Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi e ka vlerësuar lartë takimin që presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi me presidentin amerikan, Joe Biden.
“Ndryshe nga krerët e politikës shtetërore në Shqipëri, nga Kosova shkuan në Nju Jork vetëm presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga ministrja e Jashtme dhe për Diasporë, Donika Gërvalla. Nga Shqipëria të gjithë janë në SHBA:- Presidenti, kryeministri, ministri i Jashtëm, kryetarja e parlamentit, madje edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës. Nga Kosova si kryeministri dhe kreu i Kuvendit janë në Prishtinë. Nuk u tunduan që të konkurrojnë njëri-tjetrin për sfilatë në OKB apo në institucionet amerikane!”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, Osmani mori mbështetjen e plotë nga Biden për dialogun me Serbinë, në kohën kur Kosova është nën presion të madh ndërkombëtar.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/September/22/auto_enver1695384099.jpg)
“Presidentja e Republikës, zonja Osmani, u takua me shumë personalitete amerikane. Me sekretarin e Shtetit, Blinken dhe po ashtu edhe me presidentin Biden. Edhe presidenti i Shqipërisë, zoti Begaj, e takoi presidentin Biden. Por në ndryshim, Vjosa Osmani për shkak të sensibiliteteve të situatës edhe bisedoi me presidentin amerikan. Nga sa është informuar publiku, të dy presidentët kanë biseduar gjithashtu për dialogun Kosovë-Serbi. Zonja Osmani ka marrë mbështetjen e presidentit Biden në këtë dialog, që do të thotë se ka gjithashtu garanci prej tij për një marrëveshje përfundimtare në mbrojtje të Republikës së pavarur e sovrane të Kosovës”, shprehet Bytyçi.
Siç thotë Bytyçi, duket se në spektrin politik në Kosovë ka një ndarje rolesh, të cilat komplementojnë njëri-tjetrin.
“Ku është Albini, Vjosa nuk duket dhe aq. Ku është Vjosa, Albini bën sikur nuk dëshiron të jetë aty. Më mirë se më herët dhe më mirë se në Shqipëri diplomacia e Kosovës është e konstruktuar më në ekuilibër, ka një harmoni më të plotë. Në Kosovë nuk ndodh që monopolin e diplomacisë ta pretendojë kryeministri apo presidentja. Ndryshe ndodh në Shqipëri dhe në Serbi, ku gjithçka e veçmas diplomacia [janë monopol o një autokrati të toleruar nga evropianët dhe amerikanët”.
“Vjosa Osmani nuk ka ndonjë faturë për të shlyer as përballë amerikanëve, as përballë evropianëve. Prandaj dhe i ka duart e lira të bëjë diplomacinë që i konvenon dhe intereson më së shumti Kosovës. Mos harrojmë se prej një dekade Serbia ka zënë vend gjithnjë e më shumë në optikën diplomatike, sidomos në Uashington. Takimet e presidentes së Kosovës me presidentin e SHBA-ve janë kontrapetal i përpjekjeve serbe për ta përmbysur raportin e Kosovës me Amerikën. Dikush mund të pyesë se pse ndodhin atëherë disa anomali në qëndrimet amerikane ndaj Kosovës? P.sh pse përfaqësuesit amerikanë po mbështesin misionin e Lajçak në dialogun Kosovë-Serbi, të kritikuar ashpër nga kryeministri i Kosovës. Por kritikat e zotit Kurti edhe sikur të kenë shërbyer për ti thënë Lajçakut, “bën kujdes, sepse e ke tejkaluar masën me qëndrimet tuaja të njëanshme”, kjo do të ishte e mjaftueshme. Ku e dimë ne se mbështetja amerikane për Lajçakun nuk është shoqëruar edhe me kritika për qëndrimet e tij?!”, shpjegon profesor Bytyçi për “Bota sot”.
Më tej, ai thotë se roli i presidentes Osmani është jetik për Kosovën.
“Politika dhe diplomacia amerikane është shumdimensionale. Në këtë kuptim roli i presidentes Osmani është jetik. Nëse kritikojmë zotin Escobar, apo ambasadorin Hill, kjo nuk do të thotë se Kosova duhet të konfliktohet me SHBA-të, kushdo që të jetë president i saj. Takimi dhe biseda qoftë e shkurtër e presidentes Osmani me presidentin Biden është në këtë kuptim i një rëndësie jetike. Në fund të fundit kreu i Shtëpisë Bardhë mori informacion të dorës së parë nga kryetarja e shtetit të Kosovës dhe kjo nuk është pak. Mos harrojmë se në raste të tilla, edhe nëse në administratën amerikane marrin hov lobistë të caktuar të Beogradit, ata për pak kohë tërhiqen, sepse duan të ruajnë veten, jo Kosovën!”, thekson Bytyçi.
Profesor Bytyçi thotë se presidentja Osmani po ndikon pozitivisht edhe te qëndrimet e kryeministrit të Shqipërisë për Kosovën.
“Presidentja Osmani gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka bërë dhe vazhdon të bëjë takime të shumta me personalitete të shumta ndërkombëtare. Ajo takoi edhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Të gjitha këto janë të shëndetshme për rolin e Kosovës dhe pozicionin e saj në bashkësinë ndërkombëtare. Dhe ndërkohë besoj se presidentja Osmani po ndikon pozitivisht edhe te qëndrimet e kryeministrit të Shqipërisë për Kosovën. Kurrë më parë Edi Rama nuk ka bërë deklarime në mbështetje të Kosovës, si këto ditë në OKB. Për mendimin tim në këtë kthesë sido që të vonuar të kryeministrit të Shqipërisë kanë ndikim Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe personalisht zonja Osmani. Mjafton fakti se presidentja e Kosovës ka një koordinim të shkëlqyer me presidentin e Shqipërisë dhe kjo e ndikon gjithashtu edhe te kryeministri Rama që të revizionojë qëndrimin e vet ndaj Kosovës. E kam fjalën për qëndrimin politik, se veset e partenalizmit nuk i heq Edi Rama!”.
“Nga çdo pikëpamje ta analizojmë sjelljen dhe përpjekjet e zonjës Osmani, diplomacia e saj i ka sjellë gjithnjë dobi shtetit të Kosovës. Pikërisht këtë po bën ajo edhe sot. Ka rol si kryetare e shtetit, por roli i saj lehtësohet edhe nga fakti se ajo nuk përballet drejtpërdrejt me kuajt e Trojës që natyrshëm ekzistojnë në mesin e evropianëve dhe amerikanëve, kur është fjala për të mbështetur të drejtën e të vërtetën në raport me Kosovën”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.