Vrasja e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku në sulmin e së dielës nga një grup terroristësh serbë që çoi në përleshje në të cilat u vranë tre pjesëtarë të grupit, ka nxitur shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë e rajonit.
Deri më tani, të gjitha faktet e publikuara vërtetojnë përfshirjen e Serbisë në këtë sulm terrorist.
Ndonëse, ndërkombëtarët, përfshirë BE-në dhe SHBA-në, nuk e kanë sanksionuar ende Serbinë e Vuçiqit.
Për këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.
Fillimisht, ai u shpreh se është e qartë se armet kanë ardhur nga Serbia, madje paralajmëroi se mund të ketë edhe më shumë armë ilegale.
Sipas tij, Vuçiq është përgjegjës indirekt për sulmin terrorist në Manastirin e Banjskës.
“Nuk e di nëse sulmi është organizuar nga Beogradi. Gjithsesi është e qartë se armët e rënda që kanë pasur duhet të kenë ardhur nga Serbia dhe kam frikë se ka më shumë të tilla me të gjitha kalimet ilegale kufitare (kufiri i gjelbër). Pra, pasi Vuçiq ka pothuajse kontroll total mbi gjithçka që ndodh në Serbi, ai është të paktën indirekt përgjegjës”, deklaroi ish-ambasadori holandez.
Bosch u shpreh se fjalimi i Vuçiqit ishte i neveritshëm, derisa tha se synimi kryesor ishte armatosja e ekstremistëve serbë në komunat veriore të Kosovës.
“Synimi duket të jetë armatosja e serbëve ekstremistë në veri dhe sjellja e ndihmës përmes grupeve të armatosura nga Serbia. Reagimi i Vuçiqit gjatë intervistës në OKO nuk premtoi shumë të mira. Edhe pse spitali tashmë konfirmoi se Radoiçjq ishte plagosur në spital, ai pretendoi se ishte i padëmtuar. Ai përmendi mbështetjen ruse dhe kishte fjalë të neveritshme për serbët që duan të jetojnë në paqe në Kosovë, si Rashiq”, theksoi ai.
Ndër të tjera, pjesa më shqetësuese për ish-ambasadorin holandez është propaganda se serbët po persekutohen në Kosovë.
Po ashtu, shtoi se nëse ndërkombëtarët nuk marrin masat e duhura, Vuçiq do vazhdojë të nxis trazira.
“Nëse ka përfunduar vlerësimi i gjithë ngjarjes dhe konfirmohet përfshirja e Beogradit, mendoj se do të ketë reagime të ashpra. Për mua, më e rëndësishmja do të ishte ta ndaloja përhapjen e lajmeve të rreme se serbët po persekutohen në Kosovë, duke rritur tensionet dhe duke shkelur hapat e ish-mentorit të tij Millosheviq.
Megjithatë, nëse ndërkombëtarët nuk flasin qartë, ai do të vazhdojë të përpiqet të destabilizojë rajonin”, përfundoi Robert Bosch për “Bota sot”.