Marrëveshja finale/ Analisti ngre alarmin: Derisa evropianët janë pjesë me ndërmjetësues që nuk e njohin Kosovën, s’do të ketë marrëveshje

Politika

Marrëveshja finale/ Analisti ngre alarmin: Derisa evropianët janë pjesë me ndërmjetësues që nuk e njohin Kosovën, s’do të ketë marrëveshje

Nga: Q.R Më: 25 shtator 2023 Në ora: 08:22
Takimi Kurti-Vuçiq

Analisti politik, Faton Mehmeti, pas dështimit të bisedimeve dhe pas takimit të fundit të zhvilluar në Bruksel, konsideron se është vështirë të arrihet marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kushtet aktuale, me dy ndërmjetësues që sipas tij, vijnë nga shtete që nuk e njohin Kosovën e që sado pak anojnë nga Serbia.

Madje ai shprehet pesimist se në një afat të shkurtër kohor mund të ketë ujdi për marrëveshje përfundimtare.

“E vështirë të thuhet dhe të pritet të arrihet marrëveshje në kushtet aktuale, me dy ndërmjetësues që vijnë nga shtete që nuk e njohin Kosovën e që sado pak anojnë nga Serbia. Në anën tjetër kemi një kryeministër që nuk dorëzohet para presionit si dhe Vuçiqin që nuk ndryshon qasjen ndaj Kosovës. Shto këtu edhe " përtacinë" e SHBA-ve për të marr e vetme në duart e tyre këtë proces, jam pesimist se mund të ketë marrëveshje në afat të shkurtë”, deklaron ai.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti shprehet i bindur se vetëm ShBA-të mund të garantojnë arritje të marrëveshjes.

“Vetëm marrja në dorë e SHBA-ve e procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi garanton arritje të marrëveshjes, derisa evropianët janë pjesë e saj me ndërmjetësues që nuk e njohin Kosovën nuk ka dhe s’do të ketë marrëveshje”, thotë ai për “Bota sot”.

Rundi i fundit i dialogut në Bruksel, më 14 shtator, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve.

Ky ishte takimi i parë mes Vuçiqit dhe Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të majit.

Kurti tha se në Bruksel propozoi një plan për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Kjo marrëveshje nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.

Kurti tha se plani i propozuar nga ai – që sipas tij u refuzua nga Serbia dhe BE-ja – për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, ishte “propozim konkret, shumë konstruktiv, që bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes”. Ai tha se gjithëpërfshirja është edhe në këtë marrëveshje dhe në aneks, ku thuhet se “çdo nen i Marrëveshjes Bazike duhet zbatuar dhe palët nuk duhet të shprehin pengesa për asnjë nen”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat