Vizita në rajonin e Ballkanit e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg u zhvillua në një kohë tensionesh dhe paralajmërimesh për konflikte të mundshme edhe në Ballkan.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, qëndroi më 20 nëntor në Kosovë.
Më pas vazhdoi në Serbi për të u takuar me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Mirëpo, takimi me Vuçiqin duket se nuk shkoi ashtu siç pritej të ndodhte, pasi deklaratat provokuese nuk munguan.
Vuçiq në konferencën e përbashkët me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi se është punë e Serbisë se ku do të vendosë forcat e saj ushtarake.
“Ku do ta vendosim ushtrinë është punë e jona, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe pa rrezikuar askënd”, tha Vuçiq në përgjigje të deklaratës së Stoltenbergut se trupat shtesë të ushtrisë serbe në kufi me Kosovën nuk do të kontribuojnë në de-përshkallëzim.
Kjo deklaratë arriti të sjellë një reagim në opinonin publik, duke e parë një “ledhatim” të tepruar nga ndërkombëtarët ndaj Serbisë.
Kujtojmë që në vazhdimësi Stoltenberg po kërkon ulje të tensioneve mes vendeve duke bërë thirrje që të vazhdohet dialogu.
Bajqinovci: Vuçiq po sillet njësoj si Millosheviqi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
Ai u shpreh se me këtë arrogancë është sjellë edhe Millosheviqi.
“Kështu me arrogancë sillej edhe Millosheviqi një kohë, deri kur filluan bombardimet e NATO-s”, u shpreh ai.
Deputeti më tej thekson që pas bombardimeve ka ndryshuar çdo gjë, duke përmendur këtu disa detaje.
“E pastaj e dini ju se çfarë kishte ndodhur: Komandati Michael Jackson ua vizatonte në hartë perimetrin e se deri ku mund të afrohet ushtari serb”, përfundoi Bajqinovci për “Bota sot”.
Qarri: Vuçiq është llastuar nga ndërkombëtarët

Ndërsa analisti politik Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që vizita e Stoltenberg ishte e qartë për të shuar tensionet mes dy vendeve.
“Në vizitën e zhvilluar në pikat më problematike të rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku Rusia, përmes Serbisë, po përpiqet me çdo mjet të nxisë konflikte të reja, shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, u përpoq të përçonte mesazhet paralajmëruese për ti ulur tensionet. Duke iu drejtuar, drejtpërsëdrejti Serbisë për heqjen dorë nga politika luftënxitëse ndaj vendeve fqinje, si dhe planet e saja për ta trazuar, serish Ballkanin me ndezjen e luftërave të reja ekspansioniste në Bosnje dhe Kosovë”, thotë ai.
Mirëpo, analisti nuk e sheh të papritur deklaratën e Vuçiqit pasi që duke parë veprimet e tij, të pritshme janë edhe këto deklarata.
“Por përderisa Stoltenberg kërkoi që pjesëmarrësit e sulmit terrorist serb, në Banjë të Zveçanit të vendosen pra drejtësisë, të hetohet rasti i sulmeve nga kriminelët serb kundër forcave të KFOR-it, po ashtu në Zveçan, në fund majin e këtij viti, si dhe tërhoqi vërejtjen publikisht, se grumbullimi i ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, nuk i ndihmon përshkallëzimit të gjendjes, çuditërisht Aleksandër Vuçiq i llastuar nga reagimi i butë i SHBA-ve, BE-së dhe vet NATO-së, edhe pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë dhe të gjitha akteve të lartcekura, të zhvilluara vetëm brenda pak muajsh, nga kriminelët dhe terroristët serb, me inskenimin e Serbisë, Vuçiq tha se është çështje e Serbisë, se ku ajo e vendos ushtrinë, përgjigje të cilën SHBA,BE dhe NATO, do duhej ta kundërshtonin menjëherë dhe hidhnin poshtë me këmbëngulje!
Një përgjigje mjaft provokuese, e cila, sado që erdhi, disi në mënyrë të "papritur", dhe u tha para vet shefit të NATO-së, nuk habiti askënd, për faktin se duke njohur veprimet e Vuçiqit tash e mbi tri dekada, si ministër dhe bashkëpunëtor i afërt i kriminelëve më në zë dhe më të mëdhenj të Serbisë, që nga Shesheli deri te vet kasapi Millosheviq, në qeverinë e të cilit, Vuçiq ishte ministër i informacionit shtetëror, as që pritej përgjigje apo qëndrim tjetër, prej tij”, shpjegon ai.
Të shfuqizohen vendimet e Thaçit
Analisti kërkon shfuqizimin e të gjitha vendimeve të Thaçit dhe të vendosen në afat të gjatë ushtria e shtetit tonë në afërsi të kufirit me Serbinë.
“Kështu që nëse nuk ka mundësi tjera ligjore e kushtetuese në dispozicion, për veprim adekuat, duke pasur parasysh gjyqësinë jo funksionale të kapur nga politika dhe krimi i organizuar, Kosova, duhet urgjentisht ta mbledh Kuvendin dhe me votat e legjislativit ti shfuqizojë të gjitha vendimet e kuislingut Hashim Thaçi, që ai ka ndërmarrë në dëm të Kosovës, kurse akti i parë duhet të jetë; shpallja e pavlershme, e letrës së Thaçit, dërguar ish sekretarit të NATO-së, Rasmusen, në mënyrë që forcat e ushtrisë, të marrin të drejtën, për vendosjen e tyre në veri, si pjesë legjitime dhe e pandashme e Republikës së Kosovës.
Shfuqizimi i letrës së Thaçit, duhet të ndodhë medoemos dhe sa më parë që të jetë e mundur, ngase për sigurinë afatgjate të territorit në veri të vendit, nuk janë të mjaftueshme vetëm forcat e Policisë, por kërkohet vendosja e përhershme e ushtrisë së shtetit tonë në kazerma dhe afërsi të kufirit me Serbinë”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.