Analisti politik, Gani Qarri, vlerëson se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është akt i padrejtë dhe nuk duhet të pranohet me asnjë çmim, ngase siç thekson ai, zhbërja e shtetit të Kosovës, nuk mund të rikuperohet, as të zëvendësohet me asgjë.
Ai në një prononcim për “Bota sot”, thekson se asociacioni është kthyer në kusht dhe kërkesë për ShBA-të dhe BE-në.
“Asociacioni si njëra nga pikat e fundit të dakordimit gojor, për fat të keq u kthye në kusht dhe kërkesë të parë të BE-së dhe SHBA-ve, për fillim-zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, gjë që duke ditur pasojat që “zajednica” bart me vete për shtetin tonë, një krijesë e tillë, pa asnjë garanci për njohje nga Serbia, është vërtetë vetëvrasje me paramendim dhe kafshatë që nuk mund ta kapërdijë Kosova”, deklaron ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/September/23/auto_auto_auto_auto_gani1511075647-1-770x456163229026316787986691695502738.jpg)
Derisa flet për rrezikun në rast krijimi të asociacionit, ai potencon se kjo që po tentohet t’i imponohet me forcë Kosovës, është akt i padrejtë dhe nuk duhet të pranohet me asnjë çmim.
“Përndryshe Kosova nuk mund të bëhet ajo, që me dorën e saj, do ta qëlloj vetveten për vdekje dhe asgjësim, si shtet i pavarur e sovran, kur dihet se pavarësia jonë, është vulosur tash e mbi 13 vite nga GJND, si organi më i lartë juridik i OKB-së, dhe njohur po ashtu, nga mese 120 shtete anëtare me të drejta të plota të OKB-së. Kjo që po tentohet, t’i imponohet me forcë Kosovës, nuk mund të quhet marrëveshje, por diktat, është akt i padrejtë dhe nuk duhet të pranohet me asnjë çmim, ngase zhbërja e shtetit të Kosovës, nuk mund të rikuperohet, as të zëvendësohet me asgjë. E një përgjegjësi kaq të rëndë, e cila nuk është asgjë tjetër, përveçse tradhti kombëtare, dhe shuarje me vetëdije e ekzistencës së shtetit të Kosovës, për të krijuar shtet në shtet dhe bosnjëzimin e vendit me republika srpska si “zajednica”, nuk besoj se ka kryeministër as Qeveri, që mund ta marrë mbi vete, e lëre më Qeveria Kurti e cila ka ardhur në krye të vendit me zotime krejt tjera”, thotë Qarri.
Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshjen e parë në bazë të së cilës qëndronte krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas marrëveshjes, Asociacioni do të krijohej me statut dhe do të themelohej mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës: do të kishte ketë kryetar, zëvendëskryetar, asamble dhe këshill.
Asociacioni parashikohej t’i përfshinte këto komuna: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Ky asociacion parashihej të kishte qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtronte edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si do të delegoheshin nga autoritetet qendrore.
Ndërsa, marrëveshja tjetër e nënshkruar më 24 gusht të vitit 2015, u bë sa kishte qenë në krye të diplomacisë së Evropës, Federica Mogherini, ku zotohej se Asociacioni – parimet e përgjithshme të të cilit do të nënshkruheshin të nesërmen nga Kosova dhe Serbia – nuk do të kishte kompetenca ekzekutive.
Kjo garanci atëherë, përmbushte ‘kushtin’ vendimtar të ish-kryeministrit Isa Mustafa për ta nënshkruar dokumentin e parimeve të Asociacionit më 25 gusht 2015.
Mustafa dhe homologu i tij atëherë, Aleksandar Vuçiq, i hodhën nënshkrimet në letër, me një pikë me rëndësi: që ajo që ishte nënshkruar të “kontrollohej” nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Marrëveshja binte ndesh me kushtetutën e Kosovës, por kërkesat për formimin e saj nuk u ndalën. Tani pas 10 vjetëve Asociacioni kërkohet nga ndërkombëtarët që ai të formohet sa më shpejt, kjo pasi sipas tyre i jep dritë jeshile dialogut Kosovë- Serbi.