A u përgatit Serbia për një luftë në Kosovë, eksperti i çështjeve për Ballkanin Perëndimor “analizon” grupin terrorist serb

Politika

A u përgatit Serbia për një luftë në Kosovë, eksperti i çështjeve për Ballkanin Perëndimor “analizon” grupin terrorist serb

Nga: Naile Ejupi Më: 2 tetor 2023 Në ora: 15:57
Foto ilustrim nga sulmi terrorist serb në veri

Ka kaluar një javë që nga sulmi terrorist i serbëve ndaj policisë së Kosovës, ku një polic mbeti i vrarë dhe një është plagosur.

Tashmë terroristi Milan Radojiçiq ka pranuar se ka marrë pjesë në sulmin terrorist të së dielës kundër Policisë së Kosovës dhe se ka kryer të gjitha përgatitjet logjistike, përmes avokatit të tij Goran Petronijeviq, i cili të premten lexoi letrën.

Radoiçiq ka thënë se së bashku me “bashkatdhetarët e tij në veri të Kosovës, ka ardhur në veri të Kosovës më 24 shtator në zonën e fshatit Banjskë”.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i popullit serb që t’i rezistojë terrorit të regjimit të Kurtit, për të mbrojtur popullin tonë që çdo ditë i nënshtrohej atij terrori dhe për të realizuar ëndrrën për lirinë e popullit tim në veri të Kosovës”, tha ai.

Radojiçiq ka tentuar të mbrojë pushtetin në Serbi, duke thënë se nuk ka qenë i informuar për sulmin terrorist që ai ka ndërmarrë.

“Kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit dhe akti nuk ka të bëjë me aktivitetet e mëparshme politike. Nuk kam njoftuar askënd nga autoritetet e Republikës së Serbisë, as strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës”, thuhet në letrën e Radojiçiq.

Ai thekson se nuk ka pasur asnjë ndihmë prej tyre, pasi tashmë “ka pasur dallime në mënyrën e rezistencës ndaj terrorit të Kurtit”.

Ai mori përgjegjësinë për gjithçka dhe deklaroi se po jep dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.

Eksperti i çështjeve për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir thotë se grupi terrorist ka qenë i trajnuar dhe i organizuar.

Por, sipas tij jo domosdoshmërisht ata kanë bërë përgatitje për sulm masiv.

“Duke iu referuar dhunës së fundit, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, deklaroi se “Ky nuk ishte një grup qytetarësh që u mblodhën spontanisht për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se ka një lloj strukture pas tyre, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet.” Dhe ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla deklaroi se një numër i konsiderueshëm i armëve të rënda, eksplozivëve dhe uniformave u gjetën pas sulmit në veri të Kosovës, unë nuk pajtohem me përfundimin e tij se kjo është domosdoshmërisht një përgatitje për një sulm masiv që do të vijë”, deklaron Meir.

Image
Alon Ben Meir

Tutje, sipas Meir, Serbia nuk bën luftë të hapur ndaj Kosovës, kjo pasi ajo e di mirë se do të përballet me forcat e NATO-s.

“Serbët etnikë në zonë e dinë se nëse do të ndodhte një sulm i tillë kundër policisë së Kosovës, Kurti do të kishte të drejtë dhe sigurisht do të ishte në gjendje të dërgonte forca të rëndësishme për ta shuar atë. Në një skenar të tillë, Kurti do të merrte mbështetjen e plotë të KFOR-it. Për më tepër, Serbia vetë nuk po planifikon, siç sugjerojnë disa, të bëjë një luftë të hapur kundër Kosovës, pasi e di mirë se do t'i duhet të përballet me forcat e NATO-s, e cila nuk është thjesht një nismë dhe definitivisht nuk është në interesin afatgjatë të Serbisë”, pohon eksperti.

Ai konsideron se ka një afrimitet të fortë të serbëve etnikë në veri të Kosovës me Serbinë për shkak të lidhjes natyrore që kanë me vëllezërit e tyre, prandaj do gjë që bëjnë apo thonë ata i atribuohet menjëherë ndikimit të drejtpërdrejtë të Serbisë.

“Më shpesh sesa jo, këta serbë etnikë në veri të Kosovës demonstrojnë një afinitet të fortë me Serbinë për shkak të lidhjes natyrore që kanë me vëllezërit e tyre në atë vend. Dhe kështu, çdo gjë që ata bëjnë apo thonë i atribuohet menjëherë ndikimit të drejtpërdrejtë të Serbisë, i cili vetëm sa forcon dhe dobëson lidhjet e tyre me Beogradin. Kjo mund të ndryshojë nëse ata ndjejnë se po dëgjohen si kosovarë. Në fakt, me sa di unë, ata duan të jenë të lirë po aq nga Beogradi sa nga Prishtina, sapo t'u jepet mundësia”, thekson Meir.

Në anën tjetër, pas sulmit të krijuar në veri të Kosovës, shumë analistë e diplomatë ndërkombëtarë e konsiderojnë asociacionin “të vdekur”, madje thonë se ai tani nuk duhet as të diskutohet.

I pyetur rreth asociacionit, eksperti Meir, thotë se Kosova duhet të pres disa hapa reciprokë nga Serbia para se ta themelojë asociacionin.

Meir përmend hapat reciprokë, ku këtu pos tjerash përfshihen njohja e pasaportave dhe dokumenteve të tjera të nivelit shtetëror.

“Edhe pse Kosova u pajtua disa vite më parë për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, nëse qeveria Kurti do të shkojë drejt zbatimit të tij, ai duhet të presë në të njëjtën kohë disa hapa reciprokë të ndërmarrë nga Beogradi për të demonstruar mirëbesim. Kjo mund të përfshijë, për shembull, lejimin e Prishtinës për t'iu bashkuar organizatave të tjera ndërkombëtare, njohjen e pasaportave dhe dokumenteve të tjera të nivelit shtetëror, etj., për të cilat Serbia është zotuar më pare”, shton Meir.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat