Hetuesit e Dhomave të Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, gjatë ditës së djeshme kanë bastisur shtëpinë e ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj.
Gjithashtu përveç shtëpisë së Smakaj është bastisur edhe shtëpia e Blerim Shalës, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçit.
Hetim Smakaj, axha i Bashkim Smakajt deklaroi se nuk kanë qenë në dijeni për këtë bastisje.
Ai nuk u lejua të hyjë në shtëpinë e ish-shefit të AKI-së.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.
Ai u shpreh se deputetët që kanë votuar vite më parë Specialen tashmë nuk mund të bëjmë asgjë.
Sipas avokatit ne mund të kundërshtojmë veprimet e Speciales mirëpo nuk ka ndikim në punën që bënë ajo.
“Më duhet të them që Gjykata Speciale nuk i jep imunitet askujt, ne kemi bërë mëkat para 8 vjete në miratimin e Gjykatës Speciale. Tashmë ne mund të kundërshtojmë veprimet e kësaj Gjykate mirëpo nuk mund të asnjë ndikim në punën e Gjykatës Speciale. Ne si popull nuk e mbrojmë asnjëri, fillimisht nuk e kemi mbrojtë as bastisjet që janë bërë edhe më herët”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, avokati përmend bastisjet e mëhershme duke theksuar që këso lloj bastisjesh do të ketë edhe në vazhdim nga Gjykata Speciale.
“Nuk është normale që të bastisen shtëpitë e askujt mirëpo është mëkati që kemi bërë më herët dhe duhet theksojmë që ne nuk kemi mbrojtur as bastisjen e mëhershme që është bërë në shtëpinë e presidentit Rugova. Ne kemi lejuar edhe bastisjen e zyreve të OVL-UÇK-së, pastaj këso lloj bastisjesh ka pasur më herët dhe do të ketë deri të ekzistoj Gjykata Speciale”, përfundoi Tomë Gashi për “Bota sot”.