shënon topin e vogël të borës që lëshohet në maje të kodrës dhe që do ta krijojë ortekun duke u rrokullisur kah Lugina”, theksoi ai.
Ndër të tjera, opinionisti vlerësoi se kur veriu do të gjej zgjidhjen, në atë çast, do të fillojë çlirimi i Luginës.
“Le ta kemi parasysh se nga interesimet e senatorëve, është theksuar diskriminimi i Kosovës dhe, në saje të ngritjes së zërit të tyre sot Kosova është e lirë dhe e pavarur. E lirë dhe e pavarur në vitin 2023 ka mundur të jetë edhe Lugina, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të mos menaxhimit të mirë të lirisë së Kosovë, e cila për gabimet e veta po mbahet në pengun e veriut! Mirëpo, veriu një ditë do të gjej zgjidhjen dhe, që në atë çast, do të fillojë çlirimi i Luginës”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
Tutje, në letër kërkohet realizimi i Planit Shtatë pikësh për të drejtat shqiptare në Luginë i pranuar edhe nga Serbia qysh më 2013.
"Që nga ajo kohë, qeveria në Beograd ka bërë progres të limituar në implementimin e këtij plani. Asnjë nga pikat prioritare të planit nuk është realizuar në tërësi, e tek përfaqësimi në institucione qeveritare, nuk ka pasur aspak progres," thuhet në letër.
Letra senatoriale vije pak muaj pas letrës kongresionale të Kongresistëve Himes e Torres, po ashtu për Luginën, drejtuar Sekretarit Blinken.
Duhanaj: Çështja e shqiptarëve në Kosovën Lindore, apo në Luginën e Preshevës, është një plagë e rëndë

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj tha se Lugina e Preshevës është një plagë e rëndë.
Sipas tij, nuk ka logjikë që po bëhet ky spastrim etnik në Luginë, i cili po bëhet në sy të botës dhe në mes të Evropës.
“Çështja e shqiptarëve në Kosovën Lindore, apo në Luginën e Preshevës, është një plagë e rëndë, e cila rëndon mbi ne, e posaçërisht mbi ndërgjegjen e politikave zyrtare Kosovë, Shqipëri e më gjerë.
Nuk ka asnjë logjikë të shëndoshë, e cila mund ta arsyetoj spastrimin etnik që po i bëhet këtij regjioni. Nuk ka as edhe një arsyetim i cili mund ta përligj që në shekullin e XXI-të, para syve të botës, në mes të Evropës, të ndodhë një krim i tillë, e aq me pak kur sot i kemi dy shtete të pavarura shqiptare”, nënvizoi analisti.
Po ashtu, tha se kjo letra e senatorëve amerikanë është shkëndijë e një reagimi ndaj këtij problem.
Ai shpreson që të mos mbetet vetëm në letër kjo kërkesë, por të merren hapa konkret.
“Prandaj, po besoj që këto lëvizje, janë edhe shkëndijat e para, të cilat mund të kuptohen si reagim, kundrejt këtij problemi kaq delikat.
Ketë e them, pasi që përpos këtyre thirrjeve të senatorëve amerikan, kemi edhe ato të raportueses së BE-së për Kosovën znj. Von Crammon, e cila këto ditë, po ashtu kishte një reagim zyrtar drejtë institucioneve të BE-së, ku vë në spikamë tjetërsimin sistematik, përkatësisht fshirjen e adresave të shqiptarëve, që nënkupton spastrim etnik para syve të botës.
Uroj që këto, mos të mbeten vetëm zëra të vetmuara, por të filloj një pasqyrim i qartë i gjendjes, si dhe t'i thuhet stop, njëherë e përgjithmonë vuajtjeve dhe persekutimeve ndaj shqiptarëve kudo që jetojnë”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.