Asociacioni “problematik”, analistët propozojnë referendum për zgjidhje të tij

Politika

Asociacioni “problematik”, analistët propozojnë referendum për zgjidhje të tij

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 shtator 2023 Në ora: 19:06
Foto ilustrim

Asociacioni dhe zgjidhja e tij nuk po gjendet as pas 10 viteve.

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshjen e parë drejt në bazë të së cilës qëndronte krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Marrëveshja ishte negociuar mes kryeministrave të atëhershëm në Kosovë dhe Serbi, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Sipas marrëveshjes, Asociacioni do të krijohej me statut dhe do të themelohej mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës: do të kishte ketë kryetar, zëvendëskryetar, asamble dhe këshill.

Asociacioni parashikohej t’i përfshinte këto komuna: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Ky asociacion parashihej të kishte qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtronte edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si do të delegoheshin nga autoritetet qendrore.

Ndërsa, marrëveshja tjetër e nënshkruar më 24 gusht të vitit 2015, u bë sa kishte qenë në krye të diplomacisë së Evropës, Federica Mogherini, ku zotohej se Asociacioni – parimet e përgjithshme të të cilit do të nënshkruheshin të nesërmen nga Kosova dhe Serbia – nuk do të kishte kompetenca ekzekutive.

Kjo garanci atëherë, përmbushte ‘kushtin’ vendimtar të ish-kryeministrit Isa Mustafa për ta nënshkruar dokumentin e parimeve të Asociacionit më 25 gusht 2015.

Mustafa dhe homologu i tij atëherë, Aleksandar Vuçiq, i hodhën nënshkrimet në letër, me një pikë me rëndësi: që ajo që ishte nënshkruar të “kontrollohej” nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Marrëveshja binte ndesh me kushtetutën e Kosovës, por kërkesat për formimin e saj nuk u ndalën. Tani pas 10 vjetëve Asociacioni kërkohet nga ndërkombëtarët që ai të formohet sa më shpejt, kjo pasi sipas tyre i jep dritë jeshile dialogut Kosovë- Serbi.

Kosova dhe kryeministri Albin Kurti vazhdojnë ta refuzojnë asociacionin, ndërsa tashmë kanë filluar edhe propozimet sesi mund të zgjidhet kjo çështje.

Disa nga analistë propozojnë referendum për zgjidhjen e asociacionit, ndërsa të tjerë thonë se Kosova nuk ka ligj për referendum, por ASK duhet të formohet konformë ligjeve të saja.

Analisti politik, Nexhat Haziri, shprehet se një referendum për zgjidhjen e asociacionit do të ishte i papranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare.

Sipas tij, ky opsion do të ishte vetëm tentim për të blerë kohë.

“Së pari, Kosova nuk ka ligj për referendum, edhe pse nëse nuk gabohem është miratuar në parim projektligji për referendum, dhe mbi bazën e kësaj AKS-ja nuk mund të dalë në referendum, dhe së dyti do të ishte e papranueshme për bashkësinë ndërkombëtare, pra për Brukselin dhe Washingtonin. Ky opsion do të ishte vetëm një tentim për të blerë kohë dhe nuk do t’i kontribuonte kthimit të normalitetit të raportëve të Kosovës me aleatët, përkundrazi do ta thellonte edhe më tej hendekun e këtyre raporteve”, shprehet Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai thotë se Kosova e ka obligim të përmbush marrëveshjen, por në konformë ligjeve dhe kushtetutës së saj.

“ AKS-ja duhet të themelohet konformë ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës së saj. Është obligim dhe Kosova duhet ta përmbushë natyrishtë me garancim nga SHBA-ja dhe shtetet perëndimore evropiane që ky mekanizëm mos të ketë mundësi për defunksionalizim të shtetit të Kosovës dhe që mos të instrumentalizohet nga Serbia”, shton Haziri.

Disa hapa drejt formimit të asociacionit ishin bërë në vitin 2018 nga qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Për hartimin e statutit për Asociacionin ishte angazhuar një ekip menaxhues i përbërë prej katër zyrtarëve serbë. Ky ekip kishte afat deri më 4 gusht të vitit 2018 që të dërgonte në Bruksel draftin e parë të statutit për Asociacion.

Institucionet atëherë kishin thënë se nuk kishin pranuar një draft të tillë dhe se nuk kishin informacione nëse ky dokument i ishte dorëzuar BE-së, ndërsa në mars të këtij viti ky ekip menaxhues është shkarkuar, kjo pas prezantimit të versionin të tyre për draft statut, version ky i hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga kryeministri Albin Kurti.

Ndërsa, analisti politik Gani Qarri thotë se krijimi i Zajednicës është me rrezik nëse nuk shoqërohet me njohje të Kosovës.

Sipas tij, Kosova duhet të shkojë me referendum për apo kundër asociacionit.

“Të gjithë qytetarët e Republikës, tash e përgjithmonë, duhet ta kenë në dijeni, se nuk ka dënim, ndëshkim as kërcënim më të madh se sa betonimi i Serbisë hegjemoniste, brenda për brenda territorit të vendit tonë, me "zajednicën" kundërkushtetuese një etnike serbe, akt që për popullin dhe shtetin e ri të Kosovës, nuk mund të zhbëhet më, dhe veçanërisht e rrezikshme është, nëse krijimi i saj, nuk shoqërohet edhe me njohje, të njëkohshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Madje “zajednica”, bashkë me ligjin për kishat ortodokse, e që edhe ato, megjithëse janë pasuri autoktone kulturore të vendit tonë, nga injoranca e pafund e udhëheqësve të inkriminuar e të shantazhuar të qeverive të kaluara, i janë dhuruar komplet Serbisë hegjemoniste, do ta bënin tërësisht jofunksional shtetin tonë dhe venin në pikëpyetje edhe ekzistencën e Republikës së Kosovës! Shto kësaj edhe faktin se emisari Lajçak si dhe vet Josep Borell, përveçse ka kohë që mbajnë hapur anën e Serbisë, me metamorfozën e fundit, të ri-renditjes së pikave të marrëveshjes që u konstruktuan nga Lajçak dhe Vuçiq, edhe pse Kosova ka bërë kompromise të mëdha, duke pranuar që nga dialogu të largohej njohja reciproke, bëhet plotësisht e pamundur të vazhdojë çfarëdo bisedimi në këtë formë. Andaj ose duhet të zgjerohet vet ombrella e marrëveshjes me futjen e njohjes së njëkohshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ose Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja, të jashtëzakonshme dhe të vendoset me referendum, mbarëpopullor, për apo kundër formimit të "zajednicës"”, shprehet Qarri.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, kjo çështje e ndjeshme duhet të lihet në duart e sovranit, vendim ky që nuk mund të shfuqizohej më me asnjë të drejtë as nga BE, ShBA, apo kushdo tjetër.

“Përndryshe, BE dhe faktori ndërkombëtar, me këmbënguljen e paprecedent dhe tendencën e sëmurë për formimin me çdo kusht të "zajednicës" për vetëm 23-25 mijë pjesëtar të pakicës serbe, sa ka në veri të Kosovës, formimin e të cilës, e kërkojnë në vijimësi edhe partitë e inkriminuara shqipfolëse, si dhe ligjin për kishat ortodokse me eksterritorialitetin e tyre, kanë si qëllim afatgjatë, jo asociacionin serb, se dhe ashtu, në Kosovë ka shumë pak serb, për të pasur të drejtën ligjore e kushtetuese në institucione të vetçanta etnike, por shndërrimin de fakto, të vet shtetit të sotëm të pavarur të Kosovës, në një asociacion shqiptarësh, nën pushtimin e Serbisë! E duke qenë se asnjë qeveri dhe as Qeveria aktuale, nuk gjetën guximin për ta shfuqizuar në Kuvend "zajednicën" dhe dënuar për tradhti ndaj vendit, autorët e nënshkrimit të marrëveshjes së saj, në situatën, në dukje, pothuajse pa shtegdalje, në të cilën faktori ndërkombëtar, shihet hapur, se qëllimisht e ka vendosur vendin tonë, Qeveria e Kosovës nuk ka zgjidhje tjetër, nëse nuk dëshiron të rrëshqas në tradhti, përveçse të shpallë referendum mbarëpopullor. Dhe në vend se ta lë këtë çështje kaq të ndjeshme, në duar të pabesueshme të ndërkombëtarëve, të vendos vet sovrani i vendit tonë, me votën e tij, të lirë plebishitare, për ose kundër asociacionit, vendim të cilin, nuk do të mund ta shfuqizonte më, me asnjë të drejtë BE as SHBA, apo kushdo tjetër nga faktori ndërkombëtar”, thekson Qarri.

Tutje, sipas tij nëse ndërkombëtarë nuk pranojnë vendimin e popullit të Kosovës me referendum, atëherë le të vendosin reciprocitetin si për pakicat serbe në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët etnikë në trojet e tyre autoktone të mbetura nën Serbi.

“Përndryshe për ne si vend dhe popull, është shumë e rëndë që me njëanshmërinë e tyre të pështirë, pro Serbisë, e cila përveçse mban tash e mbi 24 vite edhe mbi 1640 trupa të shqiptarëve të kidnapuar, ende nuk është thirr asnjëherë të vetme në përgjegjësi as dënuar nga faktori ndërkombëtar, për gjenocidin dhe krimet e kryera në Kosovë, pas të gjitha tragjedive të përjetuara dhe padrejtësive të panumërta, tani Serbia u dashka shpërblyer edhe me "zajednicë" në vendin tonë, për bëmat e saj?! Pra në rast se vërtetë ndërkombëtarët nuk pranojnë vendimin e popullit të Kosovës me referendum, për ato që duan të na imponojnë në vendin tonë pa pëlqimin as dëshirën e shqiptarëve si shumicë absolute në Kosovë, atëherë ndërkombëtarët le të vendosin reciprocitetin, për çdo gjë me Serbinë, që nga trajtimi i pakicave kombëtare deri te krijimi i asociacioneve analoge, si për pakicën serbe në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët etnik në trojet e tyre autoktone, të mbetur nën Serbi. Duke ditur mirëfilli, se tandemi i rrezikshëm "zajednicë" & "ligji për kishat ortodokse", do ta paralizojë komplet funksionimin e shtetit tonë, nëse qëllimi i BE-së dhe faktorit ndërkombëtar, njëmend është që, përmes krijesave të shpifura serbe, ta rrezikojnë shtetin tonë dhe venë në pikëpyetje ekzistencën e Republikës së Kosovës, atëherë për një marrëveshje të tillë, as që ka nevojë Kosova, kështu që në këto momente kaq kritike për vendin, unë personalisht, e shoh, jo vetëm të nevojshme, por edhe të domosdoshme që mbi këto çështje shumë të ndjeshme dhe problematike, të vendoset me referendum mbarëpopullor dhe plebishit nga vota e lirë e sovranit, i cili edhe është mirëmbajtës dhe zot i këtij vendi!”, përfundon Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat